Pushime të mbara, zoti drejtor!

673
z. Astrit Hado
Unë që po të drejtohem me këtë letër pa zarf, jam një pensioniste me librezë nr. 143455/3. Quhem Fatmira Rrapo Marjanaku. Dëshira ime (mbase dhe tuaja) ishte që hallin tim t’ua tregoja, jo me letër, gojarisht, por kur erdha në zyrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, mësuam se nuk ishit në zyrë dhe se nuk keni takim me popullin. Mora vesh se ju jeni me leje dhe pyeta se kur do të ktheheni, përgjigja ishte: “E ikura dihet dhe jo kthimi” që më detyroi t’ju drejtohem me këtë letër. Unë, zoti drejtor, marr gjysmë pensioni nga i ndjeri burri im, Gani Shaban Marjanaku, duke filluar nga prilli i vitit 2002. Duke qenë se vlera e pensionit nuk më del për të përballuar jetesën, banoj pjesërisht në Itali tek vëllai dhe djali. Pensionin e kam tërhequr rregullisht çdo vit. Më datë 15 korrik 2016 kur shkova për të marr pensionin mbeta e shtangur kur më njoftuan se për muajt janar, shkurt, mars, prill, maj, qershor, korrik të zbriten 3500 lekë, por arsyet nuk dinin t’i shpjegonin, më thanë të shkoja tek Sigurimet Shoqërore. Në drejtorinë rajonale të Tiranës më thanë se ndalesa është për arsye sepse je debitore me 8 milionë lekë. 

Këtu z. drejtor, fillon komedia dhe tragjedia bashkë. Aty mësova se, veç dosjes së hapur nga ana ime, ekzistonte dhe një dosje tjetër, me emrin tim, me anë të cilës paskam “përfituar” padrejtësisht këtë shumë lekësh. Mbeta me gojë hapur, kur më treguan në këtë dosje fotografinë me emrin tim, që s’ngjasonte fare me mua. Ashtu si ishin falsifikuar edhe firmat gjoja të hedhura prej meje. Madje në këtë dosje të dytë edhe ditëlindjen time e kishin “shpërngulur” nga viti 1949 që e kam në fakt dhe e kanë vendosur në vitin 1944. Dhe e di pse e kanë bërë këtë z. Drejtor? – Që të justifikojnë falsifikimin e dytë, vjetërsinë në punë të cilin ma kanë vënë sikur kam punuar në N. B “Gjergji Mitrov” dhe “17 Nëntor” Tiranë. Sepse po ta vendosnin siç e kam në certifikatë dhe siç është në të vërtetë iu dilte mosha e vogël për të qenë punëtore në fermë. Në këtë periudhë që është vënë vjetërsia ime punëtore në fermë unë kam qenë në kooperativën bujqësore “Zerec” të Korçës (shikoni vjetërsinë time në kooperativë që e keni në dosjen ku marr pensionin familjar) dhe në Tiranë kam ardhur në 1990. Kush e ka përgatitur këtë çorbë derri për të grabitur nuk më takon mua, që s’kam pasur asnjë dijeni por juve që i keni dalë për zot të drejtoni Institutin e Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë dhe të gjeni në cilin xhep kanë hyrë 8 milion lekë që janë vjedhur. Ju kini detyrimin administrativ që të më njoftonit mua dhe ta çonit çështjen për ndjekje penale. Zbatimi i kësaj detyre ligjore nga ana juaj do të kishte zvogëluar dhe dëmin. 

Në datën 18 korrik jam drejtuar me një kërkesë juve z. drejtor të cilën ua kam dërguar në protokollin tuaj, por duke parë se në zyrat tuaja nuk jepej asnjë përgjigje u detyrova të shkoj në Ministrinë e Punëve dhe Çështjeve Sociale tek drejtori i pensioneve z. Astrit Kuka, të cilin e falenderoj se u vu në lëvizje menjëherë dhe meqenëse mori vesh nga ju a nuk e di nga kush që ju ishit me leje më drejtoi tek zëvendësi juaj z. Ali Emini. z. Ali më dëgjoi problemin dhe më la takim pas dy ditësh, ku kishte marrë në protokoll kërkesën time, në arkivin e drejtorisë rajonale Tiranë dosjen time të pensionit familjar dhe dosjen e falsifikuar dhe siç na deklaroi ishte i bindur për falsitetin e saj dhe se kishte ngritur një grup që kishte lënë afat deri në dt. 20 gusht për ta zgjidhur. Ne nuk ishim dakord jo për afatin por sepse ai nuk e kishte vënë në gjendjen që ishte që mua të më kthente atë që më kanë ndaluar dhe të vazhdoja me pensionin që kisha pastaj të vazhdojnë procedurat. Mirëpo z. Ali këtë e justifikoi se nuk e kam unë këtë kompetencë por do të bëhej kur të kthehej drejtori nga leja. Shkeljet nga ana juaj, mosnjoftimi im si person që presupozohet se i kam marrë dhe mos dërgimi për ndjekje penale nuk është për të më ndihmuar mua por për të mbrojtur hajdutin sepse ata, qofshin punonjësit tuaj ose të jashtëm nuk mund të kryenin një veprim të tillë pa pasur lidhje me punonjësit e Institutit të Drejtorisë Rajonale Tiranë. Dosja është hapur nga punonjës të sigurimeve shoqërore (si mund të hapet një dosje me fotografi të një personi tjetër, me certifikatë të falsifikuar nga një specialist pa vjedhur vetë ose pa marrë pjesën). Pagesa është bërë në arkat tuaja. Cili/cila i ka marrë këto para me firmën time? Pra kapja është e thjeshtë dhe s’ka nevojë për një zgjatje të tillë. z. drejtor dhe një herë të uroj pushime të mbara që të kthehesh shëndoshë e mirë për të zbuluar padrejtësinë që është bërë ndaj meje.
Me respekt, Fatmira Rrapo Marjanaku
Nr. tel: 069 54 56 196
Sigal