Propozimi i Ramës: Shqipëri-Kosovë, me një president të përbashkët

773
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë ceremonive në Prishtinë, tha se e ardhmja e rajonit do të jetë e tillë që do të lërë prapa të kaluarën dhe një ditë shqiptarët e serbët do të bashkëjetojnë në funksion të së ardhmes si dy popuj me fqinjësi të mirë dhe pjesë e pandarë e Bashkimit Evropian. Ai hodhi edhe idenë e zgjedhjes së një presidenti të përbashkët për Shqipërinë e Kosovën, gjatë fjalës në parlament. “Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, po pse jo një president, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Ndoshta ky parafytyrim sot nuk është i këshillueshëm në rrafshin e nacionales por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet, e ardhmja u takon atyre që i paraprijnë asaj”, tha kryeministri Rama. Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, gati nëntë vjet pas përfundimit të luftës me ndërhyrjen e NATO-s që i dha fund shtypjes së shqiptarëve nga Serbia. Mbi 115 vende të botë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian e kanë njohur pavarësinë e saj, e cila kundërshtohet nga Serbia. Megjithatë Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sigal