Punëtorët e ARMO-s firmosin peticion për Kryeministrin: “Duam të punojmë”

570
Sigal

Për të pestën ditë me radhë, mbi 3 mijë punonjësit e rafinerive të Ballshit dhe Fierit, pjesë e kompanisë ARMO, të cilët nuk lejohen të punojnë për shkak të bllokimit të paprecedentë dhe pa asnjë bazë ligjore, kanë vazhduar protestën e tyre paqësore përpara dyerve të rafinerisë së Fierit dhe më pas kanë marshuar deri tek rruga nacionale. Të vendosur më shumë se kurrë, punonjësit shprehen se deri në plotësimin e kërkesave të tyre do të ndjekin çdo hap ligjor dhe demokratik në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet nga instancat e caktuara shtetërore nga të cilat deri në këto moment nuk ka pasur asnjë reagim. Për këtë arsye, si hapin e parë të përshkallëzimit të protestës së tyre paqësore, punonjësit e ARMO-s dhe drejtuesit e saj kanë firmosur një peticion i cili zyrtarisht i dërgohet kryeministrit në detyrë Sali Berisha, kryeministrit të ri Edi Rama, ministrisë së financave dhe strukturave të saj si dhe të gjithë trupës diplomatike në vendin tonë. Ky peticion  përmban në brendësi të tij kërkesat e pesë ditëve protesta nga ana e punonjësve të ARMO-s të cilët bëjnë realitet në këtë mënyrë angazhimin e tyre për të qëndruar bashkë dhe protestuar deri në zgjidhjen e kësaj problematike.

Peticioni, ndër të tjera, përmban kërkesën për largimin e hetimit tatimor nga dyert e rafinerisë, zhbllokimin e llogarive të kompanisë ARMO, rishikimin e taksave përkatëse të cilat e kanë bërë të pamundur funksionimin normal të këtij gjigandi të industrisë shqiptare që pas privatizimit. “E para, zhbllokimin e situatës së krijuar në rafinerinë e Fierit, marrjen e masave imediate në rafineri me specialistë të mirëfilltë për zbatimin e rregulloreve teknike. E dyta, kërkojmë në mënyrë urgjente zhbllokimin e llogarive dhe rifillimin e aktivitetit normal të saj, kthimin e naftës bruto në rafineri, heqjen e taksës doganore në import, heqjen e pagesës së akcizës për lëndët djegëse për konsum vetjak dhe rishikimin e këtyre taksave. Nga sot e në vazhdim protestën tonë do ta përshkallëzojmë deri në marrjen e një përgjigjeje”- tha Stavre. Nga ana e tyre, punonjësit në protestë shprehen se e kanë firmosur peticionin me vetëdije të plotë si një hap ky për ta bërë edhe më të fuqishëm zërin dhe vendosmërinë e tyre deri në zgjidhjen e kësaj situate bllokimi. Ndërkohë protesta e punonjësve të ARMO-s do të vazhdojë zyrtarisht ditën e nesërme ku punonjësit të cilat e kanë të lidhur jetën e tyre me këtë kompani, do të mblidhen përpara zyrave të prefekturës së qarkut fier për këtë kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.