Punëtorët: Do të manifestojmë me dordolecët e krerëve të BSPSH dhe KSSH

558
Përparim HALILI
Ndërsa pyesnim dje disa punonjës, se çfarë aktivitetesh sindikale do të organizonin krerët e dy grupimeve sindikale të BSPSH e KSSH në ditën e 1 Majit, një prej tyre na tha: 

– “Asgjë nuk do bëjnë, do heshtin si çdo vit, po deshe mos na i përmend më “efidendikojtë” e BSPSH-së dhe KSSH-së, mbasi njëra është “çetë” në shërbim të PD, ndërsa tjetra është “çetë” në shërbim të PS, duke mos pasur asnjë lidhje me punonjësit, por vetëm me pazaret personale që bëjnë me qeveritë, partitë dhe bizneset! 

E pyetëm: Po ju si punonjës, çfarë do të bëni në 1 Maj? 
Përgjigja: Ne, një grup punëtorësh ish-anëtarë të KSSH e BSPSH, të tradhtuar prej klikave të tyre sunduese e të korruptuara, kemi menduar të dalim në rrugë duke manifestuar me dordolecët e krerëve të këtyre dy sindikatave që kanë përdhosur idealin, misionin dhe besimin e dhënë prej punonjësve shqiptarë! 

Kjo është e vërteta e hidhur që do shfaqet edhe në këtë 1 Maj. Asfiksimi, primitivizmi, analfabetizmi, korrupsioni, degradimi i misionit sindikal, blerja e shitja politike e krerëve të këtyre vula-sindikatave dhe “sulltanizmi” i tyre, ka mbërthyer prej shumë vitesh kupolat e tyre. Lëvizja sindikale mungon totalisht, megjithëse në Shqipëri ka sindikata me bollëk, madje nga 50-60 emërtesë-sindikata të vet-shpallura në çdo lloj profesioni, administrate, shërbimesh publike, kulture e arti, ushtrie e policie, firmash private e sektori shoqëror. Por, që figurojnë vetëm si akte-themelimi, si logo, si zyra, si sekretare që në mëngjes janë me flok të zinj, pas dy orësh bëhen me flokë të verdhë e në drekë bëhen me flokë të kuq e, për më tepër me kryetarë stërgjyshër, që pasi i çojnë në zyra prej krahu, i zë gjumi në kolltuk, nuk i zgjojnë dot as… “topat”! Kjo është tepër shqetësuese, për faktin që ato nuk kanë as fuqi fizike, as të drejtë morale, as shkollim e për më tepër mbështetje punonjësish për të bërë sindikalizëm. Ndaj dhe nuk ndihen. Ato nuk e kryejnë e në shumë raste, nuk duan ta kryejnë misionin publik që kanë marrë përsipër, mbasi u është “lidhur” gjuha nga pazaret që kanë dhe bëjnë përditë me pushtetet e punëdhënësit. Në vend të misionit si “avokate” të interesave të punonjësve, BSPSH e KSSH po vazhdojnë të funksionojnë prej 27 vjetësh si prona private e të përjetshme të dy “çetave”. Nëse deri në vitin 1996 bëhej ndonjë grevë apo protestë që e detyronte qeverinë apo bizneset private, të realizonin detyrimet ligjore në shërbim të punonjësve, tashmë nuk ka më të tilla. Nëse ka asnjë vend në botë, ku sindikatat kanë më shumë volum pune se në Shqipëri. Por edhe në 1 Maj, sindikatat në Shqipëri struken, heshtin, nuk denoncojnë realitetin problematik që përjetojnë punonjësit dhe gjithë shtresat sociale. Në vend, që simbolikisht në çdo 1 Maj, sindikatat të manifestojnë me problematikën social-ekonomike në emër të punonjësve, krerët e sindikatave u hipin makinave së bashku me “Mon Kukaleshët” dhe sekretaret e shkojnë drekojnë në lokalet luksoze periferike, duke bërë humor edhe me… 1 Majin e lënë qëllimisht në harresë. Madje tallen edhe me hallet e… punonjësve, në emër të të cilëve flasin dhe përlajnë miliarda lekë nga pronat sindikale, që shteti ua ka dhënë për t’i vënë në shërbim të punonjësve! 
Sigal