Pse heshtet, kur të vërtetën e dinë gjithë shqiptarët?

791
Sot ne shqiptarëve na duket se nuk do t’ia arrijmë një dite, kur hajdutët t’i ndëshkojmë. Sepse vazhdojmë të mbetemi nën thundrën e tyre. Sepse ata, mbrojnë me fanatizëm njëri tjetrin. Aq sa tashmë janë bërë të pandëshkueshëm. Një realitet i dhimbshëm që e shohim anekënd këtij vendi të vogël me plot pasuri, por më i varfëri në kontinentin plak. Varfëria i ka ulur në gjunjë shqiptarët. Sa nuk dinë ta çelin gojën, edhe pse të gjithë e dinë se kush e në ç’mënyrë po varfërohen nga dita në ditë. Të gjithë heshtin, edhe pse plaçkaxhinjve drejtësia nuk u prek as majën e thoit. Vjedhjet me miliona lekë ndodhin anekënd këtij vendi. Bile edhe aty ku varfëria është e plotfuqishme. Si është Kukësi, zona me e varfër e këtij vendi që është i “pushtuar” nga një varfëri thuajse ekstreme. Vetëm pak ditë më parë një emision investigativ evidentoi plaçkitjen e rreth 280 milionë lekëve në këtë bashki të nënshtruar nga varfëria. Në këtë bashki, ku njerëzit ngrihen nga gjumi dhe sa dalin jashtë banesës, njëri tjetrit në vend të ‘Mirë mëngjesit’ i thonë me plot hidhërim: “Ah, sikur t’ia gjejmë anën e të largohemi nga ky vend e të mundim, të shpëtojmë fëmijët! Sepse ne tashmë e dimë… ky vend nuk bëhet!”. Heshtet nga të gjithë strukturat shtetërore ndaj një denoncimi të kryer nga drejtori i auditit në bashkinë e Kukësit Dylber Bakalli në emisionin investigativ televiziv “Stop”. “Unë kam kryer vetëm detyrën ndaj shqiptarëve. U takon strukturave shtetërore ta zbardhin gjithë çfarë ka ndodhur dhe të ndëshkojnë maskarenjtë. Unë tashmë vetëm po hesht, ndërsa duhet të tjerët ta çelin sadopak gojën. T’u dalin për zot shqiptarëve të shkretë”,- thotë Dylberi i çuditur me heshtjen që po mbahet ndaj malit të denoncimeve të tij, ku vjedhja nga bashkia kap shifrën e frikshme të mbi 280 milionë lekëve. E vërteta është se në dy raporte auditimi tregohet për më shumë se 100 raste abuzimi. Kulmi i plaçkitjes qesharake, që i ka çuditur gjithë shqiptarët, kur e kanë marrë vesh është blerja e rreth 200 kontejnerëve të mbeturinave të dhuruara nga agjencia turke “Tika” me vlerën e 350 mijë eurove. Por në mënyrën më të çuditshme bashkia e Kukësit zhvilloi edhe një tender dhe dhuratën e miqve e bleu me afro 6 milionë lekë. Ky veprim është skajshmërisht i paturpshëm, pasi bashkia në vend të falënderonte dhuruesin, kontejnerët i vuri në tender për t’i blerë me paratë e taksapaguesve. Një skandal tjetër është tenderi i zhvilluar vitin e kaluar për rikonstruksionin e një aksi rrugor në hyrje të qytetit të Kukësit në prag të zgjedhjeve të vitit të kaluar. Bashkia tenderoi rrugën prej afro 1,5 kilometrash të unazës veriore, kur pjesa më e madhe e këtij aksi sapo ishte rikonstruktuar. Në gjendje te keqe ishin vetëm afro 300 metra, te tregu i lirë i qytetit. Vetëm për kaq metra fondi i akorduar arriti në 97 milionë lekë. Tashmë edhe këto 300 metra janë rikonstruktuar, por askush nuk e di, sa ishte në të vërtetë. Pasi në shumicën e rrugës së “rikonstruktuar” vetëm pak kohë më parë nuk u hodh asnjë lopatë dhe. Edhe pse nëpër letra është shënuar fondi prej 97 milionë lekëve. Organet e drejtësisë paturpësisht vazhdojnë të heshtin për çfarë po ndodh në bashkinë e Kukësit. Edhe kur u bë një përpjekje e tyre për sqarim, doli se ishte vetëm një belbëzim që askush nuk e kuptoi. Pak kohë më parë u arrestua ish-kryetari i bashkisë, 3 zyrtarë të tjerë të bashkisë që së bashki kishin ngritur një skemë mashtruese duke duke u regjistruar si aksionerë të klubit të futbollit. Në formën e sponsorizimit ata arritën të merrnin nga buxheti i bashkisë 45 milionë lekë duke mos paguar kontributet shoqërore dhe shëndetësore për pjesën më të madhe të punonjësve në varësi të bashkisë. Këto raste janë vetëm pak nga mali i plaçkitjes që ka ndodhur në bashkinë më të varfër të vendit, në atë të Kukësit. Ku rreth 70 për qind e familjeve jetojnë me ndihmë ekonomike. Ku rreth 60 për qind e të rinjve të moshës 15 – 34 vjeç vazhdojnë të jenë të papunë. Ndaj këtij realiteti nuk duhet heshtur, por duhet klithur. Duhet klithur që ndokush të dëgjojë e të nisë punën për zbardhjen e së vërtetës, që tanimë e dinë të gjithë me kuç e me maç. Natyrisht një kontroll i imtë për çfarë ka ndodhur dhe po ndodh në këtë bashki është i domosdoshëm të kryhet sa më shpejt të jetë e mundur. Kryesorja të mos heshtet si deri tani. Pasi tashmë i gjithë komuniteti e di të vërtetën. Të vërtetën bëjnë sikur nuk e dinë vetëm pushtetarët tanë, të vjetër e të rinj. Sepse ata janë mësuar të mbrojnë njëri tjetrin. Në këtë mënyrë, tashmë kuksianët në vend të “mirëmëngjesi” kur takohen i thonë njëri tjetrit: “Sikur të mund të largohemi prej këtej! Të largohemi, sepse ky vend nuk bëhet. Këtë e dimë të gjithë. Ndaj duhet të shpëtojmë të paktën fëmijët tanë. Rrugë tjetër shpëtimi nuk kemi. Sepse edhe Dylberi që u bë trim dhe foli, menjëherë e larguan nga puna.” Të tjerët vazhdojnë të heshtin. Heshtin dhe mbushin pa u ndalur xhepat e tyre. Askush nuk do t’ia dijë, pse ende heshtja vazhdon. Aq sa e vërteta duket e zhytur 100 pashë nën dhe. Ndërsa politikanët vazhdojnë të broçkollisin se kush e ka nën tuzak Drejtësinë. Kur ajo vazhdon t’u shërbejë të dyja palëve. Vetëm shqiptarëve nuk di t’u shërbejë e t’i mbrojë nga plaçkitësit e pangopur. Ndaj vazhdon të heshtë edhe kur të vërtetën e dinë gjithë shqiptarët. 

Ilirian Demiri
Sigal