Punësimi në Gjermani për Infermierët, Ministria e Arsimit: Prioritet gjuha gjermane

596
Përballë kërkesës në rritje në tregun gjerman për të punësuar infermierë apo edhe të diplomuar nga shkollat profesionale, Ministria e Arsimit ka vendosur t’i japë prioritet gjuhës gjermane në sistemin shkollor. Gjatë diplomimit të brezit të ri të infermierëve, Zëvendësministrja Nora Malaj tha se mësimi i gjermanishtes do të shtojë shanset e të diplomuarve për punësim në Gjermani.
Ministria e Arsimit do ti kushtojë më tepër hapësirë në programin shkollor gjuhës gjermane pas rritjes së kërkesës nga autoritetet gjermane për punësimin e të rinjve të diplomuar kryesisht në infermieri apo profesionet e lira. Në diplomimin e brezit të ri të infermierëve, Zv Ministrja Nora Malaj tha se gjermanishtes po i jepet më shumë prioritet.
Nora Malaj : “ Gjuha gjermane ka filluar fazën e aplikimit të saj që në shkollat parauniversitare dhe kemi disa nga shkollat në kuadër të marrëveshjes që kemi bërë jo vetëm me gjermanishten por edhe me ambasada të tjera .”

Dekani i Fakultetit të Infermierisë Petrit Bara deklaroi se gjatë këtij viti Gjermania kërkon një kontigjent prej 500 infermierësh.

Petrit Bara : “Këtë vit mund të shkojmë 500. Gjermania ka në plan për të marrë një mijë veta në vit në dijeninë time.Kërkesat janë edhe për 10 mijë.Italia ka pas kërkuar 10 – 20 mijë në vit.” Edhe të diplomuarit e shikojnë Gjermaninë si një mundësi të mirë për tu punësuar.

I diplomuari : “Normale për të pasur një jetesë më të mirë ,për të arritur sukses më shumë dhe për të pasur një familje më të shëndoshë financiarisht.”
204 infermierë shqiptarë janë përzgjedhur këtë vit për të marrë pjesë në trajnimin e ofruar nga autoritet gjermane që do tu hapë dyert drejt punësimit në Gjermani.
Sigal