Pse dhe kush e persekuton Artistin e Merituar Limoz Dizdari?!

364

Nga Agron MEMA

Ndonëse Artist i Merituar dhe një nga ikonat e artit muzikor dhe kulturës shqiptare, nuk i kish shkuar kurrë në mendje se do të persekutohej nga një pushtet i pa përgjegjshëm dhe mosmirënjohës ndaj personaliteteve të shquara të artit dhe të kulturës sonë, madje që të përballej jo vetëm me mbyllje dyersh, por edhe me mbyllje telefonash nga pushtetarët e sotshëm. Kohët e fundit Artisti i Merituar Limoz Dizdari ndodhet nën një shantazh dhe persekutim të pashembullt, si nga organet e drejtësisë, ashtu edhe nga ato të pushtetit lokal, që në këtë rast është bashkia e Sarandës. Bëhet fjalë për Qendrën e Artit “DEA” të Ksamilit, e cila vitet e fundit, nën drejtimin e artistëve Limoz e Adriana Dizdari i kanë dhënë, jo vetëm një rilindje, por edhe një shtytje e zhvillim të paparë artit dhe lëvizjes artistike në jug të Shqipërisë. Me dhjetëra koncerte, konkurse, ekspozita, takime letrare-historike-kulturore janë zhvilluar në mjediset e e kësaj Qendre Arti model si atij tradicional, ashtu edhe atij të kultivuar e bashkëkohor. Por papritmas këtë zgjim të vrullshëm dikush përpiqet ta vërë në gjumë, ta shkatërrojë gjithë këtë mund e djersë të arritur.

Objekti ka pësuar një rikonstruksion të plotë në të gjitha mjediset e saj të jashtme e të brendshme, investime që kapin shifrën e 700000 $. Por papritmas një pretendim pronësie varros gjithçka të arritur dhe pala pretenduese i ka humbur të gjitha gjyqet para 20 viteve dhe është shpallur kërkesë dhe pretendim me dokumente të falsifikuara. Por pas 20 vitesh pala pretenduese si pronare pas një procesi gjyqësor ilegal, ka fituar të drejtën e pronësisë mbi këtë objekt, paçka se gjykata më parë e ka cilësuar dokumentacionin të falsifikuar. Dhe çudia më e madhe është se, në një kohë rekord, vetëm 20 ditë pas marrjes së vendimit gjyqësor, kryhet dhe hipotekimi i objektit. Përtej këtij procesi gjyqësor të manipuluar ku pala tjetër kontraktuese e objektit nuk është vënë në dijeni për këtë proces, por vetëm pas një viti kur dokumentacioni kish përfunduar në kushtet e nxitimit të hipotekës, vjen dhe indiferenca e pa kuptueshme, por e qëllimshme e bashkisë Sarandë, pronare e ligjshme e kësaj prone të paluajtshme të saj. Bashkia nxjerr pretendimet se nuk e ka në regjistrat e inventarit të saj. Por kjo bëhet e qëllimshme përderisa ekziston një inventar i tillë me zërin kadastral përkatës të objektit në fjalë. Dhe këtë e vërteton një dokument kthim-përgjigje nga ish-ministri i brendshëm Bujar Nishani me Nr . prot. 2204 të vitit 2011, ku midis të tjerash lexojmë: “Komuna Ksamil (në atë kohë Ksamili ishte komunë më vete dhe pas reformës territoriale ju bashkua bashkisë së Sarandës) e ka kryer procesin e inventarizimit me vendim të K. M. dhe është miratuar lista e inventarizimit të pronës “Shtëpi kulture Ksamil” e cila është përfshirë në listën e pronave të komunës Ksamil me NR 65 në zonën kadastrale 2297” Atëherë çfarë kërkon tjetër bashkia e Sarandës?!Apo i bashkohet korit të këtij fenomeni që erdhi pas një procesi të turpshëm dhe na jep të drejtën të mendojmë se kemi të bëjmë me një korrupsion zinxhirët disa institucioneve shtetërore? Gjithsesi më qartë na i shpjegon vetë Artisti i Merituar, Limoz Dizdari, i cili prononcohet për gazetën “Telegraf” për pretendimet që i ka paraqitur gjyqësorit: “Shoqëria “DEA”-shpk me administrator z. Limoz Dizdari, më datën 20/03/2003 ka lidhur kontratën e qerasë me Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë të marrjes me qira të Shtëpisë së Kulturës të Komunës Ksamil* sot nën juridiksionin e bashkisë Sarandë me afat deri më 31/12/2020. Kjo kontratë është lidhur me Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë duke e ditur si pronare të shtëpisë së kulturës Ksamil. Siç dihet , pasuria e ish-Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë u rregullua me Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 204, datë 05/06/1992 “Për pasurinë e sindikatave”, i cili nuk u miratua me ligjin nr. 8340, datë 06/05/1998. Po me këtë ligj “Për rregullimin e pasojave që kanë rrjedhur nga zbatimi i Dekretit nr. 204 të datës 05/06/1992” gjetën rregullim të plotë të drejtat e pronësisë të ish-Bashkimeve Profesionale, të cilat u përkisnin Sindikatave të Pavarura dhe Konfederatës së Sindikatave. Në nenin 7 të këtij ligji përcaktohet se “Objektet e kulturës të ish-ndërmarrjeve bujqësore kalojnë nën varësinë e pushtetit lokal”. Për përcaktimin e mënyrës së kalimit të pronësisë është ngarkuar Këshilli i Ministrave dhe organet përkatëse të pushtetit lokal të cilave do t’u kalonte e drejta e pronësisë mbi këto objekte, veprimtari kjo që është rregulluar me VKM nr. 476/06/2011”.

Rastësisht më datën 18.04.2016 jam vënë në dijeni nga disa persona, të cilët erdhën në ambientet e shoqërisë në Ksamil për vendimin gjyqësor nr. 380 datë 07.07.2015 të gjykatës administrative Gjirokastër ku shtetasja Llambrini Panajoti ka kërkuar anulimin e regjistrimit për një sipërfaqe trualli 230 metra katror dhe objektit që ndodhet në këtë pjesë si dhe regjistrimin e kësaj pasurie në favor të kësaj kërkese, e cila është pranuar nga gjykata duke i dhënë asaj 230 metra katror truall dhe lokalin që është brenda kinoklubit, pronë e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë sipas vërtetimit hipotekar bashkëlidhur të cilin e kam marrë me qira. Po shqetësimi që dua të ngre tek ju është fakti se ky gjykim i stisur dhe i paramenduar nga të gjithë pjesëmarrësit në të, është bërë pa dijeninë time si qiramarrës i regjistruar në ZVRPP Sarandë dhe si shoqëri që tërheq interesa të rëndësishme, qoftë financiare, por më tepër kulturore-artistike, qëllim i së cilës është dhe aktiviteti i kësaj shoqërie. Po për t’u çuditur është fakti që përfaqësuesi i ZVRPP Sarandë ishte për rrëzimin e padisë, po ashtu edhe përfaqësuesja e avokaturës së shtetit dhe për këtë vendim asnjëra nga këto palë në proces nuk kanë ushtruar ankim dhe pse kjo është një pasuri shtetërore, që siç e theksuam më lart, ligjërisht duhet t’i kishte kaluar pushtetit vendor, konkretisht bashkisë Sarandë. Është një eficencë maksimale e të gjithë aktorëve në këtë proces që për 22 ditë kanë marrë përgjigjen nga ZVRPP Sarandë dhe kanë mbaruar dhe procesin gjyqësor i cili për një pastruese që largohet nga puna zgjat muaj të tërë. Pasi jam vënë në dijeni të këtyre veprimeve të njëpasnjëshme me karakter të dyshimtë, i kam drejtuar disa ankesa KLD-së, Kryeministrit dhe Avokatit të Popullit. Pasi jam paditur nga shtetas të kallëzuar, jam interesuar dhe kam mbledhur dokumentacion për mënyrën e fitimit të kësaj prone që ajo pretendon dhe siç po jua përshkruaj më poshtë, kjo pasuri të cilën ajo e ka regjistruar me vendim gjyqësor në ZVRPP Sarandë, është marrë nëpërmjet mashtrimit, falsifikimit dhe përdorimit të vazhdueshëm të këtyre dokumenteve të falsifikuara. Së pari, siç e citova më lart, kinoklubi Ksamil asnjëherë nuk ka qenë pjesë e ish ndërmarrjes së tregtisë Sarandë, por e NB-Vrinë dhe për këtë shkak ju kalua në pronësi Dhe sindikatave. Po ashtu sipas deklaratës që më ka dhënë shtetasi Ferruz Shabani, ish kryetar i këshillit komunal të komunës Ksamil, më datën 21/07/2016, rezulton se në vitin 1994 është zhvilluar një proces gjyqësor midis Qendra e Objekteve të Sindikatave dhe Llambrini Panajoti e cila me anë të falsifikimit ka privatizuar lokalin bar-bufe brenda këtij objekti. Ky proces gjyqësor ka përfunduar me anulimin e privatizimit. Me trazirat e vitit 1997, dokumentacioni i gjykatës u dogj dhe zonja Panajoti u kujtua përsëri në vitin 2009 dhe inicioi një çështje civile e cila është pushuar nga gjykata e apelit Gjirokastër, sipas arsyetimit përkatës, vendimin të cilin e disponoj. Por në vitin 2016 çdo problem i sajë u zgjidh si me magji dhe pse ka mashtruar, falsifikuar dhe përdorur dokumente të falsifikuara duke u bërë pronare e një pasurie që nuk ka qenë kurrë e tregtisë prej nga pretendohet se është bërë kjo blerje. Por jo vetëm dokumentacioni i saj është përcaktuar i paligjshëm dhe absolutisht i pavlefshëm në vitin 1994, por kjo shtetase ende vazhdon të përfitojë nga paligjshmëria dhe arbitrariteti i disa segmenteve të administratës dhe drejtësisë/ Po i vënë shkelmin përpjekjes sonë shumëvjeçare dhe stërmundimeve tona duke lënë pas krahëve Tiranën me synimin që ky objekt që kemi investuar rreth 700000$ të kthehej në identitetin e tij funksional duke u bërë një institucion kulturor dhe artistik bashkëkohor evropian në përgjigje të kërkesave të kohës si për zhvillimin në rang ndërkombëtar të kulturës sonë kombëtare, por edhe i një nisme të edukimit dhe kulturimit të brezit të ri me standarde bashkëkohore, kjo në funksion dhe të turizmit elitar të Ksamilit, Sarandës e më gjerë. Por në mënyrë arbitrare sot kërkohet që ky objekt të kthehet në një bar të rëndomtë duke e copëzuar në mënyrë të padrejtë pronën që ne kemi marrë me qira dhe i takon bashkisë Sarandë si pronë publike. E gjetëm tërësisht të shkatërruar dhe e kemi kthyer në një ambient bashkëkohor”-përfundon denoncimin Artisti i Merituar Limoz Dizdari për gazetën “TELEGRAF”. Ndërkohë mbetet i paqartë indiferentizmi dhe mosreagimi i bashkisë Sarandë si pronare e ligjshme e objektit duke shtruar dilemën tonë: I kujt është pronë në vetvete objekti i shtëpisë së kulturës Ksamil? Pse shteti hesht mbi pronësinë ndaj saj?