Pse BE vlerëson KLSH-në?

845
Sigal

Nga Fatos Çoçoli

Në faqet 93-94 të Progres Raportit 2018 të Komisionit Evropian për Shqipërinë, thuhet: “Pavarësia funksionale, operacionale dhe financiare e Institucionit Shtetëror të Auditimit (KLSH-së) është garantuar në Kushtetutë dhe në kornizën ligjore, në përputhje me standardet e INTOSAI-t…Për sa i përket kapacitetit institucional, zhvillimi profesional i audituesve ka qenë prioritar në vitet e fundit, duke kryer mesatarisht 25 ditë trajnimi/për auditues çdo vit. SAI ka miratuar planin e auditimit për vitin 2018 duke përdorur një metodologji vlerësimi bazuar në risk. Plani i ri i zhvillimit strategjik për 2018-2022 është miratuar në dhjetor të 2017-ës”. Syri vëzhgues dhe kontrollues i Bashkimit Evropian është më hulumtues dhe llogari-kërkues për institucionet shqiptare se kurrë ndonjëherë, tani që qeveria e tij, Komisioni Evropian, i dha rekomandimin Parlamentit Evropian që të miratojë çeljen e negociatave me Shqipërinë më 17 prill 2018. Po në të njëjtën datë doli Progres Raporti 2018 për Shqipërinë dhe cilësimet për institucionin e auditimit të jashtëm publik në vend. Lind pyetja: Pse kaq vlerësues syri i rreptë profesional i BE-së? Përgjigjja është e thjeshtë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka 6 vite e gjysmë që po funksionon mbi bazën e parimeve dhe standardeve të organizatës ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit, INTOSAI. Institucioni që tashmë ka mbi 6 vite e gjysmë që ka shpalosur të plotë pavarësinë dhe profesionalizmin, mbështetur fort mbi standardet ndërkombëtare të fushës, ISSAI-t, në radhë të parë në Deklaratën e Limës (ISSAI 1) dhe në Deklaratën e Meksikos(ISSAI 10). Ligji i ri i miratuar në fund të vitit 2014, pas një beteje epokale me interesat për t’i cenuar pavarësinë këtij institucioni kushtetues, u vlerësua nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë si një “…hap domethënës në integrimin e vendit në BE”(nga prononcimi i Delegacionit një ditë më vonë miratimit të ligjit, 28 nëntor 2014). Avancimi i institucionit në nivel të kapaciteteve të audituesve të tij, është realisht mbresëlënës. Kontrolli i Lartë i Shtetit, me gjetjet në raportet e auditimit dhe kallëzimet e tij penale kundër qindra abuzuesve me pronën publike dhe paratë e taksapaguesve, ka sjellë shpresë në zemrat e qytetarëve të thjeshtë se korrupsioni mund të zbulohet dhe dënohet. Të gjitha Progres Raportet e fundit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë të viteve 2014-2017 kanë rekomanduar se duhen ndërmarrë hapa edhe më të fuqishëm e konkretë për forcimin e pavarësisë dhe veprimtarisë së institucioneve kushtetuese si KLSH, në një proces gjithëpërfshirës reformash. Ato kanë vënë në dukje nevojën për të garantuar zbatimin efektiv të legjislacionit në fuqi, si dhe profesionalizmin, funksionimin dhe pavarësinë e këtyre institucioneve. Është e domosdoshme që me ndihmën e programeve të asistencës së Bashkimit Evropian të realizohet verifikimi dhe vlerësimi i kuadrit të përgjithshëm ligjor, si dhe organizimi individual institucional i këtyre institucioneve, me qëllim forcimin e pavarësisë dhe funksionimit normal të tyre. Ka ardhur sërish koha që ekspertë të pavarur të programeve dhe Shteteve Anëtare të BE-së të identifikojnë masat konkrete që synojnë të rrisin pavarësinë, transparencën, profesionalizmin dhe besimin publik te këto institucione, si dhe mbushjen e boshllëqeve ekzistuese në kuadrin e përgjithshëm legjislativ dhe në strukturat e tyre institucionale. Sidomos lufta e thelluar ndaj korrupsionit kërkon sinergjizimin e veprimtarisë së këtyre institucioneve, pasi arritjet individuale të gjithsecilit janë shumë pak dhe shumëfishohen, vetëm nëse koordinohen me veprimtarinë dhe arritjet e institucionit tjetër të pavarur. Përparësitë e sotme të reformës në drejtësi në asnjë mënyrë dhe kohë nuk do të anashkalojnë apo sjellin në plan të dytë misionin, vlerat dhe arritjet e institucioneve të tilla të pavarura të Shqipërisë, si KLSH apo ILDKPKI. Ato përbëjnë shtyllën kurrizore të besimit publik se ky vend mund të bëhet. Puna e tyre, e inkuadruar natyrshëm në punën dhe rezultatet e strukturave të reja të reformës në drejtësi, do të sjellë shtetin e së drejtës dhe besimin e humbur të qytetarëve shqiptarë tek institucionet shtetërore.