PS dhe LSI, në sherr për Prefekturën e Beratit

611
Sigal

Socialistët: Ne duam të ruajmë bastionin e majtë në këtë qark, ndërsa LSI kërkon që të shtrijë zinxhirin e militantëve

Pas koalicionit PS dhe LSI që solli fitoren e pushtetit më 23 Qershor ende nuk dihet se kush do të drejtojë në Prefekturën e Beratit. Kjo dilemë po diskutohet jo vetëm tek drejtuesit, por dhe në bazën e këtyre dy forcave politike në qytetin muze. Dihet se në Berat, Partia Socialiste fitoi katër deputet ndërsa LSI- fitoi vetëm dy të tillë. Socialistet shprehen se, LSI ka një nga institucionet më të larta në Berat, ndërsa Partia Socialiste ka vetëm pushtetin lokal, bashkinë. Sipas disa anëtarëve të kryesisë të Partisë Socialiste, bëjnë të ditur se, LSI kërkon që të shtrijë zinxhirin e militantëve për t’i punësuar, ndërsa Partia Socialiste kërkon të mbajë bastionin e saj që të ketë bazë të forta për fitoren e zgjedhjeve lokale që do të zhvillohen pas një viti. PS për të mbajtur këtë bazë kërkon që ta ketë vetë prefekturën si një nga hallkat më kryesore në Qarkun e Beratit. Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur për gazetën, se kjo parti për të patur një rritje në zgjedhjet e pushtetit lokal kërkon një figurë të pastër, të sakrificës dhe me nivel të lartë në të gjitha sferat, i cili do të ndikojë dhe në forcimin e politikës në këtë qark. Dihet se Berati pati një rënie në zgjedhjet parlamentare, ku pretendimet ishin shumë të mëdha, por rezultatet qenë të ulëta. Përveç rrethit të Kuçovës, ku pati një rritje prej 2 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e mëparshme parlamentare. Kjo tregon se, në këtë qytet, deputetja Ermonela Felaj së bashku me pushtetin lokal kanë punuar shumë. Ndërsa krejt ndryshe ndodhi në Berat, ku pati një rënie të theksuar krahasuar më zgjedhjet e mëparshme, u shprehën disa anëtarë të asamblesë së PS-së. Puna e dobët bëri që Berati të fitojë vetëm 4 deputetë nga 5 që ishte planifikuar. Kjo ka tronditur sado pak socialistët e Beratit, të cilët kërkojnë që drejtuesi i Prefekturës të ketë intelekt dhe të ndikojë në forcimin e Partisë Socialiste në këtë qark. Beratasit janë shumë të ndjeshëm dhe si të tillë ata kërkojnë drejtësi, pasi kanë vuajtur 8 vjet rresht nga ish-qeveritarët e mëparshëm. Në takim me disa socialistë, ata u shprehën se, Berati ka kuadro shumë të mirë dhe ata duhet të rehabilitohen në institucionet më të larta të pushtetit vendorë. Është e domosdoshme që në krye të prefekturës të jetë një figurë nga Partia Socialiste, që do të ndikojë dhe në mbarëvajtjen dhe ndryshimet politike në këtë prefekturë, ku deri më sot kanë qeverisur të paaftit.