Protestuan kundër armëve kimike, penalizohen 200 nxënës të Çajupit

520
Sigal

Rreth 200 nxënës të gjimnazit “Andon Zako Çajupi” në kryeqytet janë penalizuar nga drejtoria e shkollës pasi kanë bojkotuar mësimin pak ditë më parë, për të marrë pjesë në protestat kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri. Sipas nxënësve, drejtori u ka vendosur masë disiplinore dhe disa prej tyre rrezikojnë të humbasin provimet e maturës. Për këtë arsye, nxënësit kanë bojkotuar dje mësimin dhe kanë firmosur një peticion, për t’i kërkuar drejtorit të shkollës të rishikojë masat ndaj tyre, me pretendimin se e kanë lënë mësimin për të marrë pjesë në një protestë për të drejtën e jetës. Nxënësit deklaruan se do të vijojnë protestat në oborrin e shkollës, deri sa t’u hiqet penalizmi. “Më është cenuar liria ime, unë kam të drejtë të bëj 6 mungesa pa arsye dhe nuk mund të më vendoset thyerje të notës. Duhet të dal në komision që të më vlerësojnë. Këshilli i Etikës nuk është mbledhur. Drejtori na ka shtyrë përgjigjen, nuk na ka dhënë përgjigje për peticionin”,- deklaroi një prej maturanteve të shkollës. Organizatorët e protestës së të rinjve bënë të ditur se drejtori i shkollës “Çajupi” nuk e ka pranuar peticionin e nxënësve. Ata bënë apel për heqjen e masave disiplinore ndaj nxënësve, pasi të gjithë kanë të drejtë të protestojnë. “Janë mbi 200 nxënës që janë penalizuar, sepse ishin pjesëmarrës në proteste. Kanë kërkuar të hiqen të gjitha vërejtjet në regjistër, por drejtori i ka larguar. Peticioni i është dërguar drejtorit, stafit pedagogjik dhe këshillit të prindërve”,- deklarojnë organizatorët e protestës. Ndërkohë drejtori i shkollës, Vladimir Bodeci deklaroi për mediat se qëllimi i vërejtjes ndaj nxënësve ka qenë forcimi i disiplinës në institucion, ndërsa siguroi se asnjë nxënësi nuk i është thyer nota në sjellje. “Nuk do të marrim masa dhe nuk do të vëmë as mungesë për atë ditë. Asnjë nxënësi nuk u është thyer nota në sjellje. Masat që kemi menduar ne, kanë qenë vetëm qortim, vërejtje.”- u shpreh drejtori Bodeci, duke u përpjekur të rikthejë nxënësit nëpër klasa.

box

AKILH: Sukses i nxënësve të “Çajupit”

Nxënësit e “Çajupit” protestuan kundër vërejtjeve të shënuara në regjistra për shkak të pjesëmarrjes ne protestat kundër armëve kimike. Në fund, Drejtoria ka pranuar kërkesat e nxënësve për heqjen e shënimit dhe për rishikimin e neneve arbitrare të rregullores së shkollës.

URIME GJIMNAZISTËT E “ÇAJUPIT”!

SUKSES I NXËNËSVE TË “ÇAJUPIT”