Puna 60-vjeçare në sektorin energjetik

711
Sefer Kola,
(veteran i HC, Ulëz)

47-vjetori i elektrifikimit të vendit
Pas ndërtimit të vendit dhe vënies në shfrytëzim të mjaft objekteve energjetike për prodhimin e energjisë elektrike, doli problem i përdorimit të gjerë të saj në jetën e gjithë popullit, duke e shtrirë atë dhe në fshat, duke synuar ngushtimin e dallimeve të tij me qytetin, lehtësimin e punës së rëndë të krahut, përdorimin e gjerë të pajisjeve të ndryshme elektrike, për përhapjen e informacionit, të kulturës etj.

Në të kaluarën gjendja ishte mjaft e prapambetur. Për futjen e energjisë elektrike në fshat as që bëhej fjalë. Kishte shumë shtëpi pa elektrifikuar. Instalimet ishin të shtrenjta. Në vitet 1960 ishin krijuar kushte për të ndërmarrë aksionin për elektrifikimin e plotë të vendit, në një kohë që deri në dhjetor të vitit 1967, kur u vendos për elektrifikimin e plotë të fshatit, ishin elektrifikuar vetëm rreth 30% e 2546 fshatrave gjithsej që kishte vendi atëherë. Faktorët kryesorë që bënë të mundur këtë aksion ishin:

1. Kuadrot specialistë, të aftë për të kryer vetë me forcat tona këtë aksion të madh, si për studimin, projektimin dhe ndërtimin e objekteve të ndryshme.
2. Në vend në këtë periudhë ishin ndërtuar fabrika e punishte për të prodhuar mjetet dhe pajisjet e nevojshme për elektrifikim, si tela elektrikë prej bakri, kabllo elektrikë të tensionit të lartë e të ulët, portollamba, siguresa, kutia shpërndarëse, çelësa elektrikë etj.
3. Shteti kishte mundësi të investonte nga fondet e tij, sepse duheshin 333.6 milion lekë dhe 2.3 milion rubla importi, të gjitha për t’u kryer nga fondet e investimeve të shtetit.
Këto faktorë bënë të mundur që plani i elektrifikimit të plotë të vendit, i paracaktuar për të mbaruar në vitin 1986, të avancohet 15 vjet më parë për në fund të vitit 1971. Gjatë kësaj periudhe 1968-1971 do të duheshin të elektrifikoheshin 70% e fshatrave, ose 1760 prej tyre, ato në kushte më të vështira malore dhe larg qendrave të mëdha të banuara. Në vitin 1968 u elektrifikuan 343 fshatra, më 1969 gjithsej 753 fshatra, ndërsa më 1970 elektrifikimi u krye në 664 fshatrat e fundit, duke bërë të mundur përfundimin një vit para afatit të parashikuar. Kështu, 25 tetori i vitit 1970 u caktua dita e dritës, kur u elektrifikua dhe fshati i fundit në vend. Në këtë mënyrë vendi ynë, dikur më i prapambeturi, u radhit ndër vendet e pakta me fshatra plotësisht të elektrifikuar. Në atë kohë në Greqi ishin elektrifikuar vetëm 30% e fshatrave greke. Ky aksion kombëtar u realizua me ndihmën jo vetëm të gjithë specialistëve elektrikë, por dhe shumë punonjësve nga fshati e qyteti. Kjo ndihmë bëri të mundur të transportoheshin mbi 300 mijë shtylla betoni dhe druri, të hapeshin rreth 400 mijë gropa. U ndihmuan e u vunë në shfrytëzim rreth 28414 km linjë e tensionit të lartë e të ulët, u ndërtuan mbi 4952 kabina transformacioni dhe konsumi të energjisë elektrike në fshat. Gjithashtu u rrit mbi 63 milionë kilovat/orë më shumë nga se harxhohej para elektrifikimit të plotë. Peshën kryesore në elektrifikimin e vendit e mbajtën hidrocentralet e Ulzës dhe Shkopetit, të ndërtuara mbi lumin Mat. Nëse dikush gjykon se ky rrjet elektrik i ndërtuar më shumë se 47 vjet më parë, pa asnjë investim e ristrukturim, nuk i përgjigjet dot plotësimit të kërkesave të sotme. Qeveria, duke parë gjendjen e rënduar të sistemit energjetik, që nuk i përgjigjet kërkesave të kohës për investime, i propozoi Parlamentit që të miratohet reforma në energjetikë, me qëllim që t’i hapet rruga elektrifikimit të dytë të Shqipërisë. Kështu, filluan investimet në energjetikë në gjithë vendin me parametrat kohorë. Si qytetar, si prind dhe specialist, kam punuar për 47 vjet pa ndërprerje në sektorin e rëndësishëm të energjetikës së Shqipërisë, në ndërtim në hidrocentralin e Fierzës dhe në shfrytëzim në hidrocentralin e Ulzës. Në këtë sektor 60-vjeçar punohet natë-ditë që populli të furnizohet me energji elektrike pa ndërprerje.
Sigal