Protesta në Kavajë/ 6 të arrestuar, mbi 30 të proceduar penalisht

518
Sigal

Policia e Shtetit bën me dije se ka arrestuar 6 persona dhe proceduar penalisht 31 të tjerë për aktet e dhunës gjatë mbrëmjes së të mërkurës jashtë ambienteve të shkollës “3 Dëshmorët”, ku ndodheshin dhe materialet zgjedhore të njësisë nr. 42. Sipas uniformave blu, 4 prej të arrestuarve, janë punonjës të Bashkisë së Kavajës dhe Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve.

Personat e arrestuar akuzohen për veprat penale “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë Rendit Publik”, ’’Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor mbetur në tentativë”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe ‘’Shkatërrimi i pronës”

Gjatë mbrëmjes së të mërkurës, një grup mbështetësish të opozitës dhe punonjës të bashkisë së Kavajës tentuan të hyjnë në ambientet e shkollës “3 Dëshmorët” për të larguar që aty KZAZ nr.42. Ata u ndaluan nga Policia dhe për këtë arsye hodhën ndaj tyre bomba molotov, materiale piroteknike dhe sende të forta. Efektivët e policisë iu kundërpërgjigjën mbështetësve të opozitës me gaz lotsjellës. Si pasojë e përleshjeve u lënduan disa persona, mes tyre dhe një efektiv policie.