Protesta e 1 mijë makinave të fikura ndaj Haxhinastos dhe Drejtorit të Rrugëve, Xhika

614
Mijëra qytetarë të Elbasanit kanë fikur makinat e tyre në shenjë proteste ndaj qeverisë dhe premtimit të pambajtur të Ministrit të Transportit Edmond Haxhinasto dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Dashamir Xhika, lidhur me përfundimin e segmentit të autostradës drejt Tiranës dhe rritjes artificiale të çmimit të karburanteve. Drejtori i Rrugëve Xhika njihet edhe si beniaminë i Ministrit të Transporteve, pasi këtë detyrë Xhika e ka marrë si dhuratë, meqenëse në zgjedhjet e fundit të 2013 ishte kryetar i shtabit elektoral të Haxhinastos, në Qarkun e Elbasanit. Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar, qytetarët e Elbasanit kanë nisur prej ditës së shtunë një valë protestash, ku ndër pikat kryesore të saj janë rritja e vazhdueshme e çmimit të karburanteve, si dhe më kryesorja mosmbajtja e premtimit nga Qeveria dhe Ministri i Transporteve, zoti Edmond Haxhinasto për përfundimin e autostradës Elbasan-Tiranë dhe konkretisht segmenti nga tuneli deri tek TEG. Protesta do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim dhe ka pasur shtrirje masive, por ndryshe nga herët e tjera, protesta e parë e opozitës për këtë vit është bërë duke fikur makinat për 5 minuta në mes të rrugës, në shenjë revolte edhe kundër çmimit të lartë të naftës. Edhe në Elbasan krerët e protestës qytetare u organizuan në disa akse rrugore, duke fikur mjetet së bashku me qindra e qindra shoferë, të cilët iu bashkuan protestës duke i kërkuar qeverisë të ndërhyjë për të ulur çmimin e naftës në një kohë, që ari i zi ka pësuar rënie të ndjeshme në tregjet ndërkombëtare. Mjaft protestues, që kishin fikur makinat e tyre dhe ishin të gatshëm t’i mbanin fikur ato përgjatë gjithë ditës u shprehën se “taksa e naftës është dy herë më e lartë, se sa taksa në vendet e Bashkimit Europian, po na zbrazen xhepat, po na shkatërrohen makinat, po paguajmë taksa dhe ecim në rrugë të prishura, kurse Haxhinasto ka 3 vjet që na premton përfundimin e autostradës, ndërkohë që Elbasani e ka një zgjidhje të madhe, mbarimin e saj, si për shkollimin e fëmijëve në universitete, punësimin, biznesin etj”. Protesta ka zgjatur mbi 30 minuta, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët, ndërsa nga ana e Policisë Rrugore ishin marrë të gjitha masat që pas protestës të mos krijoheshin radhë të gjata dhe kaos në qarkullim. Qytetarët elbasanas, por edhe ata që kaluan tranzit nga ky qytet dje, kanë fikur makinat e tyre dhe kanë protestuar për atë që ata e quanin “vonesat e qëllimshme të kësaj qeverie dhe zotit Haxhionasto, lidhur me afatet e zgjatura të përfundimit të autostradës Elbasan-Tiranë, ndërkohë që aksi Bradashesh-Tuneli i Kërrabës përfundoi brenda një viti kalendarik, u deklarua se rruga do të përfundonte në dhjetor 2014, u deklarua se do të përfundonte në verën e vitit 2015, pastaj në dhjetor 2015 dhe tani ministri del dhe jep sihariqin se do të përfundojë në verën e 2016, kjo është tallje me 250 mijë banorët e kësaj Prefekture”. Por protestuesit e lidhnin ngadalësimin e punimeve dhe pretekstet e gjetura nga Ministria e Transporteve edhe me faktin se “rruga po lihet qëllimisht pa u përfunduar me qëllim të afrimit të vitit elektoral dhe pastaj të përfundonte gjithçka shpejt e shpejt”. Protesta e djeshme ka pasuar një tjetër protestë të 15 mijë banorëve të Cërrikut, Valasit, lagjes Shën-Koll të Elbasanit, Mjekësit, Banjës, Gostimës, lidhur me rrugët e shkatërruara qëllimisht, me pretendimin se “po investohet”, kur ato sot gjenden pothuajse të pakalueshme nga makinat dhe këmbësorët. Shoferët e protestës së djeshme u shprehën të indinjuar se “gjithë Prefektura e Elbasanit është katandisur me rrugë të hapura, ku veç gropave dhe kanalizimeve të prishura, problematike mbetet prishja e makinave tona, po zbrazim xhepat çdo muaj, ky është skandal, nuk vjen njëherë Ministri i Transporteve dhe të shikojë, se si janë hapur dhe gërryer rrugët dhe të na thotë kur do të asfaltohen dhe mbyllen punimet, pasi firmat kanë ikur prej 2-3 muajsh, sepse deklaruan se “nuk kemi marrë paratë nga qeveria”. Situata në të cilën ndodhen mbi 70 për qind e akseve rrugore dhe urave në Prefekturën e Elbasanit, duhet të shkundë Ministrinë e Transporteve dhe gjithë Qeverinë, pasi në rrezik shembje mund të jenë edhe rrugët dhe urat ekzistuese, pasi prej vitesh nuk investohet në mirëmbajtjen e tyre. Pas Gramshit, ndoshta edhe Elbasani mund të izolohet, pasi si akset nacionale ashtu edhe ato që lidhin ish-komunat dhe fshatrat janë në gjendje të mjerueshme. Qytetarët e Elbasanit premtuan se protesta e tyre do të përshkallëzohet, në rast se do të ketë heshtje dhe indiferentizëm nga Qeveria aktuale. 

Nga ALMA JONUZI
Sigal