Pronarët e tokës duan burgun e të miturve në Pogradec

633
Ka qenë një nismë e ish Ministrit të Drejtësisë Fatmir Xhafaj në vitet 2000 i cili me një ndihmë të siguruar nga qeveria daneze dhe nevojat për të pasur një burg për të miturit mori një vendim për të ngritur në afërsi të fshatit Piskupat, pak km larg qytetit të Pogradecit, tek ish ndërtesa e minatorëve të kromit. Ministria e Drejtësisë bëri transferimin e ndërtesës së fjetoreve të punëtorëve të kromit nga Ministria e Industrisë dhe minierave tek ajo e Ministrisë së Drejtësisë dhe filloi rindërtimin nga e para. Ndërtesa ishte katër katëshe e cila kishte 64 dhoma duke pasur nga 16 dhoma për çdo kat. Punimet u kryen nga një firmë ndërtimi nga Tirana e cila ka kryer punime cilësore ku përveç punimeve në dhomat e ndërtesës në qendër u ngrit një kompleks zyrash, menca e re, ambientet sportive dhe ato të ajrosjes. Kur ndërtesa ishte në përfundim krejt dhe kishin ngelur vetëm vendosja e xhamave dhe hekurat e dritareve dhe pajisje, ndërrohet pushteti në vitin 2005 dhe prej dhjetë vjetësh kjo ndërtesë ka ngelur në atë pikë që ishte në momentin e para 10 vjetësh. 
Por ç’farë ndodhi më pas me këtë burg? 
Ministria e Drejtësisë e cila e ka në inventar këtë burg të ri të sapo përfunduar por prej 10 vjetesh të papëruruar. E ndodhur përpara kësaj situate Ministria e Drejtësisë meqenëse i ngeli dopjo gjashta në dorë ka caktuar 4 policë nga Pogradeci të cilët prej 10 vjet ruajnë ndërtesën e burgut të të miturve pasi sipas burimeve zyrtare qeveria daneze për ngritjen e këtij burgu ka dhënë një fond prej gati 2 milion euro…Katër policë të veshur më uniformën e policëve me stemën e Ministrisë së Drejtësisë prej 10 vjetësh ruajnë këtë objekt i cili ngjan tashmë me një monument kulture. Policët thonë vetëm se varen nga burgu i Peqinit nga dhe marrin edhe pagat, pasi janë në të njëjtën organikë me policët e burgut të Peqinit. Ata nuk japin asnjë të dhënë, madje nuk të lejojnë për t’u futur në ambientet e brendshme. Sipas tyre kanë ardhur disa herë disa drejtues të Ministrisë së Drejtësisë dhe kanë parë objektin pa bërë asnjë koment. Sipas burimeve të mirinformuara burgu i Pojskës nuk u vu në përdorim pasi qeveria Berisha që erdhi në pushtet në vitin 2005, edhe pse kishte burgun gati për të prerë shiritin, çuditërisht ndërtoi një burg për të miturit në Kavajë! Askush nuk përcakton fatin e kësaj ndërtese. Kryetari i komunës së Hudënishtit Durim Toska që ka në territor ndërtesën e burgut të të miturve thotë për gazetën “Telegraf” se nuk di asnjë gjë se çfarë do të bëhet me këtë ndërtesë ku u harxhuan miliona euro. Kryetari i Komunës së Hudënishtit thekson për gazetën “Telegraf “ thotë se askush nuk përcakton fatin e saj por një gjë është e vërtetë se pronarëve që kanë tokën aty ku është ndërtesa iu është hapur oreksi që ta privatizojnë dhe të ngrenë ndonjë shtëpi pushimi pasi aty është gjithçka gati dhe ndodhet në zonën më piktoreske fare pranë liqenit. Një studio avokatësh nga Tirana tashmë kanë filluar procedurat për ta marrë këtë ndërtesë. Të vjen vërtet keq kur këtu janë lëvruar miliona euro dhe prej 10 vjetësh ndërtesa e ndërtuar për burgun e të miturve qëndron e heshtur dhe pa i shërbyer funksionit për të cilën janë shpenzuar jo pak …dhe vazhdon të hajë përsëri lekë po të bësh një llogari të thjeshtë për dhjetë vjet rrogën e katër policëve …! 
Sigal