Punimet tek “Harry Fultz”, Përplasje bashki-polici

529
Sigal

Bozdo: 5 punonjës u rrëmbyen nga policia. Nuk kishin leje për punimet, prenë pemët

 TIRANË- Sherri politik mes partive pozitë-opozitë, transferohet dhe në Bashkinë e Tiranës, përkatësisht midis drejtuesve të saj dhe policisë. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo ka akuzuar policinë e kryeqytetit se ka rrëmbyer 5 punonjës të bashkisë teksa kryenin punime pranë shkollës “Harry Fultz”. Duke e cilësuar si një akt të rëndë, Bozdo tha se kjo ndodhi pasi punëtorët e Drejtorisë së Përgjithshme nr.2 kishin nisur punën për ndërtimin e një nyje të re semaforike pranë kësaj zonë të Tiranës. Sipas Bozdos, ata mbahen në mënyrë të jashtëligjshme në Komisariatin nr.3 në kryeqytet. Bozdo shtoi se ky investim bie ndesh me interesat personale të një biznesmeni. Të dhënat kofidenciale,- tha Bozdo, “tregojnë se ky biznesmen i ka telefonuar Kryeministrit dhe ky i fundit, për të mos i prishur qejfin mikut të tij, ka urdhëruar personalisht strukturat drejtuese të Komisariatit nr.3, që të ndërhyjnë dhe të marrin peng punonjësit e Bashkisë”. Bozdo bëri me dije se kjo çështje do ndiqet penalisht dhe kërkoi ndërhyrjen e kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ndërkohë, ai i bën thirrje Ambasadës së SHBA, BE dhe OSBE dhe Komitetit shqiptar të Helsinkit, të reagojnë me forcë ndaj asaj që ai e quajti “regjim totalitar” në Shqipëri. Ndërsa mbrëmë vonë, për këtë deklaratë, ka reaguar dhe policia. Në një reagim të sajin policia e kryeqytetit, sqaron se ndalimi i 5 punonjësve të Bashkisë është bërë për të verifikuar lejen që ata pretendonin se kishin. Sipas policisë ata jo vetëm që nuk kishin lejen e posaçme por kanë shkatërruar trotuarin e rrugës si dhe kanë prerë pa leje drurët dekorues. “Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, sqaron opinionin publik, se ka nisur verifikimet dhe hetimet mbi pesë punonjësit e Bashkisë së Tiranës, të cilët kanë filluar punimet në ndërtimin dhe zhvendosjen e një semafori në rrugën “Asim Vokshi” në Tiranë duke prerë pemët, dëmtuar trotuarin dhe ndërhyrje të tjera në këtë rrugë. Policia e Tiranës ka bllokuar punimet dhe shoqëruar pesë punonjësit e Bashkisë Tiranë për të vijuar me verifikimin e dokumentacionit dhe lejes përkatëse për kryerjen e këtyre punimeve. Nga verifikimet paraprake është vënë në dispozicion shkresa me nr.Prot 8593 datë 11.06.2014, e cila është një urdhër pune i brendshëm i miratuar nga Drejtori i Planifikimit dhe Menaxhimit të Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës. Me qëllim sqarimin e mëtejshëm të rrethanave dhe dokumentacionit për kryerjen e këtyre punimeve, me shkresë urgjente me Nr.Prot 5177, i është kërkuar Bashkisë së Tiranes informacion mbi punimet e infrastrukturës në rrugën “Asim Vokshi” Tiranë, ku aktualisht ende nuk disponojmë një leje për zhvillimin e ndryshimeve të infrastrukturës në këtë segment rrugor”, thuhet në reagimin e policisë. Policia sqaron se, “Për të realizuar këto punime, duhet paraprakisht një leje zhvillimi e infrastrukturës, mbi projektin e transportit multimodal, leje, e cila miratohet nga Këshilli i Rregullimit të Territorit dhe Kryetari i Bashkisë”

Njoftim për shtyp i Ministrisë së Brendshme

Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë është duke ndjekur me rigorozitet të plotë procedurat hetimore lidhur me punimet e kryera në rrugën “Asim Vokshi” në Tiranë. Nga hetimet e deritanishme rezulton se punimet janë të paligjshme dhe bëhen për interesa private të disa individëve. Semafori në fjalë nuk do të vendoset përpara shkollës së mesme “Harri Fultz”, siç pretendohet nga Bashkia, por rreth 30-40 metra me larg, në kryqëzimin pranë një biznesi privat. Ky semafor është ndërtim i paligjshëm dhe pengon qarkullimin e mjeteve për të cilat është një semafor në kryqëzimin që ndodhet vetëm 10 metra më larg, vetëm për komoditetin e një individi dhe ndërtimeve të tij. Nisur nga shkeljet e konstatuara deri tani Policia e Tiranës ka bërë kallëzim penal për drejtuesit e bashkisë dhe punetorët, të cilët nuk kanë respektuar urdhërat e policisë për të ndërprerë punimet si dhe kanë prerë pemët dekorative dhe kanë dëmtuar trotuarin e rrugës.

Deklarata e Bashkisë së Tiranës 

“Sot, Policia e Shtetit përsëri ka bllokuar në mënyrë të jashtëligjshme punimet në nyjen e re semaforike. Sikur të mos mjaftonte rrëmbimi i punonjësve të Bashkisë së Tiranës dje, Policia përsëri ka thyer ligjin, ajo polici e cila duhet të jetë garant për zbatimin e ligjit dhe ka çnderuar edhe misionin e saj. Ne, tashmë e dimë se këtu kemi të bëjmë me një urdhër politik, urdhër që vjen drejtpërdrejt nga kryeministri Rama, për të bllokuar këtë projekt të Bashkisë së Tiranës, ashtu siç janë bllokuar me kohë edhe projekte të tjera. Marrëzia ka mbërritur tashmë deri në nivelin kur kryeministri u ka hapur luftë edhe semaforëve të qytetit. Qytetarët e Tiranës duhet të kuptojnë se çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, Bashkia e Tiranës përballet me bllokimin, me bllokimin e axhendës politike të kryeministrit. Qytetarët me të drejtë duan rritjen e cilësisë së jetës por kryeministri Rama ka një axhendë tjetër politike për qytetin. Qytetarët me të drejtë kërkojnë hapjen e vendeve të reja të punës në Tiranë. Bllokimi i projektit të tramit, bllokimi i projektit të bulevardit, bllokimi i projektit të terminalit multimodal, bllokimi i buxhetit nuk mundëson hapjen e vendeve të reja të punës. Këto janë projekte që mund të kontribuojnë për qytetin e Tiranës, me mijëra e mijëra vende të reja por interesat politike, axhenda politike e kryeministrit, mendësia e tij për qytetin e Tiranës i ka bllokuar të gjitha këto. Qytetarët duhet ta dinë shkakun e vërtetë të këtij bllokimi. Tani, dy fjalë edhe për Policinë e Tiranës. U bëj thirrje qytetare që të shmangin keqpërdorimin politik, të mos bien në pozitat e INUK i cili po me urdhër politik bllokoi punimet në bulevardin e Tiranës, të nderojnë uniformën dhe misionin e tyre, të jenë garant të ligjit dhe jo të shkojnë në paligjshmëri. Bashkia e Tiranës do të vijojë me misionin e saj, të përmirësojë këtë nyje transporti ashtu si edhe me të gjithë projektet e tjera. Ne nuk do të tërhiqemi nga punët tona të përditshme, punët në dobi të qytetarëve dhe të qytetit. Përgjegjësit do të dalin përballë përgjegjësisë. I bëj thirrje z. Adriatik Llalla, kryeprokurorit të Republikës që të hetojë me përparësi këtë rast flagrant të thyerjes së të drejtave të njeriut, të rrëmbimit në mes të ditës të 5 punonjësve të Bashkisë, qytetarëve të ndershëm, vetëm e vetëm se ata po bënin punën e tyre, në dobi të qytetit dhe komunitetit. Po ashtu, i bëj thirrje trupit diplomatik, ambasadave, organizatave joqeveritare që merren me monitorimin e respektimit të të drejtave të njeriut të mbajnë shënim dhe të raportojnë këto raste të thyerjes flagrante dhe të veprimit në paligjshmëri të plotë të një shteti policor i cili vepron vetëm me urdhëra politikë dhe veçanërisht në këtë rast në thyerje të plotë të ligjshmërisë.

Kush është miku i z. kryeministër?

 Do të flas në kohën e duhur edhe për këtë.