Pronarët kundër ligjit të ri për pronat

77
Pronarët e tokave kanë kundërshtuar projektin e qeverisë për pronat, duke e konsideruar atë si një draft, i cili i dënon ata, por zvogëlon faturën financiare për buxhetin. Përfaqësuesit e pronarëve u shprehen se ligji i ri është në kundërshtim më nenet e Kushtetutës dhe Kartës Europiane të të drejtave të njeriut. Një nga pikat qe pronarët nuk bien dakord është përllogaritja e tokës me të cilën qeveria parashikon të kompensojë.
Dje qeveria bëri prezantimin publik të reformës, me anë të të cilës synohet t’i jepet zgjidhje përfundimtare çështjes së pronës në vend. Ligji i ri vendos një afat 3-vjeçar për shqyrtimin e 9300 dosjeve, afat 6 mujor për të gjithë ata që nuk kanë patur mundësi të aplikojnë deri më tani për njohje pronësie. Ndërsa për vlerësimin e kompensimit financiar për 26 mijë dosje të tjera që u është njohur e drejta e pronësisë ka afat 3 deri 4 vite. Ndërkohë për çeljen e fondit me vlerë mesatare vjetore 5 miliardë lekë, për kompensimin e pronarëve për një afat 10-vjeçar.
Sekretari i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me drejtësi”, Agim Toro ka thënë se nuk ka më kthim të pronës, por ka kompensim si dhe do të bëhet sipas interesit të qeverisë. Ndërkohë, kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka hedhur poshtë këto pretendime si dhe ka shpjeguar formulën për kompensimin financiar të të gjitha dosjeve që do të shqyrtohen.
Agim Toro tha se shtyrja e afatit të legalizimit thellon më tej problemet sa i përket zgjidhjes së çështjeve të pronësisë. Por, drejtoresha e AKKP-Së, Sonila Qato, i ka shpjeguar se ligji i ri heq pengesat që me legjislacionin aktual bllokonte njohjen e pronësisë deri me përfundimin e legalizimeve.