PS, Ben Blushi: “Qytetarët elbasanas do të kenë një motiv për të votuar kandidatët tanë”

580
Sigal

Kryetari i Grupit të Punës i Partisë Socialiste për Qarkun Elbasan ka uruar që këto zgjedhje të jenë të qeta

Në cilësinë e Kryetarit të Grupit të Punës për Qarkun Elbasan në Partinë Socialiste z. Ben Blushi ka zhvilluar një takim të parë me mediat në këtë fillim fushate. Gjatë kësaj deklarate për shtyp Blushi e ka vënë theksin tek një ecuri normale në këtë fushatë si edhe ka shprehur bindjen se PS do të fitojë në këto zgjedhje. Pasi ka bërë një prezantim të shkurtër të kandidatëve të kësaj partie në Qarkun e Elbasanit, gjashtë prej të cilëve në Elbasan, ku tre janë femra dhe të tjerët nëpër rrethet e tjera të qarkut, Blushi ka deklaruar: “Dua t’ju garantoj në emër të kandidatëve se përgjatë këtyre 40 ditëve të fundit do të jemi në mënyrë intensive në komunikim me ju për të denoncuar në rast se ka arsye si edhe për të informuar të gjitha lëvizjet e kandidatëve, për të ndarë me qytetarët argumentin se pse ne duhet të fitojmë këto zgjedhje dhe sigurisht që do t’i fitojmë”, tha Blushi. Në vijim Blushi tha: “Jam i kënaqur me epërsinë që kemi gjatë kësaj fushate bashkë me 14 kandidatët tanë. Është një fushatë e bukur dhe uroj që të jetë e qetë në Elbasan deri në përfundim të saj, të njëjtin apel kam edhe për ata që janë përballë nesh që të zhvillojnë një fushatë sa më të qetë. Jam i bindur se në qytetin e Elbasanit do të kemi një fitore spektakolare për shkak të papunësisë, arsimit të dobët, ekonomisë së ulët dhe një mijë arsye të tëra që koalicioni i majtë do të fitojë. Qytetarët elbasanas do të kenë një motiv për të votuar kandidatët tanë”.

Kandidatët

Duke u ndalur tek lista e kandidatëve për deputetë në qarkun e Elbasanit, Blushi shtoi se “ është një nga listat më të mira gjatë këtyre 20 viteve të fundit, një listë më e mirë se çdo parti që kandidon përballë nesh në këto zgjedhje në qytetin e Elbasanit, në mënyrë që të kemi një fitore spektakolare” tha ai. Duke u ndalur tek qeverisja e PD-së në këto tetë vitet e fundit, Blushi ka akuzuar deputetët e PD-së në qarkun e Elbasanit duke deklaruar se “ PD e ka braktisur Elbasanin dhe nuk i ka shërbyer atij në mënyrë koshiente të papunësisë, ndotjes, cilësisë në arsim etj.. Këto deputetë sipas Blushit nuk meritojnë të zgjidhen më, pasi nuk e kanë ndihmuar qytetin e Elbasanit për të thithur investime dhe për t’i dhënë Elbasanit atë që meriton. “Jam i sigurt se PS do t’i kthejë qytetit shkëlqimin që i ka munguar këto  8 vite, në radhë të parë do t’i kthejmë elbasanllinjve punën, do të punësojmë të rinjtë, si dhe do të rrisim cilësinë në arsim”, tha Blushi.