Prokuroria zbarkon në zyrat e ministrit Beqaj

562
Sigal

Maskarada në shëndetësinë shqiptare. Protesta e bluzave të bardha dhe testimi i paligjshëm i tyre është vetëm maja e ajsbergut

Organet e hetimit kanë zbarkuar dje në zyrat e Ministrisë së Shëndetësisë. Por, ndërsa organet hetuese rrëmonin për dosje tenderësh dhe prova të ndryshme të fshehura në dokumente “sipas rregullave”, të cilat do të provojnë akuzat dhe denoncimet e shumta të bëra ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, burime nga MSH bëjnë me dije se Ilir Beqaj nuk ka qenë fare në Shqipëri. Nuk dihet nëse kjo mungesë e ministrit Beqaj është e qëllimshme apo e rastësishme, porse natyrshëm lind pyetja: A kishte dijeni Beqaj për “pushtimin” e zyrave të ministrisë së tij nga organet hetuese shqiptare?

* * *

Nëse shkojmë pas, do të kujtojmë se kanë qenë të shumta denoncimet publike ndaj problematikave tejet të mprehta dhe jetike, të shfaqura në sistemin tonë shëndetësor gjatë kohës, që menaxhimin e tij e mori në dorë ministri Beqaj. Të shumta kanë qenë denoncimet e vetë pacientëve apo familjarëve të tyre, si pasojë e një shërbimi të cunguar mjekësor, sidomos në periferi, por edhe nga mungesa e shërbimeve të specializuara, gjë që i ka detyruar qytetarët shqiptarë që t’u drejtohen klinikave dhe spitaleve private brenda e jashtë vendit, duke paguar shuma që rëndojnë së tepërmi xhepat e tyre. Shpeshherë, mungesa e cilësisë së shërbimit shëndetësor në spitalet publike, apo mungesat edhe të pajisjeve më elementare mjekësore, kanë sjellë konflikte që kanë degjeneruar edhe në konflikt fizik midis bluzave të bardha dhe pacientëve. Keqmenaxhimi i sistemit tonë shëndetësor dhe politika të gabuara të ministrit Beqaj, kanë paracaktuar “falimentimin”, duke bërë që edhe ato pak para publike që i jepen shëndetësisë, të humbin aferave korruptive në tendera dhe prokurime publike. Është kundërshtuar fort nga përfaqësitë e kompanive farmaceutike ndërhyrja në dokumentet e tenderit të barnave, duke hequr autorizimin e prodhuesit dhe vërtetimin e regjistrimit të barnave nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, veprim që sipas kompanive farmaceutike do të sillte lulëzimin e tregut të zi në shëndetësi. Sipas tyre, me ndërhyrjen e ministrit në dokumentet e tenderit, ekzistonte mundësia që biznese të ndryshme të sjellin barna të pakontrolluara (falsifikuara), që mund të jenë të pasigurta dhe mund t’i sjellë kushdo… Përfaqësitë e kompanive farmaceutike paralajmëruan mbushjen e tregut tonë farmaceutik me barna të falsifikuara, me treg nga Turqia, India, Kina etj., duke rrezikuar në këtë mënyrë jetën e qytetarëve shqiptarë. Të shumta kanë qenë denoncimet e qytetarëve, të cilat vijojnë aktualisht në lëvizje qytetare të organizuara, në denoncime barnash të falsifikuara, të cilat nuk kanë asnjë lloj efekti trajtues te pacientët, përkundrazi sjellin përkeqësimin e shëndetit të tyre. Porse nuk kanë qenë vetëm përfaqësitë e kompanive farmaceutike që kanë parashikuar këtë situatë degraduese të shëndetësisë sonë. Kështu, kompanitë biomedikale për aparatura mjekësore, përfaqësi të firmave serioze që operojnë në tregun shqiptar prej shumë vitesh, kanë kërkuar nga ministri Beqaj të ndërhyjë në specifikimet teknike për të mos paracaktuar në këtë mënyrë fituesin, por të zhvillojë një tender të drejtë dhe të bazuar në konkurrencë. Çuditërisht, ministri jonë i Shëndetësisë është akuzuar drejtpërsëdrejti dhe publikisht nga grupe interesi, por dhe nga media të ndryshme për mënyrën e organizimit dhe realizimit të prokurimeve si të barnave ashtu dhe të materialeve mjekësore, duke e akuzuar për klientelizëm dhe për afera korruptive. Një tjetër skandal në shëndetësinë shqiptare është dhënia me koncesion e shërbimeve shëndetësore privatit. Mjafton të kujtojmë këtu depistimin e popullsisë nga mosha 40-65 vjeç, që ka hasur në një opozitë të fortë përsa i takon kompanisë fituese, por edhe të paracaktuar si të dështuar, ende pa filluar mirë. Ndërsa në dështimin e radhës të ministrit Beqaj, numërohet menaxhimi i burimeve njerëzore, që denoncojnë keqtrajtimin dhe diskriminimin e tyre nga drejtuesit e shëndetësisë. Militantët kanë zëvendësuar profesionistët në pozicione drejtuese, ndërsa diskriminimin e përligj tashmë testimi i pabazuar në ligj i bluzave të bardha, i cili edhe pse i kundërshtuar fort nga grupet e interesit duket se nuk i bën asnjë përshtypje z. Beqaj. Shëndetësia shqiptare është kthyer në një xhungël të vërtetë dhe dirigjent i saj është ministri Beqaj. Porse tashmë, abuzimi sipas “rregullave” në sistemin tonë shëndetësor është në duart e organeve hetuese.