Propozimi i Ban Ki Moon: Armët kimike të shkatërrohen në territorin sirian

543
Sigal

 ARMËT KIMIKE / Këshilli i Sigurimit të OKB-së  përgjegjëse, për eliminimin e lëndëve  kimike

 “Vendimi për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë e ka adresën, jo në Tiranë as në ndonjë vend tjetër të Europës, por tek Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, megjithë, shantazhet e Rusisë dhe të Kinës brenda këtij këshilli”, thekson sot në opinionin e vetë për gazetën “Telegraf”,  ish-Drejtori i “Zërit të Amerikës për Euro-Azinë dhe njëkohësisht ish- kreu i Komitetit Shqiptaro-Amerikan, z. Frank Shkreli (më i plotë shiko opinionin në numrin e sotëm). Në lidhje me situatën e  tensionuar në vendet europiane si dhe panikun që ka mbërthyer popujt e këtyre vendeve z.Shkreli saktëson nga SHBA-të  se agjencia japoneze e lajmeve “Kyodo” citoi dje sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon se ai është duke marrë në konsiderim  t’i kërkojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të mbështetë një propozim të tijin, që Siria vet të shkatërrojë armët e saj kimike, brenda territorit sirian.  “Jam duke marrë në konsideratë që t’i bëjë thirrje Këshillit të Sigurimit që të kërkojë menjëherë transferimin e armëve kimike të Sirisë në qendra të sigurta brenda Sirisë, ku mund të vendosen dhe ku njëkohësisht mund të shkatërrohen ato armë”.  Ban Ki Moon, sipas agjencisë japoneze të lajmeve, shprehu gjithashtu, zemërimin e tij në lidhje me ndasitë dhe përçarjet, si dhe pamundësitë dhe paralizimin brenda Këshillit të Sigurimit për të marrë ndonjë vendim të përbashkët mbi krizën në Siri, pasi Rusia e njohur si aleate e diktatorit sirian Assad dhe Kina kanë përdorur veton ndaj tri rezolutave mbi Sirinë, duke mos ndjerë keqardhje  për  humbjen e më shumë se 110,000 njerëz.  Iniciativa e sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për t’i paraqitur Këshillit të Sigurimit propozimin që Siria vet të shkatërrojë armët kimike brenda territorit sirian, e transferon zgjidhjen e këtij problemi në prag të derës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aty ku edhe e ka vendin dhe njëkohësisht ka mundësi të zgjidhë dilemën përballë, të cilës gjendet qeveria shqiptare në lidhje me këtë çështje përfundon analizën e tij z.Shkreli. Por zgjidhja përfundimtare e kësaj situate duket se do të lehtësojë nga ngërçi që ka mbërthyer edhe qeveritë e vendeve të përfolura në raport me NATO-n, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përsa i përket Shqipërisë, e cila është e interesuar për paqen dhe sigurinë, ky  lajm do të qetësojë disi popullin më të vuajtur  nga diktatura 50-vjeçare komuniste, por që nga koha  po barazohet  me tranzicionin 23 vjeçar të demokracisë  aq shumë të ëndërruar. Gjithsesi, reagimi i ambientalistëve  dhe vigjilenca e organizatave  të ndryshme  në Shqipëri  është pozitive dhe vlerë e shtuar e demokracisë së re shqiptare.

 “Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptar”, i kërkon Gjykatës Kushtetuese të kundërshtojë pranimin e Demontimit të Armëve Siriane në territorin e Republikës së Shqipërisë

 Gjykata Kushtetuese duhet të refuzojë armët kimike të Sirisë

 Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare është një organizatë jofitimprurëse, e cila ka në anëtarësinë e saj jurist avokatë, por edhe individë të profesioneve të ndryshme, por që kanë interes dhe njohuri mbi ligjet. Qëllimet kryesore të Shoqatës janë hulumtimi, denoncimi dhe ndjekja e rasteve të korrupsionit, shkeljes së të Drejtave të Njeriut dhe çdo akti apo veprimi tjetër antiligjor, që mund të kryhet nga ana e punonjësve të Administratës, punonjësve të policisë, prokurorëve, gjyqtarëve, etj.

Në Nenin 6, të Statutit të Shoqatës “SH.A.A.SH.”, ndër qëllimet dhe objektivat e saj renditen:

-pika 9: “Monitorimi dhe denoncimi i fenomeneve negative, që cenojnë shoqërinë shqiptare”;

-pika 10: “Inkurajimi, ndihma, përmirësimi dhe promovimi i parimeve të transparencës, drejtësisë dhe llogaridhënies nga ana e organeve publike, institucioneve administrative, gjyqësore, etj.”;

-pika 12: “Monitorimi i respektimit nga organet publike e shtetërore  dhe nga organet e ruajtjes së rendit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe denoncimi i rasteve të shkeljeve të këtyre të drejtave”;

-pika 13: “Monitorimi i ruajtjes së dinjitetit të qytetarëve, të drejtësisë ndaj shtetasve shqiptarë, rendit publik, pluralizmit, identitetit kombëtar dhe trashëgimisë, bashkëjetesës fetare dhe çdo të drejte që gëzojnë shtetasit konform legjislacionit në fuqi dhe denoncimi i rasteve kur konstatohen shkelje të këtyre të drejtave”;

-pika 27: “Lobimi për çështjet, që lidhen me jurisprudencën, ekonominë dhe çështje të ndryshme legjislative, që prekin pjesën më të madhe të shoqërisë”, etj.

Kohët e fundit është bërë publike në median e shkruar dhe në atë vizive tentativa për realizimin e një marrëveshjeje, sipas së cilës armët kimike siriane të demontohen në territorin e Shqipërisë. Nga informacionet që kemi, Siria ka deklaruar se janë 30 qendra ushtarake, ku regjimi sirian mbushte armatimet dhe 3 impiante, të cilat përmbajnë sasi të mëdha të armëve kimike. Sipas Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCË) janë rreth 1.000 ton armë kimike, 290 tonelata municion të mbushur dhe 1.230 municione të pambushura. Kjo nënkupton një dëmtim të mjedisit dhe shëndetit të popullsisë, duke u kthyer kështu në një shkelje të hapur ndaj jetës dhe shëndetit, si një vepër penale e kryer në masë ndaj shëndetit dhe jetës.

Arsyet, bazuar në ligj, Kushtetutë dhe Konventat, të cilat janë nënshkruar nga ana e Shqipërisë, janë si vijon:

1. Armët kimike rrezikojnë njerëzit dhe ambientin. Shqipëria është një vend me territor të kufizuar dhe me burime të shumta nënujore dhe shkalla e përhapjes së një rrjedhjeje të mundshme është me pasoja katastrofike.

Shqipëria është një vend rural, ku bujqësia përbën rreth 22% të PBB-së dhe merret 50% e popullsisë, ndaj përpunimi i lëndëve helmuese në territorin shqiptar do të sillte një goditje të drejtpërdrejtë vdekjeprurëse mbi industrinë e agroturizmit.

Bazuar në Nenin 59/d të Kushtetutës, “Shteti brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private synon: d) një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm;”

Nëse shteti shqiptar pranon importimin dhe demontimin e armëve siriane në Shqipëri ka shkelur nenin 59/d) të Kushtetutës.

2. Mungon kuadri ligjor për trajtimin e armëve kimike në vend. Në legjislacionin shqiptar nuk parashikohen rregullat e sigurisë, mbajtjes transportit, ruajtjes apo ndikimit në mjedis të armëve kimike apo nënprodukteve të tyre.

Bazuar në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Neni 2 dhe Neni 8, kryerja e një operacioni në kushtet e mungesës së kuadrit të brendshëm rregullues do të shkelte këto nene të Konventës.

3. Konventa për Ndalimin e Armëve kimike nuk lejon importin për qëllime asgjësimi. Sipas kësaj konvente lejohet importi i armëve kimike, vetëm për raste përdorimi për qëllime kërkimore shkencore, mjekësore, farmaceutike dhe të mbrojtjes nga kimikatet. Shtetet palë mund të kontribuojnë për dhënie fondesh, specialistësh, por jo për dhënie territori në funksion të shkatërrimit të këtyre armëve.
4. Konventa e NATO’s nuk e detyron Shqipërinë, që të importojë armë kimike nga Siria. Si pjesë e NATO-s, ne nuk jemi të detyruar të pranojmë importimin e armëve kimike siriane në territorin e Shqipërisë, ndaj nuk kemi pse të pranojmë diçka të tillë, e cila nuk është detyrim i ardhur prej marrëveshjes me NATO-n.

9. Mungesa e transparencës dhe diskutimit me publikun është një arsye tjetër e rëndësishme, e cila shkel Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Sipas Nenit 56 të Kushtetutës: “Kushdo ka të drejtë të informohet për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij”. Ndërkohë, që demontimi i këtyre armëve lidhet ngushtë me mjedisin dhe mbrojtjen e tij, nga ana e zyrtarëve të lartë të qeverisë nuk është kryer asnjë deklaratë dhe mungon tërësisht informimi i publikut, lidhur me këtë fakt. Të vetmet burime informacioni kanë qene mediat, kryesisht ato të huaja, ndërsa populli, i cili sipas kushtetutës është sovrani nuk ka asnjë informacion. Qeveria e ka mbajtur të fshehtë çështjen e importimit të armëve kimike nga Siria, ndërkohë që shteti është i detyruar të informojë publikun dh eta ftojë atë në diskutim, duke qenë se kemi të bëjmë me çështje, që ndikojnë direkt në sigurinë e tij.

10. Rreziku për turizmin. Shqipëria, me pasuri të shumta turistike rrezikon të kthehet në një destinacion toksik. Pasojat mbi turizmin mendohet të jenë në nivel të lartë negativiteti. Nuk ka raste precedentë të demontimit të armëve të një vendi në një vend tjetër dhe për këtë nuk mund të japim të dhëna konkrete, por rreziku mbetet i lartë. Askush nuk do të denjojë të vijë për turizëm në Shqipëri nga frika se mos demontimi i këtyre armëve kimike mund të sjellë pasoja të rënda në shëndetin dhe jetën e tyre. Në këtë mënyrë edhe të ardhurat nga turizmi do të ulen ndjeshëm.

Për sa më sipër, bazuar në ligj dhe në prova, mbështetur në Nenin 56, 59/d, 131, 134/f  të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; Nenet 2 dhe 8 të “Konventës së të Drejtave të Njeriut”, si edhe të “Konventës së Armëve Kimike” (nënshkruar nga Shqipëria më 13 janar 1993),

Kërkojmë nga ana e Gjykatës Kushtetuese: Kundërshtimin e Importimit dhe Demontimit të armëve Kimike Sirianë në territorin e Shqipërisë.

 

Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave: Qeveria shqiptare duhet të flasë për rrezikun që i kanoset popullit të saj

 Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave ka ndjekur me vëmendje debatin që po zhvillohet lidhur me transportimin, çmontimin dhe shkatërrimin në Shqipëri të armëve kimike që qeveria e Sirisë ka pranuar t’i dorëzojë sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB. Ky problem është bërë objekt diskutimi edhe në një mbledhje të posaçme të kësaj Akademie. Ne konstatojmë se në këtë fazë shqetësimi në rritje i shoqërisë civile dhe i opinionit publik ushqehet në mënyrë të shpërpjesëtuar nga mungesa e komunikimit të duhur me publikun nga ana e qeverisë dhe agjencive të specializuara të saj. Ai duhet të qartësonte dy elemente thelbësore të shqetësimit popullor: shkallën e vërtetë të rrezikshmërisë dhe mundësitë tona teknike për zbatimin e këtij projekti. Si pasojë, opinioni publik rrezikon të bjerë prè e vlerësimeve emotive, empirike dhe, ndonjëherë, spekulative, që qarkullojnë këto ditë nëpër mediat shqiptare dhe të huaja. Ne mendojmë se brenda hapësirave që, lejojnë angazhimet dhe detyrimet tona si një vend anëtar i NATO-s dhe karakteri i posaçëm i problemit, qeveria shqiptare duhet të sigurojë transparencën e nevojshme ndaj publikut. Kjo do të shpërndajë mjegullën mistifikuese që po thuret ndaj këtij problemi, i cili është bërë kaq i ndjeshëm, edhe për shkak të mungesës së informacionit të autorizuar. Problemi i sjelljes dhe i asgjësimit të armëve kimike siriane në Shqipëri, implikon marrëdhëniet e Shqipërisë me organizata globale, me OKB dhe, sidomos, me NATO-n. Si një vend kandidat i NATO-s dhe tashmë si anëtare e kësaj organizate, Shqipëria ka përballuar me sukses angazhime në skenarë të vështirë e të rrezikshëm lufte si, në Bosnjë, në Irak dhe në Afganistan. Këto angazhime kanë gëzuar mbështetje të njëzëshme të çdo qeverie shqiptare, të parlamentit të këtij vendi dhe të vetë popullit shqiptar. Në rastin e dislokimit e të asgjësimit të mundshëm të armëve kimike në territorin e Republikës së Shqipërisë, bëhet fjalë për një operacion me një potencial të lartë risku, çka kërkon domosdoshmërish që çdo vendimmarrjeje të paraprihet nga një analizë e thelluar dhe ponderim i hollësishëm i të gjithë faktorëve që do të mund të përcaktonin  kursin e një operacioni të tillë. Një vendimmarrje e pjekur dhe e bazuar, cilado qoftë ajo, do të eliminonte çdo keqkuptim apo krisje në marrëdhëniet e politikës shqiptare me partnerët dhe, sidomos, me popullin shqiptar, si sovran i këtij vendi. Është për të ardhur keq që institucionet tona shkencore, të lëna pas dore prej shumë vitesh, nuk kanë sot mundësinë të ofrojnë ekspertizë shkencore e teknike dhe ndihmesën e tyre në trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të një rëndësie të tillë për sigurinë tonë kombëtare. Kujdesi dhe mbështetja nga ana e qeverisë për këto institucioneve mbetet një detyrë e një rëndësie të veçantë.

Ne gjykojmë se, në kushtet kur qeveria shqiptare është kontaktuar zyrtarisht për çështjen në fjalë, mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nën kryesinë e Presidentit të Republikës, do të ishte hapi i duhur për ta ridimensionuar problemin dhe debatin e pakontrolluar që ai ka prodhuar, si edhe për ta vendosur atë brenda kuadrit të një diskutimi formal, autoritar dhe me pjesëmarrjen e të gjitha institucioneve që kanë të bëjnë me këtë problem.

Konkurrenca e fqinjëve ndaj turizmit shqiptar dhe justifikimi i shteteve të mëdha për nisjen e një lufte të mundshme në Siri

Importimi dhe demontimi i armëve kimike në Shqipëri është një ndër rreziqet më të mëdha mbi mjedisin. Shqipëria është e pasur me ujëra tokësore dhe nëntokësore. Bujqësia dhe blegtoria janë një ndër aktivitetet kryesore, në krijimin e të ardhurave financiare në zonat rurale. Nga ana tjetër këto produkte përdoren edhe për shitje, eksportim, si edhe për përpunimin e nënprodukteve të tjera ushqimore. Shqipëria është një ndër vendet tipike për realizimin e turizmit, ku ndërthuret turizmi malor, bregdetar, historik dhe kulturor. Ka pasur nisma e lëvizje të ndryshme lidhur me zhvillimin e turizmit në Shqipëri dhe po ndjehen hapa në rritje në lidhje me këtë fakt. Në një kohë që vendet fqinje po kalojnë një krizë të tillë ekonomike, pasuar me protesta dhe pakënaqësi nga masat e gjera të popullsisë, turizmi në këto vende sa vjen e po pëson rënie. Kjo pasqyrohet edhe me uljen e të ardhurave në këto shtete.

Mos vallë pas idesë për të sjellë armët kimike në Shqipëri, fshihet diçka tjetër, më e thellë se kaq?

Me të drejtë na lind mendimi se e gjithë kjo mizaskenë është në favor të shteteve tona fqinje, të cilat pretendojnë dëmtimin e mjedisit dhe të turizmit shqiptar, në mënyrë që konkurrenca të jetë në disfavorin tonë si vend?

Nëse do të realizohet importimi dhe demontimi i armëve kimike siriane në Shqipëri, gjë që nënkupton rrezikshmëri të lartë mbi mjedisin dhe shëndetin e njeriut, atëherë është normale që turistët nuk do të denjojnë të vizitojnë vendin tonë. Kulinaria sado e shijshme dhe me produkte dikur bio, më vonë nuk do zgjojë më interesin e turistëve, madje do i shohin produktet tona si kancerogjene dhe të rrezikshme për shëndetin e tyre. Nga ana tjetër ndotja e mundshme e atmosferës, ujërave, etj. shton refuzimin e turistëve për të vizituar dhe për të qendruar në vendin tonë. Një ide tjetër, që ne pretendojmë se mund të jetë arsyeja se pse është zgjedhur pikërisht Shqipëria, nga shumë vende të tjera mund të jetë edhe justifikimi për të filluar një luftë kundër Sirisë. Askush nuk di gjë, nëse ky arsenal armësh është i tëri, që Siria dispononte. Mund të ketë shumë të tjera. Dhe nëse Shqipëria do të pranojë importimin dhe demontimin e këtyre armëve, atëherë asnjëherë nuk i dihet nëse do të ketë të tjera armë, që do të sillen këtu apo jo. Një pjesë e kimistëve sqarojnë se demontimi i këtyre armëve, nëse kryhet konform kushteve të caktuara dhe nga profesionistë dhe specialist të fushës, nuk ka rrezik. E megjithatë kush na siguron se nuk do të ketë?! Shpërbërja e këtyre lëndëve kimike, duke i kthyer në gjendjen e tyre të mëparshme mund të derivojë, duke shkaktuar kontaminim të mjedisit dhe të popullsisë dhe duke sjellë pasoja të pariparueshme në shëndetin dhe në jetën e popullsisë. Nëse diçka e tillë ndodh, atëherë si do të reagojnë shqiptarët? Kuptohet që do të revoltohen, do të ngrihen në protesta e në kryengritje. Po shtetet e mëdha, që po tentojnë të na esjellin këtë bela, si do të reagojnë vallë? Kam një ëprshtypje se do të na ngushëllojnë përzemërsisht, do të na premtojnë që do të hakmerren ndaj kësaj padrejtësie që na është bërë nga Siria, duke qenë se janë armë siriane. Po pastaj? Me justifikimin e dëmeve të mëdha mbi mjedisin, shëndetin dhe jëtën e shqiptarëve të shkretë do ndërmarrin masa dhe do të fillojnë luftën ndaj Sirisë. Fundja kanë një arsye të vlefshme për ta bërë këtë.

Jemi bërë për të ardhur keq, që të na përdorin në këtë mënyrë kaq të paturpshme? Sepse dihet që ndonjë arsye pozitive dhe për interesat tona nuk ka në këtë mes.

Shqipëria rrezikon të kthehet në një territor rrezikshmërie të lartë, me pasoja fatale për shëndetin dhe jetën. E arsyetimi i kësaj zgjedhjeje nuk mund të jetë tjetër veç dy alternativave të shpjeguara më sipër, konkurrenca e shteteve fqinje në fushën e turizmit dhe/ose justifikimi për të filluar një luftë në Siri, e cila mund të shënjojë një pikënisje të një tjetër Lufte Botërore.

Cilado qoftë arsyeja, pjesa më e madhe e popullsisë nuk pranon importimin dhe demontimin e armëve kimike sirianë në territorin e tyre dhe kurrsesi nuk duhet të kthehemi në vegla të shteteve më të mëdha apo që të na gënjejnë si fëmijët dhe të na godasin pas shpine, një ndër burimet kryesore të të ardhurave dhe zhvillimit, siç është turizmi shqiptar.

“Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare” i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për kundërshtimin e importimit dhe demontimit të armëve kimike siriane në Shqipëri, duke e quajtur si një shkelje të Kushtetutës, Konventës Europianë të të Drejtave të Njeriut, si edhe të Konventës për Armët në Shqipëri, e cila është nënshkruar nga Shqipëria më 13 janar 1993.

Bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë, Neni 56: “Kushdo ka të drejtë të informohet për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij”

Askush nuk është informuar rreth këtij procesi. I vetmi burim kanë qenë mediat. Ndërsa qeveria, e cila e ka për detyrim me kushtetutë këtë nuk ka denjuar të përpilojë dhe shpërndajë asnjë broshurë, nuk ka transmetuar asnjë spot informativ në median vizive dhe s’ka dhënë asnjë lloj informimi.

Neni 59/d) i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë citon: “Shteti brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private synon: d) një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm;”

Importimi dhe demontimi i këtyre lëndëve të rrezikshme cënon mjedisin jo vetëm për brezat aktualë po edhe për shumë e shumë breza në vijim. Ky cënim i mjedisit shoqërohet me dëme të pariparueshme në shëndetin e njeriut deri në pasoja fatale me humbjen e jetës. Nga ana tjetër parimi i trashëgimisë gjenetike nuk i përjashton brezat pasardhës nga kjo e keqe.

Nëse qeveria shqiptare pranon këtë çështje, atëherë ajo shkel rëndë Nenet 2 dhe 8 të “Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut”, si edhe “Konventën për Ndalimin e Armëve Kimike”, të cilën e ka nënshkruar në janar të vitit 1993.

Bazuar në arsyetimet ligjore, kemi ngritur pretendimin tonë në Gjykatën Kushtetuese, sipas Kërkesës së paraqitur në këtë gjykatë. Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare nuk do të reshtë të mbrojë dinjitetin dhe jetën e shqiptarëve, sidomos në rastet e abuzimeve nga ana e personave të veshur me pushtet. Ligji është i barabartë për të gjithë dhe askush nuk ka të drejtë të cenojë askënd. E njëjta gjë vlen edhe në rastet e diskriminimit nga ana e shteteve të mëdha, siç është rasti konkret. Dinjiteti i shqiptarëve nuk mund të nëpërkëmbet në asnjë lloj mënyre dhe ne do të jemi zëri i qytetarëve në këtë të drejtë të tyre legjitime.