Punëtorë pa pagë – 24% e të punësuarve punojnë në familje

Afro 277 mijë shqiptarë janë punëtorë pa pagesë në familjet e tyre. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për vitin 2016 të vetëpunësuarit në familje përbënin 24% të numrit total të të punësuarve në ekonomi.

Krahasuar me vitin 2015 pesha e punësimit pa pagesë në familje ka pësuar një rënie të ndjeshme, me rreth gjashtë pikë përqindjeje ndaj numrit total të të punësuarve. Megjithatë, sërish kategoria e të punësuarve pa pagë zë një peshë mjaft të lartë në tregun e punës.

Po t’i shtojmë kësaj shifre edhe rreth 373 mijë të vetëpunësuar pa pagë në aktivitetet e tyre private, në total janë rreth 650 mijë shqiptarë ose rreth 56% e gjithë numrit të të punësuarve që hyjnë në kategorinë e ashtuquajtur “punësim i brishtë”. Ky lloj punësimi klasifikohet si i brishtë, sepse, ose nuk siguron të ardhura në rastin e të punësuarve pa pagesë në familje, ose bart më shumë rreziqe për punësimin afatgjatë, në rastin e të vetëpunësuarve.

Aktivitetet e vogla private ku individët janë të vetëpunësuar, për shkak të përmasave, kanë konkurrueshmëri më të ulët dhe japin pak siguri për punësim dhe të ardhura afatgjata.

Në këtë tregues, diferencat me ekonomitë e tjera janë mjaft të mëdha. Për shembull, në Maqedoni punësimi i brishtë përbën 23% të totalit, në Bosnje Hercegovinë 25% dhe në Serbi 29%. Në vendet më të zhvilluara kjo përqindje është, mesatarisht, në nivele edhe më të ulëta.

Pesha shumë e lartë e punësimit të brishtë në tregun shqiptar të punës mund të interpretohet kryesisht me përmasat e vogla të ekonomisë dhe me nivelin e ulët të zhvillimit cilësor të sipërmarrjes private.