PS-ja nxjerr zbuluar ministrat e LSI-së

540
Sigal

Kryeministri  bën opozitën e gjendjes së mjerueshme të spitalit “Nënë Tereza”

Opozita e fotove të maxhorancës

Kryeministri Edi Rama vazhdon të publikojë fotoreportazh nga QSUT-ja, për të evidentuar mjerueshmërinë fizike të spitalit “Nënë Tereza”,  me titullin: “Çfarë lidhje kanë me spitalin këto pamje”.

E ka kuptuar Edi Rama, që tashmë është kryeministër?

Sikur, këto foto, të kryeministrit Rama,  të shoqëroheshin edhe me realitetin e ndryshuar, të tjetërsuar nga qeverisja e tij, natyrisht, do të kishin edhe sensin e përcjelljes së ndryshimeve, të mbartjes së optimizmit dhe të shpresës se premtimet po mbahen nga qeveria e re. Mirëpo, të botosh fotoreportazh për mjerueshmërinë fizike të spitalit më të madh të vendit tonë, “Nënë Tereza”, vetëm 2 javë, pasi qeveria e re  është votëbesuar, por ende nuk ka filluar punë, përveç nonsensit politik, përcjell edhe idenë se Edi Rama po bën –akoma- opozitën ndaj qeverisë së mundur me votë. Atë realitet  të gjendjes së QSUT-së, të dhënë dje,  me fotoreportazh nga kryeministri, elektorati e dënoi me votë, ndaj të dha edhe votëbesimin e qeverisjen, prandaj, është jo vetëm e tepërt, por e pakuptimtë, që kryeministri të bëjë opozitën e evidentimit të mjerueshmërisë së gjendjes në spitale. Misioni  i tanishëm i Kryeministrit, nuk është të vazhdojë të bëjë opozitën çfarë realiteti gjeti, por të bëjë përpjekjet që të ndryshojë realiteti, për të cilin premtoi dhe mori votëbesimin.  Por, kjo sjellje e Kryeministrit Rama, ndoshta ka edhe domethënien tjetër. Që kjo është gjendja, ndaj edhe nëse,  më vonë, nuk bëhen mrekulli, mos e kërkoni përgjegjësinë te qeverisja e sotme, por te të tjerët.

Fatkeqësisht, përgjegjësia bie mbi LSI-në

 

Ndofta mençuria e Ramës synon t’i bjerë derës, që të dëgjojë qilari. Ose më saktë ai kërkon të diskreditojë, gjendjen në spitale, duke ia ngjitur fajin gjoja PD-së, që në fakt të zbulohet se sektorin e shëndetësisë e ka drejtuar LSI-ja. Sepse përgjegjësia dhe përgjegjësit e mjerueshmërisë së gjendjes të spitaleve dhe të shërbimit shëndetësor publik, nuk janë abstraktë, por kanë edhe emër, kanë edhe mbiemër. Në 4- vjeçarin e kaluar Ministrinë e Shëndetësisë e drejtuan ministrat eLSI-së. Sikurse, tha  para disa ditësh, edhe ministri i ri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, borxhi i spitalit “Nënë Tereza” është 20 milionë dollarë. Por, drejtuesit e këtij spitali, në 4 vjet janë emëruar nga ministrat eLSI-së. Pra nga aleatët e Kryeministrit Rama. Atëherë, a nuk duhet që kryeministri Rama dhe ministri i Shëndetësisë, Beqaj, përgjegjësinë e mjerueshmërisë së gjendjes në QSUT ta kërkojnë te aleatët, me të cilët sot bashkëqeverisin? Nëse dikush fajtohet për borxhin e madh të QSUT-së, që arrin në 20 milionë dollarë, që sot në këtë spital nuk ka as medikamente, që deri para një jave, u rinovuan kontratat me subjektet jospitalore, që ushtrojnë biznes në mjediset e spitalit, ata janë drejtorët e QSUT-së që janë emëruar nga ministrat e Shëndetësisë të LSI-së, që drejtuan 4 vjet, deri më sot. Në këto katër vite, që ministrinë e Shëndetësisë e drejtuan ministrat eLSI-së, borxhi i QSUT-së u 3-fishua.

Rilindja e QSUT-së fillon nga hetimi i drejtuesve që kanë abuzuar

Që mjediset e pavionëve të spitalit “Nënë Tereza” , të jenë në gjendjen e mjerueshme që evidenton Kryeministri Rama, përmes fotove që publikon sot, fajin e vetëm e kanë  ekskluzivisht  vetëm drejtorët e emëruar nga ministrat eLSI-së. A nuk duhet ministri i ri i Shëndetësisë, Beqaj dhe kryeministri Rama të hetojnë menjëherë  përse në 4 vjetët e qeverisjes së shkuar, borxhi i QSUT-së u 3-fishua, ndërkohë kur  të sëmurëve nuk u jepet asnjë medikament? Ku dhe si u rritën borxhet, kur mungon edhe ilaçi më i lirë? A nuk duhet që ministri dhe kryeministri  të hetojnë se cilët janë ata drejtues në QSUTqë kanë abuzuar me buxhetin e spitalit, derisa kanë 3-fishuar borxhin e spitalit? Dhe a nuk duhet të hetohen këta drejtues të QSUT-së, se si kanë abuzuar? A nuk duhet të urdhërojë Kryeministri Rama, hetimin përse është lejuar që pavijonet e spitalit “Nënë Tereza” janë katandisur në gjendjen që evidentojnë fotot që  vetë Rama publikon? Kryeministri Rama nuk është kryeministër, që të bëjë opozitë, me ekspozimin e fotove, por është kryeministër që të ndryshojë gjendjen. Rilindja e QSUT-së, sikurse premton vetë Kryeministri Rama, fillon, së pari nga hetimet, për të gjetur fajtorët. Dhe fajtorët janë te drejtuesit e QSUT-së e deri te ministrat e Shëndetësisë  ( të LSI-së), që kanë drejtuar, të paktën në 4 vjet.  Por pyetja ngrihet: Tani, që Rama bashkëqeveris meLSI-në, sa e thellë do të jetë qilizma e hetimit të përgjegjësive? Sa seriozë do të jenë në nxjerrjen e përgjegjësive?  Rilindje sikurse PS-ja premton, a nuk do të thotë që dëmin e shkaktuar, në mjerueshmërinë e gjendjes së QSUT-së, të dëshmuar në fotot që publikon Rama,  ta paguajnë ata drejtues që janë përgjegjës? Apo, ndoshta,  edhe kjo qeveri do të bëjnë “meremetje” të suvatimit të lagështisë në dhomat e pavijoneve, duke shtuar llaç e miliarda lekë të tjera në rritjen e borxheve?

Flasin për “Telegraf”

Ish- ministri Halim Kosova: “Në ndërkohën që udhëhoqa shëndetësinë, ula në 4 miliardë lekë borxhin e QSUT”-së

Në  3 prill 2013 LSI-ja del nga qeverisja e Berishës, dhe në Ministrinë e Shëndetësisë emërohet ministër Prof. Dr. Halim Kosova, një personalitet, i shquar jo vetëm i fushës shkencore shëndetësore, por edhe si një drejtues e menaxher i shkëlqyer në” Spitalin Obstetrik GjinekologjikMbretëresha Gerladinë”. Prof. Dr. Halim Kosova në prononcimin për “Telegraf” pohon: “Unë i jam përkushtuar  në maksimum punës për të përmirësuar gjendjen, në spitale, e veçanërisht te “Nënë Tereza”. Në ndërkohën që unë isha ministër, borxhi i QSUT-së nga 24 miliardë lekë, u ul në 20 miliardë lekë. Por borxhi në QSUT, në 4- vjeçarin e qeverisjes së fundit, u 3-fishua. Në ndërkohën që unë drejtova ministrinë e Shëndetësisë, nga fundi i majit e deri në 20 qershor,  ndryshuam tërësisht gjendjen në pavijonin e kirurgjisë, por edhe në disa pavijone të tjera të QSUT”-së.

Ish- ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo: “Unë pak muaj isha ministër, pyesni paraardhësit”

Deputeti iLSI-së dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, në prononcimin për “Telegraf”, u përgjigj: “Unë pak muaj isha ministër i Shëndetësisë, dhe në këtë ndërkohë të shkurtër, nuk munda të ndryshoja dot gjendjen, as për të mirë, por as u përkeqësua. Do të ishte më mirë, që për hir të së vërtetës, për atë që kërkoni, të pyesni edhe paraardhësit e mi”.