Prostitutat dhe xhepistët tmerrojnë pushuesit

544
Sigal

Alarmohet plazhi i Durrësit. Telefonatat tek 129-ta nxisin kontrolle në hotele lokale dhe pallate

Policia e Durrësit është vënë në alarm pas informacioneve se drejt plazhit janë dyndur shumë prostituta dhe xhepistë nga rrethet. Informacionet kanë mbërritur në sallën operative të policisë nga banorët e plazhit dhe pushuesit, të cilët kanë bërë prezent situatën dhe skenat e turpshme që kanë parë dhe kanë ndodhur pranë vendeve, ku ata banojnë e pushojnë. Kjo situatë, e cila duhej të ishte frenuar ka detyruar efektivat e Drejtorisë Policisë Durrësit të  nisin aksionet ndaj fenomenit të prostitucionit dhe xhepistëve. E ndërsa shpesh makinat e policisë do t’i shikosh tek rrinë nën hijet e pemëve, këto dy kategori janë bërë shqetësim serioz për pushuesit. Burime nga Drejtoria e Policisë Durrës thanë për “Telegraf” se, “nisja e sezonit ka angazhuar forcat policore të strukturave të ndryshme për të frenuar dhe parandaluar, goditur dhe vendosur para ligjit edhe personat që ushtrojnë apo stimulojnë prostitucionin, ku zona e plazhit mbetet zona më e njohur, përsa i përket ushtrimit  të prostitucionit dhe xhepistëve, ndaj edhe kontrollet  janë të vazhdueshme”. Drejtoria e Policisë ka vijuar masat për goditjen e vatrave të prostitucionit, megjithatë, vajza dhe gra të reja vijojnë të ushtrojnë profesionin e shitjes së trupit, me ose pa tutorë në fshehtësi. Shqetësim për pushuesit në plazh mbeten edhe xhepistët, pasi ata do t’i gjesh kudo në hyrje pallatesh, pranë vilave në autobusë, në parking etj.. Burimet policore thanë se, “procedime  penale ka pasur ditët e fundit ndaj personave që e stimulojnë dhe ushtrojnë prostitucioni, ku policia ka prangosur persona të akuzuar për shfrytëzim  të prostitucionit në rrethana rënduese”. Zona e plazhit prej vitesh është kthyer në vend për ushtrimin e prostitucionit, kryesisht në motele apo edhe rrugë. Gjatë sezonit veror ky aktivitet i paligjshëm, shpesh ka qenë i pakontrolluar dhe ka rrezikuar ndjeshëm shëndetin dhe jetën e  personave që ofrojnë dhe marrin këtë shërbim. Policia ka fokusuar goditjen e saj në këto zona, ku ajo mendon se mund të zbulojë edhe baza prostitucioni.

“Të fortët” nuk ndëshkohen

 Ashtu si çdo sezon veror, ka nisur sërish në plazhin e Durrësit  abuzimi me brezin e rërës, duke e trajtuar atë si të ishte pronë private. Nisur nga ankesat e shumta nga qytetarët e poshtëruar dhe dhunuar, Drejtoria e Policisë Durrës, ka nisur prej dy ditësh, aksionin e saj për ndëshkimin e “të fortëve” të plazhit, që kanë pushtuar  me çadra dhe zhezlonga, qindra metra katrorë në brezin e rërës, duke mos lejuar asnjë qytetar të ngulë çadrën e tij  pa paguar 500 lekë të rinj. Kjo shumë, qytetarëve durrsakë, por edhe atyre që vijnë për disa orë për të bërë plazh nga rrethet, i është dukur absurde, ndaj kanë njoftuar policinë. Megjithëse, bregdeti është publik,  ka mjaft  persona  kryesisht pronarët privatë, të cilin dhe për shkak të moszbatimit të ligjit, kthehen në “të fortë”, duke shkelur ligjin. Ky fenomen ka ngjarë  ditët e fundit, pasi  policia, e cila ka nën administrim të gjithë vijën bregdetare  duke ushtruar kompetencat ligjore ka toleruar privatët, të cilët janë kthyer në gjobëvënës ndaj pushuesve që nuk kanë mundësitë financiare. Mungesa e ndërhyrjes nga Policia Bashkiake dhe ajo e Rendit, ka detyruar shpesh pushuesit të largohen larg Durrësit. Në plazhet publike, të përcaktuara nga bashkia e qytetit, privatët po detyrojnë pushuesit të paguajnë tarifën prej 500 lekë të rinj, në këmbim të vendosjes së çadrës, zonë për të cilët ata nuk janë të detyruar të paguajnë, por problem mbeten dhe plazhet private, të cilët duke shkelur kontratën nuk respektojnë distancën nga bregu i detit me pjesën e marrë nën administrim sezonal, duke i shtrirë shezlonget deri pranë vijës së ujit. Për këto raste ligji ngarkon Policinë Bashkiake, të ndërhyjë për të ushtruar kompetencat përballë çdo abuzimi, por askush nuk reagon për këtë çështje, e cila pritet të shoqërohet me një kosto të lartë për turizmin durrsak. “Të fortëve” shpesh tentojnë veç shkeljes së ligjit, edhe të sfidojnë strukturat e shtetit. Burimet policore thanë se, “situata do të normalizohet brenda pak ditësh, dhe ndaj personave abuzues do të merren  masat më të rrepta ligjore”.