Protestuesit: ARRSH dhe Haxhinasto na mashtruan

537
Banorët e zonës së Zavalinës, zonë e cila tradicionalisht ka votuar majtas, ka ndezur prej disa ditësh siparin e protestave, duke bllokuar aksin rrugor që e lidh atë zonë me Elbasanin. Shkaku ka qenë sosja e durimit nga ana e banorëve për ndërtimin e aksit rrugor, i cili edhe pse ka nisur dhe ka ndaluar disa herë qysh para fushatave elektorale, duket se nuk ka shanse të mbarojë. Qarku i Elbasanit mbetet ndoshta qarku me akset rrugore më problematike, (afro 11 të tilla) pavarësisht se edhe kreu i ARRSH Xhika ka origjinën prej andej dhe se banorët shpresonin se do tu ndërtoheshin rrugët e degraduara. Por ka ndodhur dhe po ndodh ajo që banorët e atyre zonave nuk e prisnin, zhgënjimi dhe mashtrimi. Pas akseve rrugore siç janë Elbasan-Valas, Elbasan-Cerrik, Cerrik-Gostimë-Banjë, akseve rrugore Elbasan-Gjinar-Zavalinë dhe dhjetëra akse të tjera, duket se situata po degradon edhe në rrugët e tjera të qarkut. Kështu edhe pse ndodhen 36 km nga qyteti i Elbasanit, afro 20 mijë banorë të Njësisë Administrative Zavalinë, u duhet rreth 3 orë të mbërrijnë deri në kryeqendrën e Bashkisë tyre.

 Kjo për faktin se aksi rrugor nuk po rehabilitohet dhe nuk po mbahet premtimi nga kreut ARRSH dhe kreu Ministrisë Transporteve. Janë afro 15 km rrugë nga Gjinari në Zavalinë, e cila prej 20 vitesh nuk ka parë asnjë ndërhyrje për të lehtësuar disi lëvizjen e 20 mijë banorëve të një prej fshatrave më të thellë të Elbasanit. Rruga është e shkatërruar dhe e rrezikshme ndërkohë që gjatë dimrit ajo shpesh herë bllokohet nga dëbora dhe rrëshqitjet e dherave. Banorët shprehen se e kanë të vështirë lëvizjen deri në qytetin e Elbasanit, pasi shumë pak drejtues mjete marrin përsipër të punojnë në këtë aks rrugor. Por më e vështirë lëvizja për banorët e Zavalinës, bëhet në raste të problemeve shëndetësore kur atyre u duhet tre orë për të mbërritur deri në spitalin e Elbasanit. Nisur nga kushtet e vështira të lëvizjes, por edhe të jetesës shumë banorë të Zavalinës e kanë braktisur fshatin, disa kanë zgjedhur të jetojnë në Elbasan, e të tjerë në emigrim. Ata të shtunën dhe të dielën kanë bllokuar aksin rrugor dhe nuk kanë lejuar asnjë automjet të futet në zonën e tyre. Afro 20 mijë banorë të Zavalinës dhe Gjinarit, i kanë bërë apel kreut të ARRSH Xhika dhe kreut të Ministrisë Transporteve Haxhinasto, të vijnë urgjentisht dhe të shikojnë nga afër situatën e rrugës, e cila ka sjellë brenda 2 viteve mbi 23 viktima nga aksidentet. 
Banorët u shprehën se “jemi pa qendër shëndetësore, pa mjek, pa mësues, pa ndihma nga shtetit, pa rrugë, pa farmaci, kemi mbetur së fundi edhe pa shërbim veterinar, tamam si në mesjetë, ne kërkojmë nga dyshja Xhika-Haxhinasto, por edhe nga kreu i Njësisë Administrative që varet nga Bashkia e Elbasanit, të kthejnë sytë nga ne, jemi njerëz që duam shërbime dhe jo kafshë”. Banorët janë shprehur se “prej afro 20 ditësh ka mbyllur dyert edhe shkolla e zonës, e cila pret gjysmat e mësuesve nga Elbasanit, pasi ata nuk arrijnë të vijnë për faktin se rruga është e prishur, por ta dinë, ne në votimet e reja nuk do të qasim në zone asnjë përfaqësues partie, ta dinë mirë të majtët dhe të djathtët”. Banorët e Zavalinës janë mosbesues edhe ndaj përfshirjes së tyre në bashkinë e re të Elbasanit, pasi sipas tyre “deri sot nuk kemi parë asgjë të re dhe asnjë lëvizje tjetër që të na mbushë mendjen ne, që premtimet do të bëhen realitet”.
Sigal