Protestë në Mesopotam: Policia nuk na ruan, do vetëmbrohemi me armë!

505
Sigal

SARANDË/Në mbrojtje të banorëve dhe funksionarët vendor e partiak të MEGA, OMONIA e PBDNJ

Me gjithë shqetësimet tona të vazhdueshme kundër grabitjeve, dhunimeve me pasojë deri vdekje, policia nuk po na e siguron jetën, ndaj, përballë kësaj situate ne duhet të vetëmbrohemi me armë! Kështu kanë pohuar dje banorët minoritarë të Mesopotamit në Delvinë, në ceremoninë mortore të një të moshuari i cili ndërroi jetë një ditë më parë në spital nga dhuna e grabitësve me armë. Përkrahë banorëve kanë dalë dhe drejtuesit partiak të MEGA dhe PBDNJ. Dhe si mjet vetëmbrojtje, sipas banorëve, janë armët e gjahut që jepen me leje nga organet kompetente!

SITUATA

Vjedhjet dhe keqtrajtimi i banorëve në komunat minoritare të Sarandës, janë pasuar me reagim të krerëve të dy forcave politike që mbrojnë interesat minoritare, MEGA dhe PBDNJ. Kjo ka ndodhur pasi dje në fshatin Velahovë të Komunës Mesopotam të Delvinës, është përcjellë për në banesën e fundit një 87 -vjeçar i grabitur dhe keqtrajtuar nga grabitësit. Ai vdiq pas një jave në spitalin e Sarandës. Viktimë e grabitësve ishte dhe bashkëshortja e tij, e cila ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Si për ironi, teksa varrosej i ndjeri, në fshatin Rumanxa, një 75- vjeçare është gjetur e lidhur me litar në banesën e sajë. Nga hetimet e para rezulton se dhe ky rast dhune në banesë, dyshohet të ketë si shkak grabitjen. Banorët, të irrituar, kërkuan masa urgjente e mbështetje nga drejtuesit vendor, sikundër pohuan se do të vetë organizohen për t’u mbrojtur nga krimi.

REAGIMI

Lidhur me këtë situate, ne kontaktuam në linjë telefonike me kryetarin e Komunës Dhivër, z. Sokrat Kalcuni, i cili për “Telegraf” deklaron: “Ka qenë ora 06 e mëngjesit të së hënës kur Polikseni Qirjako, 72 vjeçe, është gjetur e lidhur në banesën e saj. Personi është larguar me një makina ka qenë e kuqe, por asgjë tjetër nuk është mësuar deri tani”. Gjithashtu, krye komunari sjell edhe precedentin e para 15 ditëve në banesën e Spiro Stavuli. Sipas tij, situata është rënduar, ka pasiguri, e organet shtetërore përkatëse duhet të bëjnë detyrën.

Ndërkohë, lidhur me këtë situate kaotike në minoritet, kanë deklaruar për “Telegraf” dy partitë e përfaqësimit të minoritetit grek në Shqipëri, MEGA dhe PBDNJ. “Situata është e vështirë. Policia nuk po vë nën kontroll krimin. Kjo na detyron të përsërisim kërkesën tonë që të krijohet një forcë policore enkas për këtë komunitet në Sarandë. Nuk tërhiqemi nga kjo kërkesë, pasi faktet dhe ndodhitë janë të dukshme”,-për “Telegraf” përfaqësuesi i MEGA-s. Ka reaguar, gjithashtu, në linjë telefonike për situatën dhe Llambi Pandeqi, kreu i Degës së PBDNJ dhe “OMONIA”-s për Sarandën. “I bëjmë thirrje policisë të zbatojë ligjin dhe të vendos rendin në minoritet, në të kundërt, me çdo mënyrë deri tek arma, do dalim ti mbrojmë vetë”- pohon ai për “Telegraf”. Ndërsa banorët shkojnë më tutje. Ata pohuan se u ka mbetur vetëm të armatosen me çifte dhe të ruajnë me armë jetën dhe pronat e tyre.