Promemorie e akademikut Alfred Uçi për riorganizimin e Akademisë së Shkencave

599
Vijon nga numri i kaluar

5) Senati i Akademisë së Shkencave
Senati përbën një pleqësi, që ka të drejtën të kontrollojë zbatimin e Autonomisë së ASH, si brenda sistemit të saj, ashtu edhe në raport me qeverinë dhe Presidentin e Republikës, (pak a shumë ashtu siç funksionon senati në Universitete). Senati i ASH është garanti e kontrollit e zbatimit të Statutit të ASH. Për funksionimin dhe strukturën e Senatit të ASH duhet të ketë një rregullore të veçantë, ku të përcaktohen përgjegjësitë dhe kompetencat e tij. Në senat duhet të ketë përfaqësues (dy-tre) nga Asambleja e Akademikëve, nga Anëtarët Korrespondentë (dy-tre), nga Këshilli i drejtorëve (dy-tre), nga drejtues të organizmave të tjera të ASH (dy-tre), si dhe përfaqësues të Këshillit të Ministrave (një), nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Financave. Senati mblidhet një deri dy herë në vit. Pagesa e tij bëhet njëlloj si pagesa për anëtarët e këshillave shkencore të instituteve të ASH.
6) Seksionet e shkencave të ASH
Deri tani ka pasur dy seksione: Seksioni i shkencave shoqërore dhe Seksioni i Shkencave natyrore e teknike. Kjo ndarje nuk reflekton karakterin e përgjithshëm përfaqësues të shkencës e të kulturës së vendit. Në propozojmë të ketë më shumë se dy seksione.
1) Seksioni i Shkencave natyrore e teknike
2) Seksioni i shkencave ekonomiko-financiare
3) Seksioni i shkencave juridike e politike
4) Seksioni i shkencave albanologjike
5) Seksioni i shkencave sociale
6) Seksioni i studimeve dhe i krijimtarisë letrare-artistike.
Pavarësisht nga gjendja e sotme e instituteve dhe qendrave studimore brenda sistemit të ASH, është e nevojshme që Seksionet të përfaqësojnë më mirë se deri tani në shkallë vendi shkencën e kulturën kombëtare. Çdo Seksion do të përfaqësohet sipas specialistëve nga Akademikët përkatës, Anëtarët korrespondentë dhe specialistë të shquar, profesorë dhe doktorë të shkencave brenda sistemit të ASH dhe jashtë tij, nga Tirana dhe nga rrethet e vendit, sipas profileve dhe specialiteteve kryesore të Seksioneve dhe të përafërta me to. Kur ka vetëm një Akademik ose kur mungon ndonjë i tillë në sejcilin Seksion mund të zgjidhet si drejtues i Seksionit edhe ndonjë nga radhët e Anëtarëve Korrespodentëve. Seksionet marrin vendime me shumicën e thjeshtë të votuesve’,-dhe vendimet e tyre mund të jenë të detyrueshme ose këshillimore. Seksionet mblidhen jo më pak se katër herë në vit, kryesisht për problemet e veçanta të shkencave përkatëse që mbulojnë. Anëtarët e Seksioneve shpërblehen për pjesëmarrje në punimet e tyre sipas rregullit të shpërblimit të anëtarëve të këshillave shkencore të instituteve.
Ristrukturimi e reformimi duhet të shtrihet edhe në strukturën dhe funksionet e Instituteve dhe të Qendrave shkencore që janë në vartësi të ASH
Ka shumë probleme rreth strukturës dhe funksioneve të Instituteve dhe të Qendrave, që meritojnë të diskutohen si mund të bëhen më të thjeshtë në struktura, më dinamike e moderne në funksionet, dhe më pak të kushtueshëm nga pikëpamja financiare? A duhet të mbeten institutet me ato struktura që kanë dhe si duhet të jenë sektorë ose qendra të tjera që mund të jenë të domosdoshme? Në kohën e monizmit mbizotëronte koncepti i krijimit të instituteve me struktura shumë të gjëra dhe të ndërlikuara, me personel të shumtë e të tepërt, me sektorë ndihmës të dublojnë njeri-tjetrin, me dublime të panevojshme administrative dhe sektorë financiarë, kartoteka, arkiva, laboratorë, arkiva etj. të veçanta. A duhet të qëndrojnë të bashkuar sektorët e historisë së letërsisë me ata të gjuhës ose a duhet të qëndrojë e ndarë Qendra e studimeve artistike me sektorët e historisë së letërsisë. Këta a duhet të përfshiheshin në Seksionin e Studimeve dhe të krijimtarisë letrare artistike? Raporti i studimeve letrare e historiko-letrare e artistike me fakultetet përkatës të universiteteve dhe të Akademisë së Arteve? Mos vallë mund të bashkohet Instituti i Arkeologjisë me Institutin e Historisë? A nuk mund të shndërrohet IKP në profil muzeal? Cili do të ishte profili i studimeve të Institutit të Historisë dhe i Letërsisë në qoftë se do të mbeten siç janë? Ç’duhet të studiojë Qendra e Studimeve artistike? Ka shumë probleme që mund të diskutohen edhe për qendrat e institutet e tjera. Studimet gjeografike mund të bashkohen me studimet ekologjike dhe të bashkohen me Seksionin e shkencave shoqërore. Mos vallë mund të bashkohen sipas seksioneve institutet e qendrat ekzistuese? Si për shembull Instituti i shkencave albanologjike, si ai i Kosovës, që funksionon mjaft mirë dhe me shpenzime të pakta e pa dublime të panevojshme duke pasur për gjithë sistemin e ASH një sektor financiar, një bibliotekë, një arkiv e një sektor administrate? Si mund të bëhen më pak të kushtueshëm dhe më funksionalë dhe më vetëfinancues institutet e qendrat shkencore të ASH? Si mund të luftohet megallomania moniste në organizimin e ASH e institucioneve të saj me struktura të rënduara, me punonjës parazitarë dhe me bashkëpunime të dobëta, sporadike e të rastit me studiuesit e shkencëtarët e jashtëm, privatë, mësuesit e shkollave dhe pedagogët e fakulteteve të universiteteve, brenda e jashtë vendit, sidomos me Kosovën, Maqedoninë etj. Diskutimi i këtyre problemeve duhet të nisë në Institutet e Qendrat dhe pastaj edhe në organizmat më lart të ASH me pjesëmarrje edhe të studiuesve jashtë sistemit të ASH.
IV. Riorganizimi dhe reformimi i ASH 
Reforma duhet të ndikojë që të përmirësohet përgatitja e kuadrove të kualifikuara shkencore për institucionet dhe qendrat e saj shkencore. Sistemi i sotëm nuk ka dhënë rezultate pozitive. Një numër i madh specialistësh të saj janë larguar nga Shqipëria, edhe specialistët e rinj, që formohen në sistemin e ASH, pas katër-pesë vjetësh largohen jashtë shtetit. Në shumë qendra e institute të ASH s’ka asnjë specialist që të jetë përgatitur në universitete jashtë vendit, madje edhe ata që kanë qenë përgatitur janë larguar në punë të tjera. Është e domosdoshme për perspektivën që të gjenden rrugë për të stimuluar kthimin e specialistëve që punojnë jashtë vendit dhe përgatitjen e specialistëve të rinj, me kontrata që t’i detyrojnë të rikthehen në ASH pas specializimit dhe kualifikimit jashtë shtetit. Duhet të përsoset dhe pranimi i forcave të reja shkencore në institucionet e saj, që të mos vazhdojë të vijnë amatorë që nuk gjejnë punë jashtë saj. Duhet të caktohen detyra të qarta e të rëndësishme shkencore dhe të përsoset mekanizmi i realizimit të tyre dhe e stimulimit të punëve të mirëfillta shkencore, duke shmangur përsëritjen dhe botime të vjetruara, të hartuara këtu e 10-15 vjet të shkuara. Për këtë qëllim duhet të bashkëpunohet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Qeverinë që të përsoset sistemi i kualifikimit universitar e pasuniversitar, brenda e jashtë vendit dhe rikthimi i specialistëve nga jashtë.

-Vijon –
Sigal