Pse mandati i Llallës nuk mund të mbyllet më 7 dhjetor

634
Juristi i njohur, Çlirim Gjata, analizon ngërçin juridik me prokurorin e Përgjithshëm: Vetëm KLP deklaron përfundimin e detyrës
Mandati i Adriatik Llallës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme nuk mund të përfundojë më 7 dhjetor. Mungesa e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe lëmshi i krijuar me kandidaturat e shoqërisë civile për këtë institucion, e bëjnë të pamundur, në bazë të Kushtetutës, që mandati i Llallës të përfundojë. I ftuar në emisionin “Studio e Hapur”, juristi Çlirim Gjata pohoi se nuk mund të flitet kurrsesi që mandati i Llallës mbaron, nëse ky vendim nuk merret nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Mes të tjerash ai tregoi rrugën që duhet të ndiqet për të zgjedhur kryeprokurorin e ri, ndërsa shtoi se gjithçka përcaktohet në Kushtetutë. “Nëse do të ulemi të numërojmë mandatin e Llallës, data 7 (dhjetor) është afati i fundit. Mandati është element kushtetues. Këtu problemi hyn në pjesën përbërëse të drejtësisë. Jo më kot janë bërë këto procedura”, u shpreh Gjata. Sipas tij, “problemi është që nuk mundet që mediat, qytetari, prokuroria vetë, organet e drejtësisë, dhe as Parlamenti dhe kryeministri e Presidenti, të thonë se kryeprokurorit i ka mbaruar mandati”. “Kushtetua jep procedurat kushtetuese. Politika nuk duhet të ndikojë tek mandati. Mandati i mbaron në mënyrë kushtetuese kur ta deklarojë Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Sikur KLP-ja mos ta deklarojë kurrë? Kjo duhet zbatuar e zezë mbi të bardhë”, nënvizoi Gjata, duke theksuar se mandati i Llallës nuk ndërpritet për arsye të emergjente, por ai vjen natyrshëm në fund të periudhës 5-vjeçare. Një procedurë e ngjashme ndodh edhe me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, përfundimi i mandatit të të cilëve deklarohet nga vetë gjykata. 

Ndërkohë juristi Gjata sqaroi se dispozitat kalimtare të Kushtetutës i referohen një prokurori të përkohshëm. “Momenti i dytë është mbi dispozitën kalimtare që ka të bëjë me kryeprokurorin me mandat të përkohshëm. Emërimi i prokurorit kalon në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. KLP deklaron mbarimin e mandatit, bën 3 kandidatura dhe Parlamenti zgjedh një. I pari në listë zgjidhet prokuror”, tha Gjata. Ai sqaroi edhe momentin kur mbaron para kohe mandati i prokurorit. “Kur jep dorëheqje, apo larg qoftë….Kur t’i mbaronte para kohe dhe s’do të kishte KLP, do të ndërhynte Kuvendi. Ne jemi në përfundim të mandatit të tij. Mandati i mbaron kur deklarohet vendimi i KLP-së”, tha Gjata. Ai shtoi se nuk ka asnjë vend të Evropës demokratike që të ketë këtë strukturë të sistemit të drejtësisë, siç është shkruar në Kushtetutën e Shqipërisë, ku përfshihen Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe komisionet e vetingut. 

Shoqëria civile
Ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë është bllokuar prej disa muajsh për shkak të mungesës së kandidaturave nga shoqëria civile. Në fakt, këtu nis edhe absurdi i ndryshimeve kushtetuese. Shoqëria civile detyrohet ligjërisht të përfshihet në një proces të caktuar, ndërsa nuk përcaktohet saktë se çfarë do të quhet shoqëri civile, në kuadër të procesit të zgjedhjes së anëtarëve të KLP-së. Sipas juristit Çlirim Gjata, është e paqartë çfarë është shoqëria civile dhe cilat organizata të saj do të bëhen pjesë e procesit dhe cilat jo. Pjesë e shoqërisë civile sot konsiderohen edhe shumë organizata profesionale, grupime të fushave të ndryshme dhe qindra organizata joqeveritare, por nuk ka asnjë përcaktim se cila prej tyre do të jetë pjesë e zgjedhjes së KLP-së. Nga ana tjetër, shoqëria civile e ka përmbushur detyrimin e saj për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, duke lënë në mënyrë të habitshme pa dërguar përfaqësuesit e saj për KLP-në. Pikërisht këtu ka dalë në dritë edhe angazhimi i përfaqësuesve të fondacionit “Soros”, të cilët kanë drejtuar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve nga shoqëria civile për KLP-në. Në mënyrë të përsëritur procesi ka dështuar pranë Avokatit të Popullit dhe në disa raunde nuk është bërë e mundur të përzgjidhen kandidatët për në KLP-në. Një situatë që duket se është shtyrë në mënyrë të qëllimshme për t’i hapur rrugë shumicës së sotme parlamentare të caktojë një prokuror me shumicë të thjeshtë prej ditëve të para të dhjetorit. Në këtë lëvizje janë angazhuar edhe misionet e asistencës juridike, që i kanë sugjeruar Kuvendit se mund të zgjedhë një kryeprokuror të përkohshëm me shumicë të thjeshtë. Ndonëse Kushtetuta përcakton zgjedhjen e prokurorit të Përgjithshëm me 3/5 e votave në Kuvend (84 deputetë), sipas sugjerimit ndërkombëtar, prokurori i përkohshëm mund të marrë detyrën edhe me miratimin e vetëm 36 deputetëve. 
Kandidatët e mundshëm
Debati për mbarimin e mandatit të prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka nxitur edhe lakimin e emrave të ndryshëm që mund të drejtojnë organin e akuzës. Disa prej emrave të përmendur nga burime politike dhe mediatike janë Ferdinand Elezi, Dritan Rreshka, Anila Leka, Henrik Ligori dhe Arben Dollapi. Gjithashtu, Adnan Kosova dhe Thoma Jano janë prokurorët më të vjetër dhe kandidatë më të mundshëm për kryeprokuror.
Kushtetuta
Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm mbaron kur:
a) mbush moshën e pensionit;
b) përfundon mandatin 7-vjeçar;
c) jep dorëheqjen;
ç) shkarkohet sipas nenit 149/c të Kushtetutës,
d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;
dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.
2. Mbarimi i mandatit deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Sigal