Publiku dhe strukturat ndërkombëtare, mosbesuese ndaj organeve të drejtësisë

527
Sigal

Komiteti Shqiptar i Helsinkit shprehet mbi raportin e komisionerit për të drejtat e njeriut në KE

Humbjen e besimit të publikut ndaj organeve të drejtësisë detyrohemi ta evidentojmë përsëri, ndonëse me keqardhje, sepse nuk na lejohet as ta anashkalojmë dhe as ta nënvlerësojmë atë. Raporti i publikuar para disa ditëve i komisionerit për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës (KE-së), është jo vetëm konkret, sepse është fakt-mbledhës, por edhe shqetësues. Në të, qysh në fillim theksohet se: “Korrupsioni dhe ndërhyrjet e politikës e pengojnë dhe e dëmtojnë efektivitetin e sistemit gjyqësor në Shqipëri”.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) vlerëson dhe mbështet konstatimet, konkluzionet dhe rekomandimet që paraqiten në këtë raport. Por në të njëjtën kohë, KSHH, si një organizatë që ka patur dhe vazhdon të ketë si mision të vet kryesor mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, reflekton mbi çështjet që trajtohen në raport nga Komisioneri i Këshillit të Europës, rivlerëson në mënyrë kritike atë që ka bërë dhe atë që duhet të bëjmë në të ardhmen, me synim dhënien e një kontributi më të madh, në këtë fushë. KSHH është i ndërgjegjshëm se korrupsioni nuk është i përqendruar vetëm në organet e drejtësisë, por shkalla e nivelit të tij në këto organe është e tillë sa që ka minuar besimin e publikut te drejtësia dhe shteti ligjor. Pa një sistem drejtësie të pavarur, nuk mund të pretendohet për shtet të së drejtës në shërbim të shtetasve. Për KSHH-në, ndryshimi në legjislacionin që vepron në këtë fushë, siç rekomandohet edhe në raportin e Komisionerit të KE-së, janë të nevojshme, megjithatë përpjekjet për ndryshim që vijnë nga brenda sistemit, mendojmë se janë përcaktuese.

KSHH mbështet konkluzionin e në raportit të sipërshënuar, se hetimi i ngjarjes tragjike të 21 janarit 2011, ku humbën jetën katër persona të pafajshëm, ka qenë i njëanshëm dhe i cunguar. Megjithëse, mbetemi në pritje të arsyetimit e bazueshmërinë ligjore të rekursit që është ushtruar ndaj vendimit përkatës dhe që Gjykata e Lartë  të shprehet lidhur me të. Në atë raport tërhiqet vëmendja se lidhur me këtë çështje asnjë zyrtar i lartë nuk është vënë para përgjegjësisë ligjore, megjithëse, përpjekjet për të penguar hetimin, zbehjen dhe zhdukjen e provave kanë qenë evidente dhe të vazhdueshme. KSHH vlerëson të drejtë dhe të bazuar edhe shqetësimin e shprehur në raportin e Komisionerit të KE lidhur me dhunën e ushtruar ndaj protestuesve në tubimin e 21 janarit. Në komisariatet e policisë u shoqëruan dhe u ndaluan madje, edhe shtetas që nuk kishin qenë fare në këtë tubim. Qysh atëherë KSHH-ja reagoi publikisht, por në atë kohë nuk u krijuan mundësitë për të marrë kontakte direkte me të gjithë të ndaluarit, madje, për këtë masë të kufizimit të lirisë së këtyre shtetasve nuk u vunë në dijeni as familjet e të ndaluarve. Për dhunën e ushtruar ndaj të ndaluarve nuk u zhvillua asnjë hetim dhe si pasojë askush nuk u vu para përgjegjësisë penale. Tërheq vëmendjen fakti se në raportin e Komisionerit të KE-së veprimet arbitrare të kryera në komisariatet e policisë, kishin gjerësisht edhe elemente të torturës, ose të trajtimeve çnjerëzore. Meqë çështja është në hetim, nuk na lejohet të paragjykojmë, e megjithëkëtë është e drejta jonë të sugjerojmë për hetime të shpejta, të plota, objektive dhe të gjithanshme. Nëse do të rezultojnë persona fajtorë ata duhet të ndëshkohen në përputhje me ligjin. Pandëshkueshmëria i kundërvihet parimit kushtetues të barazisë së shtetasve para ligjit. Nuk është e re dhe e panjohur, ajo që përmendet në raportin e Komisionerit të KE-së, se në procese gjyqësore ka zvarritje të shumta dhe të theksuara. Ky është konstatim që ka rezultuar edhe në monitorimet e ushtruara nga ana e këtij komiteti. Mjaft séance gjyqësore shtyhen në mënyrë të pamotivuar. Kërkesa e llogarisë në këtë drejtim ka munguar, ose ajo ka qenë me hope dhe formale. Ka pasur dhe ka mjaft vendime gjyqësore, ekzekutimi i të cilave zvarritet , gjë që ka krijuar pakënaqësi të shumta. Ka gjithashtu edhe vendime të Gjykatës së Strasburgut që zbatohen me vonesë, ose që ende nuk janë zbatuar. Në përfundim, KSHH mendon se veprimtaria e gjykatave, prokurorisë , policisë gjyqësore dhe agjencive të zbatimit të ligjit edhe pse të ndryshme në funksione dhe kompetenca, janë hallka të një zinxhiri. Kjo e bën të nevojshme bashkëpunimin e tyre në përputhje me ligjin. Në këtë drejtim akuzat e ndërsjella nuk i shërbejnë objektivit madhor, mbrojtjes së lirive të të drejtave të shtetasve, luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, zbulimit, hetimit dhe gjykimit të shpejtë, e cilësor, si dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës.