Publikohet raporti i INSTAT, ja sëmundjet që po ‘vrasin’ shqiptarët

564
INSTAT ka publikuar shifrat e vdekshmërisë për vitin 2016 në Shqipëri dhe shkaqet kryesore të tyre. 15.8 për qind e totalit janë vdekje nga tumoret, që kanë pësuar një rritje prej 2.1 për qind krahasuar me vitin 2015.
Sëmundjet ishemike të zemrës dhe neoplazmat (tumoret) ishin përgjegjësit kryesorë për vdekjet në Shqipëri vitin e kaluar.
INSTAT publikoi sot se, numri i vdekjeve në 2016 në Shqipëri është 21.388, duke rezultuar me një normë vdekshmërie prej 74,3 për 10.000 banorë.
Në numrin e vdekjeve gjatë vitit 2016, femrat zënë 47,2% dhe meshkujt 52,8%. Krahasuar me vitin 2015, numri i vdekjeve ka rënë me 4,6 %.
Vdekjet natyrale zënë 87,4% të totalit në vitin 2016, pasuar nga vdekjet e shkaktuara nga aksidentet me 2,1% dhe ato nga vetëvrasjet 1,1%. Koeficienti i vdekshmërisë amtare në 2016 ka rënë në 3,2 për 100.000 lindje të gjalla nga 9,0 që ishte në 2015.
Në vitin 2016, rreth 52,0% e vdekjeve janë shkaktuar nga “sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut”, të cilat për këtë periudhë janë ulur me 4,2%, në krahasim me 2015.
Ndër shkaqet e tjera që zënë peshë të rëndësishme në numrin e vdekjeve janë “tumoret” me 15,8% të totalit. Në vitin 2016, vdekjet e shkaktuara nga tumoret janë rritur me 2, %, krahasuar me një vit më parë, ku nëngrupi i sëmundjeve “tumor në mushkëri” përbën 20,4%.
Në vitin 2016, grupmosha 50 vjeç e lart zë 92,5% të vdekjeve dhe grupmosha 85 vjeç e lart zë 25%. Numrin më të lartë të vdekjeve në grupmoshën 85 vjeç e lart e zënë femrat me 63,8%.
Në vitin 2016, janë regjistruar 277 vdekje nën 1 vjeç, që përbëjnë 1,3%, të totalit. Krahasuar me 2015, numri i vdekjeve të fëmijëve nën 1 vjeç është rritur me 18,9%.
Në 2016, për grupmoshën 70-74 vjeç ka rënie të numrit të vdekjeve me 15,7%, krahasuar me 2015.
Duke analizuar vdekshmërinë sipas qarqeve, norma më e lartë regjistrohet në Gjirokastër me rreth 121 vdekje për 10.000 banorë. Numri më i lartë i vdekjeve në këtë qytet vjen prej faktit se ka popullsinë më të plakur në Shqipëri. Nga ana tjetër, vlera më e ulët regjistrohet në Qarkun e Tiranës me rreth 60 vdekje për 10.000 banorë.
Sigal