Protestë e peshkatarëve: Ushtarët e gardës, nuk i lejojnë ata të gjuajnë në liqen, në drejtim të bllokut të vilave!

819
Është e dyta herë brenda pak kohësh që peshkatarët e Pogradecit protestojnë, pasi ju pengohet gjuetia në liqen përballë rezidencës qeveritare. Në pamje të parë duket si diçka paradoksale, por është një fakt shumë interesant i sjellë nga peshkatarët e qytetit. Rezidenca qeveritare në Pogradec nuk lejon që peshkatarët të kryejnë gjuetinë e peshkut, as në thellësi të liqenit. Ata e kanë “privatizuar” liqenin në tërë gjatësinë dhe gjerësinë e tij në zonën prej më shumë se 2 km gjatësi nga fillimi e rezidencës deri tek kthesa e rrugës për në Drilon. Mjeshtri i peshkimit, Thoma Simaku dhe peshkatari i vjetër,Petrit Merko janë prononcuar ekskluzivisht për gazetën “Telegraf” rreth këtij fenomeni. 
-Thoma si është e vërteta rreth këtij fenomeni që duket i pabesueshëm ?
-Është vërtet një fakt që duket i pabesueshëm dhe qesharak në pamje të parë, por është realitet.
Thoma më konkretisht ?
– Po jua them troç, ne peshkatarët e Pogradecit nuk na lejon garda e Republikës që ruan rezidencën qeveritare, jo vetëm që të gjuajmë peshk në liqen, por as të mos kalojmë edhe në thellësi me varkat tona të peshkimit në një gjatësi prej më shumë se 2 km, që shtrihet rezidenca dhe në thellësi deri në kufi me Maqedoninë.
(Ndërhyn peshkatari tjetër Petrit Merko )
– A e kuptoni që këta të gardës e kanë privatizuar liqenin dhe kjo gjë nuk ndodhte, as në kohën kur këtu pushonte Enver Hoxha. Ne gjuanim peshk dhe nuk na pengonte njeri madje shumë anëtarë të Byrosë politike, përveç Enverit dhe Mehmetit vinin në gjueti me ne për relaks.
A keni biseduar me drejtuesit e gardës në Pogradec?
– Po patjetër që kemi biseduar, por asnjëri prej tyre nuk pranon dialog, duke na thënë se këtë gjë e dimë ne, kështu kemi urdhër se na shqetësoni personalitetet e qeverisë kur pushojnë në rezidencën qeveritare. 
– Kjo pengesë, mos është vetëm në ditët kur është duke pushuar presidenti apo kryeministri apo qeveritarë të tjerë ?
– Jo, ore gjithmonë na pengojnë, gjatë gjithë vitit. 
( Ndërhyn peshkatari Petrit Merko) Po ju sjellim një fakt tjetër, u rregulluan vilat e dikurshme të bllokut, ku pushonin Byroja Politike e qeverisë komuniste dhe u pagua mbi 1 milion dollarë, vetëm për ca rregullime, që ju bë dy prej tyre, të cilat u shkatërruan në 1997 dhe aty gjatë tërë verës dhe vitit të kaluar nuk ka fjetur asnjë njeri prej tyre.
– Ju nuk jeni të sigurt për këtë argument, se kush vjen dhe kush qëndron këtu në rezidencën qeveritare?
Pa dyshim që jemi të sigurt se kush vjen, vijnë tek ne dhe marrin peshkun e koranit për të gatuar, pasi kush vjen prej tyre në Pogradec, nuk mund të iki pa shijuar tavën e famshme të koranit.
-Si mendoni se do ta zgjidhni këtë problem ?
Ja ne duam qe nëpërmjet gazetës “ Telegraf” ta marrin vesh ata shefat e mëdhenj lart në qeveri që ne peshkatarëve të Pogradecit na i kanë nxirë jetën këta të gardës së Republikës dhe na pengojnë që të gjuajmë peshk në liqen në një zonë jo të vogël, mbi 2 km gjatësi dhe në thellësi deri në kufi me Maqedoninë.
Sigal