Protestuesit shkatërrojnë bunkerin, Basha: Sot goditëm simbolin e tyre, nesër vetë qeverinë

466
Pas thirrjes nga sheshi i protestës, të rinjtë demokratë shkulën murin rrethues të bunkerit tek Ministria e Brendshme. Fill pas disa momentesh tensioni me policinë, e cila në këtë rast nuk ka qenë e përforcuar, disa të rinj arritën të çanin murin rrethues, me mjete rrethanore, si gurë, dru, etj, duke thyer kështu dhe xhamat e ministrisë. Më vonë, ata hipën mbi bunker, ndërsa valëvisin flamurin e PD-së dhe disa të tjerë i vunë flakën atij nga brenda.
Zjarr brenda bunkerit, protestues me mjete të forta që godasin pambarismisht. Kjo ka qenë përpjekja për ta rrëzuar bunkerin. Pas orëve të tensionit e ‘dhunës’, protestuesit u larguan prej këtyre ambienteve, duke u drejtuar më pas drejt bustit të Azem Hajdarit, e më pas u shpërndanë.

Basha: Sot goditëm simbolin
e tyre, nesër vetë qeverinë

Nga selia e PD-së, kreu i demokratëve deklaroi përfundimin e protestës, ndërsa theksoi se sot u godit simboli i kësaj qeverie dhe nesër nga forca e bashkimit do të goditet vetë qeveria.
“Izolimi, poshtërimi, arroganca dhe korrupsioni që përfaqësonte bunkeri në mes të Tiranës, sot është i kallur në flakë. I goditur nga forca e bashkimit tonë, sot simboli i tyre dhe nesër vetë qeveria. Mbetemi kështu të bashkuar, sepse së bashku sot nuk kemi kryer vetëm një protestë madhështore, jo thjesht kemi shembur simbolin e korrupsionit, krimit izolimit të qeverisë komuniste që përfaqësonte bunkeri në mes të Tiranës.”- deklaroi Basha.

Fjala e plotë e Bashës

Zonja dhe zotërinj
Vëllezër e motra,
Të rinj e të reja demokratë,
Ju jeni heronjtë e 8 dhjetorit të dytë të lirisë dhe demokracisë!
Sot i treguam qeverisë së rrëzuar së Edi Ramës se për ne frika nuk ekziston dhe se ne, Shqipëria dhe shqiptarët ngrihen për të mos u ulur më kurrë.
Poshtërimi, izolimi, arroganca dhe korrupsioni që përfaqësonte bunkeri në mes të Tiranës sot është i kallur në flakë
I shkatërruar, i goditur nga forca e patundshme e bashkimit tonë, sot simboli i tyre dhe nesër vetë qeveria do ta kuptojë se populli është i vendosur. Pra le të jemi e të mbetemi kështu të bashkuar sepse së bashku sot nuk kemi kryer vetëm një protestë një nga më madhështoret në historinë e kombit, jo thjesht kemi shembur simbolin e korrupsionit e krimit, e të izolimit e adhurimit të xhelatërisë komuniste që përfaqësonte bunkeri në zemër të Tiranës, por po kështu kemi hapur një rrugë tjetër, rrugën e lirisë individuale dhe të dinjitetit individual të çdo shqiptari. Rrugën e një qeverisje të re që do vijë me votën e lirë, të pa blerë, të pa shitur e të pa kërcënuar të qytetarëve shqiptarë nga jugu në veri.
Për një qeverisje që do të trajtojë të barabartë para ligjit, që do të hapë edhe një herë e punës, mirëqenies dhe zhvillimit për të gjithë ju. Për një qeverisje të dinjitetit të rinjve dhe të rejave. Për një qeverisje që do t’i japë fund fatkeqësisë dhe poshtërimit të pensionistëve. Për një qeverisje që do të jetë në krah të fermerëve shqiptarë. Për një qeverisje që do të jetë e taksave të ulëta dhe zhvillimit kombëtar me energjinë më pozitive që ka njohur ky vend.
Për një qeverisje që është krenare me aleatët tanë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, e do të bëjë gjithçka për të vazhduar të jetë pjesë e denjë e NATO-s e nesër anëtare e Bashkimit Europian.
Pas 25 vitesh zëri i 8 dhjetorit 1990 na thërret bashkë me zëri e Azem Hajdarit, bashkë me zërin e mijëra e mijëra studentëve, bashkë me zërin e intelektualëve Sali Berishës, Gramoz Pashkos, e bashkë me zërin e popullit tonë, atëherë kundër tiranisë komuniste sot kundër tiranisë së krimit, kundër tiranisë së korrupsionit, kundër tiranisë së varfërisë që do ta mposhtim.
Rroftë 8 Dhjetori 1990!
Rrofshi ju heronjtë e 8 Dhjetorit 2015!
Fitore e parë është shembja e imazhit të korrupsionit, krimit dhe të izolimit, imazhit të adhurimit për Enver Hoxhën bunkerit në zemër të Tiranës.
Ne nuk ndalemi, ne nuk mposhtemi, së bashku do të fitojmë për Shqipërinë, për demokracinë, për lirinë.
Zoti ju bekoftë ju!
Fitore, fitore, fitore!
Sigal