Provimet për auditues ligjor dhe kontabilist, ndryshojnë datat, grafiku sipas disiplinave

843
Sigal

Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar njoftoi se në datë 22 shtator zhvillohet provimi i radhës, që duhet t’i nënshtrohen kandidatet për “Auditues Ligjor” dhe “Kontabilist i Miratuar” të regjistruar më herët për testin e aftësive profesionale që iu mundëson marrjen e titullit. Kjo datë shënon edhe nisjen e sezonit të ri që do të pasohet me disa provime edhe në muajt e tjerë. Disiplina që do të mbulohet në provimin e 22 shtatorit është “Zbatimi në praktikë i legjislacionit mbi të drejtën civile, të drejtën penale, legjislacionit tregtar dhe të drejtën e punës në Republikën e Shqipërisë, në masën që këto i interesojnë profesionit të auditimit ligjor të pasqyrave financiare”. Instituti njoftoi gjithashtu se ka pasur ndryshime në datat e provimeve për tetorin dhe nëntorin. Kështu më herët ishet parashikuar se disiplina “Zbatimi në praktikë i kërkesave të legjislacionit të tatimeve dhe taksave në Republikën e Shqipërisë” do të zhvillohej në datë 27 tetor por tashmë ajo është zhvendosur një javë më herët dhe aplikantët do t’i nënshtrohen provimit në 20 tetor. Po kështu disiplina “Zbatimi në praktikë i kërkesave të etikës profesionale dhe procedurat e punës për auditimin e pasqyrave financiare, sipas kërkesave të standardeve ndërkombëtare të auditimit” ishte menduar të kishte provimin në 17 nëntor, por tashmë me datën e re ai do të mbahet në 21 nëntor.  Provimi i fundit që parashikuar në datën 8 dhjetor përfshin disiplinën “Zbatimi i modeleve të duhura të organizimit, drejtimit, qeverisjes dhe kontrollit të brendshëm të njësive ekonomike të biznesit (personave juridikë); Përdorimi i sistemeve të informacionit dhe të informatikës”. Ky provim mbetet në garfikun e ri të datave njëlloj si në parashikimin e parë. Duke qenë se 22 shtatori është provimi më i afërt Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar ka bërë një kujtesë për ato që duhet të kenë parasysh aplikantët e regjistruar duke nënvizuar se duhet të kenë me vete një document identifikimi, një seri materialesh që do t’i ndihmojnë ata gjatë provimit si dhe faktin se kualifikohen me 50 për qind të pikëve të testit.