Psikologjia e fëmijës në klasën e parë

Xhulia MARASHI Psikologe

Qindra fëmijë në mbarë vendin tonë po kthehen në shkollë, të shumtë janë edhe ata vogëlushë që për herë të parë po ulen në bankat e shkollës, të gatshëm të “marrin” çelësat e botës në dorë. Për ata që fillojnë klasën e parë, gjërat sapo kanë filluar të bëhen “serioze”. Klasa e parë sjell në jetën e tyre kërkesa të reja: do të qëndrojnë mbi libra akoma më shumë, vëmendja do të duhet të jetë më e madhe, do të ndjekin më shumë rregulla, e kështu me radhë. Kjo nuk duket të tingëllojë aspak si argëtim për një fëmijë 6-vjeçar, por nuk është aspak gjë e keqe. Nga studime të shumta të realizuara për të kuptuar, se si ndikon klasa e parë tek fëmijët është vënë re, se mes moshës 5-7 vjeç, fëmijët tregojnë përmirësime të dukshme në aftësinë e tyre për të kontrolluar përqendrimin, vëmendjen dhe sjelljen e tyre. Kjo është një pjesë e nevojshme e zhvillimit të funksionimit ekzekutiv për të zotëruar leximin, shkrimin dhe aritmetikën. Këto aftësi të funksionimit ekzekutiv, përveçse zhvillohen natyrshëm me moshën, i atribuohen edhe “klasës së parë”: - shkolla merr një grimë të mirë të meritave – e cila ndihmon në formimin e proceseve të trurit që u lejojnë fëmijëve të kushtojnë vëmendje dhe të përqendrohen. 

Por çfarë përjetojnë këta fëmijë? 
Nxënësit e klasave të para, pothuajse gjithmonë, shkojnë në shkollë të mbushur me entuziazëm dhe dëshirë për të mësuar, për jetën, për të pasur sa më shumë miq... Mosha e tyre është një etapë e shënuar e fëmijërisë, zakonisht e shoqëruar nga rritja e jashtëzakonshme, dhëmbët e parë të humbur, përjetimi i emocioneve të mëdha dhe, më rrallë, i disa ndjenjave jo fort të këndshme për ta. Nxënësit e klasës së parë bëjnë plane të mëdha, hidhen në projekte ‘me të dyja këmbët’, punojnë me një ritëm shkatarraq dhe nuk duan të humbasin asnjë gjë. Entuziazmi i këtyre nxënësve për shkollën dhe jetën mund të jetë rraskapitës, por infektues në të njëjtën kohë dhe mësimi i tyre është një eksperiencë emocionuese dhe e lumtur (megjithëse do të keni nevojë për shumë energji!). Por nganjëherë entuziazmi i “klasës së parë” dhe kënaqësia mund t'i bëjë këta fëmijë të kafshojnë më shumë se sa të mund të përtypen. Shpesh kanë shpresa joreale, të cilat, kur nuk përmbushen, mund t'i shtypin me zhgënjim. Disa të tjerë, të lodhur nga përpjekjet e pafundme, bien në lodhjen e shpejtësisë me të cilën rendin të bëjnë gjërat e tyre. Jean Piaget, psikologu që merrej me formimin e teorisë së zhvillimit konjitiv në fund të viteve 1920, krijoi një listë të kufizimeve mendore për secilën moshë. Ja çfarë tha ai se fëmijët e klasave të para ishin të aftë të kuptonin:

• Në klasën e parë, fëmijët mund të kuptojnë simbolet. Por, gjithsesi, ata ende mësojnë nga prova konkrete, të tilla si kryerja e mbledhjes duke numëruar gishtërinjtë. 

• Pjesën më të madhe të kohës, prindi e mësuesi do të mund ta kuptojnë logjikën e fëmijës, por logjika e tyre do të lidhë gjëra të palidhura e do t’i shpjerë direkt në përfundime. 
• “Të menduarit së prapthi” ende mund të jetë një tjetër problem. Kjo do të thotë se do të jetë ende e vështirë për fëmijën të shkojë prapa në çdo hap e për të analizuar një përfundim. Fat të mirë do të kenë ata, që pas shumë përpjekjeve, do të mund të bindin një fëmijë të kësaj moshe se ajo ç’ka ata besojnë është e pasaktë. Edhe nëse nxirrni prova para tyre, me siguri do ta keni të vështirë t’ju besojnë në të shumtën e kohës. 

Por çfarë lipset që këta fëmijë, më kaq shumë entuziazëm për shkollën, disa vite më vonë të mos përfundojnë si ¾ e adoleshentëve që në shkollë shkojnë, se prindërit iu blejnë kohën e qëndrimit aty? Hallka më e rëndësishme në këtë proces mbeten mësuesit. Njohja e nxënësve që mësojmë është thelbësore për të qenë një mësues i kujdesshëm dhe efektiv. Edhe pse më e rëndësishmja është të njohësh të gjithë fëmijët si individë - pëlqimet dhe mospëlqimet e tyre, fushat e forcës, strategjitë e mësimdhënies dhe mësimnxënies që duket se punojnë më së miri për ta – pritshmëritë reale... Kjo do të thotë që mësuesit detyrimisht duhet të dinë disa nga karakteristikat e përbashkëta të nxënësve të klasës së parë – brezi i fëmijëve të sotëm duket të jetë tepër konkurrues, i mirë përshtatur me teknologjinë, i shpejtë në ritëm, por, gjithsesi, të gjithë mbeten fëmijë dhe fëmijët për nga vetë natyra janë tepër të ndjeshëm ndaj sjelljeve të të tjerëve, emocioneve, kritikave. Për këtë, ndaj është gjithmonë e domosdoshme që nxënësit e klasave të para të kenë gjithmonë mundësitë të shprehin ndjenjat e emocionet e tyre, të kenë mundësinë të shprehin dijet siç i mendojnë dhe të veprojnë sipas mënyrës së tyre. T’i lësh të lirë të shprehen është mënyra më e mirë për të ndihmuar në suksesin e tyre.