Sigal

Në Kamëz çdo ditë po punohet me intensitet të madh për përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Ky qytet i mbi 15-fishuar gjatë viteve të tranzicionit, 22 vjet bashki, ka pasur shumë nevojë për investime, si rrugë, KUN, shkolla e plot nevoja të tjera, duke qenë se qytetarët dhe institucioni bashki e ka ngritur gjithçka nga e para. Kamza ka pësuar ndryshime rrënjësore krahasuar me vite më parë dhe kjo, si nga puna vitale e qytetarëve, por edhe vëmendjes maksimale të Bashkisë Kamëz, veçanërisht pas vitit 2007, falë vizionit të kryetarit të Bashkisë, Xhelal Mziu.
Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, pohon se nga dita që është ulur në karrigen e kryebashkiakut janë me qindra e qindra kilometra rrugë të ndërtuara në Kamëz dhe Paskuqan së bashku me KUN, ujësjellës, përfshi këtu dhe akse rruge të rëndësishme siç është ai i rrugës “Demokracia” nga Ura e Institutit deri në Babrru dhe vijon deri tek Kafja e Rremës.

“Vetëm gjatë këtij viti Bashkia Kamëz po investon në mbi 70 rrugë, një pjesë e të cilave kanë përfunduar dhe disa janë në proces drejt përfundimit. Nuk kemi pasur asnjë mbështetje nga qeveria, pavarësisht se i kemi kërkuar mbështetje në mënyrë sistematike për të financuar projektet zhvilluese të Bashkisë, të cilat shkojnë në dobi të komunitetit. Çdo kilometër rrugë në Kamëz po ndërtohet me buxhetin e Bashkisë Kamëz, e cila po bën më të mirën për të mirëmenaxhuar ta ardhurat, taksat dhe tarifat e qytetarëve duke i kthyer në investime në çdo lagje”, – thotë kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu. Kryebashkiaku Mziu çdo ditë ndodhet në terren për të inspektuar punët, të cilat kanë nisur dhe janë në proces dhe duke inauguruar ato që kanë përfunduar.

Zoti Mziu ka inspektuar punimet e përfunduara në rrugën “Faik Halil Hoxhaj”, lagjja nr. 5 Kamëz, investim i Bashkisë i realizuar me të gjithë parametrat e një rruge bashkëkohore evropiane. Të tjera investime janë dhe ato në rrugët: “Arras” në lagjen Bathore 1, “Xhemal Dervishi” në Babrru-Kodër, “Eqrem Çabej” në Zall-Mner. Investime të këtij viti janë dhe rruga “Kuvendi i Dibrës” në Bathore, “Myslym Shyri” në Babrru. Bashkia Kamëz vijon realizimin e projekteve të rëndësishme në infrastrukturën urbane të qytetit si rruga “Roma”, e cila ndodhet në lagjen nr. 1 Kamëz, ka përfunduar edhe ndërtimi i rrugës “Serafin Kodra” në Babrru. Kryebashkiaku Xhelal Mziu ka inspektuar punimet për ndërtimin e trotuareve në rrugën “7 Marsi” në lagjen Bathore 7, rruga “Horizonti” Bathore 1, “Sali Murat Vranishti” në Babrru-Kodër. Inspektimet e kryebashkiakut Mziu nuk kanë munguar as në rrugën “Kaltërsia” në lagjen 1 Bathore si dhe ndërtimi i trotuareve në rrugën “Bujar “Lako”, në rrugën “Bytyç” në lagjen 1 Bathore, rrugën “Hasan Zylfia” në Babrru-Kodër, investim i Bashkisë Kamëz që përfundon së shpejti dhe dhjetëra akse të tjera rrugore që kanë përfunduar dhe janë në proces. Prioritet absolut i kryetarit të Bashkisë Kamëz është përmirësimi i plotë i infrastrukturës në territorin e Bashkisë Kamëz dhe çdo qindarkë e qytetarëve të kthehet tek ta përmes investimeve.