Punësimi në administratë, sekserët: 3 mijë euro për militantët, 5 mijë për të tjerët

639
Sigal

Konkurset e paralajmëruar janë pothuaj fiktive. Sekserët punojnë pa pushim. Në shtator pritet “stuhi” shkarkim-emërimesh

Duket se babëzia për të fituar sa më shumë para, nuk po step askënd nga zyrtarët e drejtuesit e institucioneve në Durrës. Nuk po pyetet më asnjeri prej tyre nëse je militant i PS, nëse ke dhënë vota me shumicë, nëse ke ndjekur fushatën e 23 Qershorit, por sa paguan për të fituar apo për të gjetur një vend pune. Kështu “tenderi” është i hapur prej disa muajsh, madje i legalizuar. Pra 3 mijë euro është pagesa për çdo militant që paguan për një vend pune, dhe 5 mijë euro për të tjerët, pra për çdo të papunë blu apo rozë. Sekserët e punësimit të cilët kanë prapavijë dhe mbështetje politike nga krerët vendorë, do ti takosh në çdo kafene, derë institucioni apo edhe zyrë partie. Militantët dhe votuesit e PS në Durrës tashmë i ka mbërthyer pesimizmi dhe zhgënjimi, ata ishin dhe po mbeten të papunë, të pasistemuar dhe me probleme të shumta ekonomike e sociale. Reforma e trumbetuar me të madhe në arsim dhe shëndetësi, shumë shpejt, madje duke nisur nga shtatori, do të prekë qindra të punësuar, dhe do të “sistemojë” në vendet e tyre ata që janë “OK” me pagesat 3 dhe 5 mijë euro. Frika dhe ankthi ka mbërthyer çdo të punësuar në institucionet e shtetit të cilët janë bërë “gjahu” i sekserëve të cilët i janë sulur parave si të babëzitur. Durrësi ka aktualisht mbi 10 mijë të papunë, por shumë shpejt kjo shifër do të rritet kur sekserët të flakin nga puna arsimtarët që nuk paguajnë 5 mijë euro, apo edhe ndonjë infermiere që nuk paguan për të mbajtur vendin e punës, për të futur atje militantët të cilët e kanë të përcaktuar vlerën të paguajnë 3 mijë euro, pavarësisht kontributeve në parti. Ajo që po ngjet në Durrës, mbetet unikale në llojin e vet, pasi drejtuesit e rinj duke pasur edhe mbështetje politike dhe qeveritare kanë nxjerrë hapur sekserët në rolin e tyre. Madje ka drejtues që deklarojnë se “nuk ka prokuror dhe gjyqtar që ka këllqe të na bëjë keq”. Blerja e drejtësisë ligjore, dhe loja me sekserët për tu pasuruar brenda vitit, po traumatizon qytetarët e Durrësit, të majtë dhe të djathtë. Në lojën e sekserit janë djem dhe nipër, djem tezesh dhe dajallarësh, miq dhe shokë të ngushtë, që po monopolizojnë dhe privatizojnë gjithçka. Institucionet e Durrësit tashmë janë të mbërthyer nga klanet e korrupsionit dhe të babëziturit e parasë, duke krijuar një terren të përshtatshëm për ata që deri dje çirreshin se “gjobat dhe korrupsionit po gërryejnë shtetin”. Korrupsioni ka tashmë në Durrës skalionet e veta, të cilët po e kthejnë qytetin dhe institucionet në çifligun e tyre, dhe përpara arsyes së vetme për të fituar para, nuk ndalen duke mos kursyer “as kulaçin e as kërrbaçin” për cilindo që u del kundër.

Shitja e vendeve të punës e korrupsioni, Pushteti përçanë degët e PS-së në rrethe

Ajo që dukej si një “bashkim monolit” i PS-së para zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013, tashmë pas 1 viti qeverisje, i ngjet një guri të thërrmuar në qindra copa. Kështu janë kthyer degët e PS në rrethe, të ndarë e përçarë mes klanesh dhe kjo me arsyen e vetme për të ndarë thelat e pushtetit e fituar sa më shumë para. Vendet e punës, postet, paratë dhe sekserët, janë sot komponentët që përbëjnë normalitetin e qeverisjes socialiste. Degët e PS në rrethe prej 1 viti janë kthyer në zyra pune, zyrat e drejtuesve në zyra pritje dhe ndarje të vendeve të punës sipas preferencave ku padyshim tek kjo e fundit futet rrallë edhe si preferenca ndaj deputetit të zonës. Pra kryesia e degës është ndarë në klane ku dikush mban anën e një deputeti, dikush e shan me libër shtëpie tjetrin, dhe kjo ndodh brenda “gjirit të partisë”. Ardhja në pushtet i ka katandisur degët e PS në rrethe në celula, ku nuk kanë munguar akuzat, sharjet, denoncimet dhe përplasjet fizike kur ka ardhur momenti ndarjes së vendeve të punës. Aq të etur ishin drejtuesit e degëve të PS në rrethe për poste dhe para, sa brenda 1 viti ka prej tyre që kanë blerë makina 50 mijë euro dhe apartamente në bregdet, pa përmendur paratë që marrin nga “nderet” e tjera. Por në këtë garë të shfrenuar, ata kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë kontradikta me deputetët socialistë. Kjo pasi janë deputetët që pavarësisht kërkesave të tyre, nuk po arrijnë bashkëpunojnë me drejtuesit e degëve për punësimin e militantëve dhe votuesve të tyre. Në shumë rrethe militantët socialistë prej muajsh kanë dalë kundër drejtuesve të degëve dhe deputetëve, dhe kanë kërkuar ardhjen e të deleguarve nga kryesia qendrore e PS. Militantët ankohen për heshtjen e qëllimshme, për largimin e tyre nga vëmendja e drejtuesve të degëve të PS, duke i lënë ata pa punë, pa shpresë për ndryshim, e duke mos mbajtur asnjë premtim. Në asnjë drejtori të rretheve nuk mund të punësohen militantët e PS pa marrë bekimin nga “shefi madh”, asnjë problem i tyre nuk merr zgjidhje në rast se ata nuk lidhen me të tretët, pra nuk paguajnë. Akuzat nuk kanë munguar, duke i quajtur drejtuesit e rinj si “taksambledhësit e partisë”. Shumica e militantëve kanë pësuar zhgënjim të madh kur sekserët e rinj u ofrojnë edhe “tarifat” për çdo vend pune. Pra 500 euro një vend punëtor i thjeshtë, 1000 euro si i punësuar në zanate të rëndësishme, 1500 euro si shofer pranë institucionit, 2000 euro teknik apo inspektor terreni, 2500 euro e sipër si zyrtar i rangut të tretë. Kuptohet se kjo histori ka nisur dhe vazhdon pa pyetur për norma, ligje, denoncime, shkrime gazetash, apo edhe sms të dërguara ministrave apo edhe kryeministrit. Duket sikur gjithçka ka marrë rrokullisjen drejt greminës, ku një palë pasurohet me shpejtësi marramendëse , dhe një shumicë varfërohet më keq pa gjetur përkrahje dhe asnjë mbështetje ligjore e politike. Agallarët e rinj janë kthyer në lubi të parasë, ata kanë vendet e tyre të takimit me “strukturat” e partisë, nga ku marrin e japin letrat e punësimit. Prej disa muajsh deputetët socialistë në mjaft rrethe kanë nisur të ankohen tek Rama, pasi nuk arrijnë as të komunikojnë me telefon me drejtuesit e degëve në rrethe. Era e parasë dhe e pushtetit i ka trullosur keqas pushtetarët e rinj, të cilët muajt e fundit janë kthyer edhe në “padronë” të tenderave në institucionet e shtetit. Asnjë tender nuk zhvillohet në rast se nuk pyetet drejtuesi i partisë, zëvendësi i tij, klani i tij, madje kur nuk parapëlqehet firma ofertuese, tenderi shtyhet pa limit. Shpesh drejtuesit e rinj të ndërmarrjeve janë kthyer në kukulla dhe drejtohen nga shefi lokal i partisë. Aq e vërtetë është kjo sa edhe për tenderin e lapsave dhe bojës së printerit, do të pyetet shefi partisë për firmën dhe çmimin e blerjes. Këto skandale janë kthyer në normalitete të ditës, aq sa edhe militantët socialistë pasi janë lodhur duke denoncuar dhe kërkuar ndërhyrjen e qendrës po shprehen se, “ këta qenkan më keq se ata që ikën”. Kjo padyshim do të ketë për PS-në kosto elektorale në zgjedhjet e afërta lokale, pasi shumica e militantëve tashmë e kanë humbur besimin dhe kanë vendosur t’i ndëshkojnë me votë mashtruesit e 23 qershorit.

Artur AJAZI