Pse hesht opozita?!

639
Prof. Artan Fuga

Mirë ekzekutivi, po opozita, Partia Demokratike si nuk thotë një fjalë për atë që po ndodh në Akademinë e Shkencave, për zgjedhjet pa platformë dhe pa kandidatë alternativë, lëre për të tjerat?! Mos pyet të flasë për kërkimin shkencor, gjendjen e arteve dhe të kulturës. Të pyesë sesa muze dhe qendra arkeologjike etj, u vizituan nga turistët e huaj këtë vit. Sa për qind e tyre veç detit dhe diellit që na i ka falur Zoti, paguan edhe për të konsumuar rrjetin tonë të kulturës kombëtare? Ose nuk di dhe ka të drejtë që nuk flet! Ose di, por nuk do të flasë. Përse nuk do? Ose as nuk di dhe as nuk do! Ose di, do, por nuk e quan si punë e saj të merret me gjëra të tjera sepse arsimi, shkenca, arti, mediet janë të tepërta për këtë popull! Ose nuk flet sepse “fle”, është me pushime! Ose ende vazhdon lexon raportin e ministrave teknikë për zgjedhjet e 25 qershorit 1444 dhe nënvizon pikat më të rëndësishme të tij. Ose është edhe heshtja pjesë e Paktit!

Mos pyet të flasë për debatin nëse u mbulua ose jo monumenti i Skënderbeut ose mozaiku i Muzeut Kombëtar gjatë Kurbanit të fundit dhe sesi e menaxhon Bashkia hapësirën urbane çka gati shkaktoi Natën e Shën Bartolemeut në mediet tona!! Lëre të thotë një fjalë për Qendrën e Studimeve Albanologjike që krejt në shkelje të ligjit ndryshon statusin e vet gjatë verës me nismën e ministres teknike të arsimit dhe sipas qejfit! Habi e madhe, habi!

Asnjë fjalë për politikat ballkanike ose evropiane me rastin e Mbledhjes të kryeministrave ballkanikë jashtë-evropianë në Durrës! Nëse nuk ka kritika, pa problem, por le të përkrahi politikat qeveritare sepse edhe kjo është opozitë! Opozitë konstruktive! Qytetari nuk di më se çfarë mendon dhe çfarë pozicioni ka opozita për gjithçka ndodh në vend! Unë përsëri e përsëris: A e di opozita që paguhet nga taksat tona si qytetarë, jemi apo nuk jemi simpatizantë të saj, për të qenë opozitë dhe opozitë nuk do të thotë thjesht të ngresh e ulësh kartonët në sallën e Kuvendit, që në atë minorancë ku ndodhet nuk ka pikë vlere pragmatike, dhe të vazhdosh jetën tënde të qetë pa ngarkesa stresuese?
Sigal