Propozimet e shoqatave të ushtarakëve dhe farsa e ligjit të ri të “Rilindjes”

686
Propozimet e ushtarakëve
Shoqatat e ushtarakëve hartuan kërkesat, përmes të cilave kërkojnë ndërhyrjen përfundimtare që do t’i japë zgjidhje problemit të tyre afatgjatë. Në shkresën që i dërguan deputetëve ata paraqitën dy pika kryesore, për të cilat kërkuan edhe pjesëmarrjen në diskutimin e projektligjit. Sipas tyre është kryer një precedent në fushën e shkeljes së të drejtave e lirive themelore të ushtarakëve në pension e lirim, të cilët kanë ndërprerë karrierën për shkak të reformës në FARSH. Në mënyrë të detajuar ata paraqitën kërkesat e tyre, të cilat nuk u morën parasysh nga ligjvënësit. Komuniteti i ushtarakëve i rikujtoi premtimet elektorale të koalicionit aktual gjatë fushatës elektorale tё vitit 2013, i cili ka qenë si vijon “Për ushtarakët do të zbatojmë vendimin Nr.33, datё 24.06.2010, tё Gjykatës Kushtetuese. “Ligji i parë që do tё anulojmë do të jetë Akti Normativ Nr.5, datë 10.11.2010, të cilin do ta kalojmë në parlament brenda vitit 2014. Do të zbatojmë, Statusin e Ushtarakut të vitit 2004”. Ushtarakët kujtuan se kryesocialisti premtoi për zbatimin e ligjit për pensionet e ish-ushtarakëve, një ligj i cili sipas PS-së është shkelur me një akt normativ antikushtetues, ndërkohë që këtë të drejtë ish-ushtarakët e rimorën, në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2010.
Ja ligji i plotë në Fletore Zyrtare

Ligj,nr. 46/2016, për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare, nga rillogaritja e pensioneve, në zbatim të ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, Mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi I Republikës së Shqipërisë vendosi:
Neni 1

1. Falen detyrimet e papaguara, që kanë rrjedhur nga rillogaritja e pensioneve, bazuar në përcaktimet e ligjit nr. 10 142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr. 10 367, datë 23.12.2010, “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 5, date 10.11.2010, “ Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr. 10 142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, sipas gjendjes së tyre në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2. Shumat e detyrimeve të krijuara nga rillogaritja e pensioneve, sipas pikës 1, të këtij neni, të paguara nga personat përfitues, në harkun kohor dhjetor 2010 deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kthehen personave që u janë mbajtur, brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 2

Detyrimet e ushtarakëve, që janë krijuar si pasojë e zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për njohje të masës së përfitimit pas datës 1.7.2009, në kundërshtim me formulën e llogaritjes së pensionit të parakohshëm, të përcaktuar sipas ligjit nr. 10 142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nuk falen.

Neni 3

Falen detyrimet që do të krijohen si pasojë e rillogaritjes së pensioneve, sipas dispozitave të ligjit nr. 10 142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për ata ushtarakë, për të cilët rillogaritja nuk është kryer deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 4

Brenda 3 muajve, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Punëve të Brendshme të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm për rillogaritjen e përfitimeve. Me përfundimin e këtij afati, detyrimet që rrjedhin nga rillogaritja nuk falen. 

Neni 5

Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij ligji. Procedurat e zbatimit të faljes së detyrimeve të papaguara miratohen nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe zbatohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Neni 6

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e nenit 1 të këtij ligji.

Neni 7
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Miratuar në datën 28.4.2016 Shpallur me dekretin nr. 9598, datë 16.5.2016, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani 
Sigal