Punimet arkeologjike në Butrint, në mëshirën e fatit

670
Sigal

Arkeologët e huaj braktisin gërmimet në Butrint, duke shkaktuar edhe rreziqe për jetën e njerëzve

Arkeologjia shqiptare është një magnet që tërheq gjithnjë e më shumë interesin dhe vëmendjen e arkeologëve të mbarë botës. Mirëpo, jo gjithnjë ky interesim është në shërbesë të plotë të qëllimit të mirë. Kështu, në Butrint, një grup arkeologësh amerikanë që kanë bërë gërmime arkeologjike, pasi kanë mbaruar punimet, i kanë braktisur ato, si të kenë hapur një gropë të …ujërave të zeza. Madje, edhe dheun e nxjerrë e kanë hedhur brenda parkut arkeologjik, e kanë lënë atë aty duke ndotur mjedisin. Jo vetëm kaq. Por edhe vendgërmimet e bëra në Butrint, arkeologët amerikanë i kanë braktisur, duke mos u interesuar që ato të ruhen e të konservohen, sa, të lëna në mëshirën e fatit këto vendgërmime arkeologjike, brenda parkut arkeologjik të Butrintit janë bërë zona të rrezikshme edhe për jetën e njerëzve, pasi këto vendgërmime janë mbushur me ujë dhe ndonjë fëmijë apo vizitor, duke rënë brenda tyre, edhe mund të rrezikohet të humbasë jetën, aksidentalisht. Të gjitha organet kompetente në Shqipëri, mbase nga ndjenja e inferioritetit, apo edhe nga shpërfillja që dëftojnë për përgjegjësinë e detyrës, nuk bëjnë asgjë, që të parandalojnë keqpërdorimin, dëmtimet dhe, në fund të fundit, të marrin masa paraprake për të mbrojtur edhe jetën e njerëzve. Kjo është e përsëritshme, sepse kohë më parë, kjo praktikë u kritikua ashpër nga ekipi që përgatit planin e konservimit të Butrintit përsëri drejtuesi i projektit arkeologu David Hernandez nuk respekton asnjë rregullore gërmimesh.

 Reagon Auron Tare, eksperti i Trashëgimisë Kulturore të PS-së

Auron Tare, i cili është eksperti i Trashëgimisë Kulturore të PS-së, ka reaguar ashpër ndaj braktisjes që arkeologët amerikanë kanë bërë për gërmimet e kryera në parkun arkeologjik të Butrintit. “Një ekip i vogël arkeologësh amerikanë, që po gërmojnë prej tre vjetësh në Forumin e Butrintit, mbarojnë gërmimet dhe ikin në punë të tyre, duke mos marrë asnjë masë konservuese, apo parandaluese, jo vetëm në mbrojtje të monumenteve të sapogërmuara, por edhe të vizitorëve. Gropa të thella me ujë, ku fëmijët e vegjël mund të bien brenda dhe të rrezikojnë jetën. Edhe pse dimrin e kaluar kjo praktikë u kritikua ashpër nga ekipi që përgatit planin e konservimit të Butrintit, përsëri drejtuesi i projektit, arkeologu David Hernandez nuk respekton asnjë rregullore gërmimesh. Në vendin e tij këtij zotërisë i heqin licencën e gërmimeve, ndërsa këtu te ne askush nuk flet. Ka ardhur koha që të huajt, që janë mysafir në këtë vend, të respektojnë rregullat, ashtu siç i bëjnë në vendin e tyre”, – thotë Auron Tare.