Prokuroria zbardh skemën e abuzimit me 400 mijë euro sponsorizime të Portit të Durrësit

465
Sigal

APD ka dhënë 30 mijë euro për shfaqje dhe libra pa vlerë

 Prokuroria  e Durrësit, pas afro 3 muaj hetime, duket se, veç  të tjerave, ka zbardhur në detaje edhe abuzimin e Autoritetit Portual Durrës dhe vendimeve antiligjore të Këshillit Mbikëqyrës, lidhur me sponsorizimin e personave që kërkonin  para për botime librash apo premiera  shfaqjesh. Burimet  nga organi  akuzës  i thanë “Telegraf” se “pas abuzimit me tenderat, apo edhe shkeljet e tjera ligjore në APD tashmë kemi zbardhur edhe skemën e abuzimit me paratë e shtetit, lidhur me sponsorizimet, janë mbi 400 mijë euro që nuk justifikohen nga pretendimet për “fondin vjetor të marketingut”, por që janë dhënë për premiera dramash, shfaqje artistike, botime librash, shumica e tyre nuk gjenden as në treg, pra  kemi të bëjmë me mashtrime dhe vjedhje të hapur”. Organi akuzës pritet të thërrasë për të dëshmuar të gjithë personat që kanë marrë para padrejtësisht nga Autoriteti  Portual Durrës, ndërkohë që mësohet se lista e tyre i kalon 35 vetët. Mes tyre ka njerëz të medias, publicistikës apo edhe të artit, politikanë e deputetë, madje ka edhe farefis të ndonjërit që ka marrë njëherësh nga APD 30 mijë euro për gjoja “shfaqje artistike dhe turne në rrethe”. Vjedhja e madhe që ka ndodhur në 8 vite me paratë e Portit, mbetet edhe  megaskandali që ka zbuluar ndonjëherë Kontrolli Lartë i Shtetit në Durrës. Shkeljet dhe abuzimet kanë marrë nën përgjegjësi penale ish-drejtorin e APD, Eduart Ndreu, si dhe 6 zyrtarë, mes tyre edhe një jurist si bashkëpunëtor të tij. Por hetuesit kanë vendosur të thërrasin për të dëshmuar dhe pse jo edhe për t’i zhdëmtuar arkës së shtetit paratë, edhe përfituesit apo  mashtruesit e milionave nga fondi i sponsorizimeve që ka patur APD. Në afro 5 raste, një prej këtyre përfituesve ka marrë nga  arka e APD mbi 30 mijë euro, duke patur si justifikim verbal vetëm një kërkesë drejtuar Këshillit Mbikëqyrës, i cili ka votuar me shumicë “PRO” miratimit, duke hedhur në koshin e plehrave kërkesa nga jetimë, të moshuar apo të vobektë që kishin nevoja jetike për kurim apo mbijetesë. Ajo që ka ndodhur me paratë e portit të Durrësit, klasifikohet  si një vjedhje e madhe me paratë e shtetit, pasi grupi që administronte dhe përvetësonte milionat që nuk u dihet adresa se ku përfundonin, sot po tenton të blejë edhe hetuesit e dosjes penale. Me anë të disa personave që hiqen si “njerëz me influencë ”, ata po mundohen  t’u bëjnë presion hetuesve për ta mbyllur në heshtje dosjen e APD, ku padyshim nuk u vjen keq  për ish-drejtorin Ndreu e kompani, por për publikimin e emrit të tyre në listën emërore të atyre që kanë qenë bashkëfajtorë në vjedhjen e parave të portit. Mësohet se hetuesit të gjendur nën  presion nga  persona të njohur për intriga e mashtrime, kanë vendosur t’i drejtohen Ministrisë së Drejtësisë për t’i hapur rrugën një tjetër procesi penal, duke kërkuar dhe saktësuar nevojën e përgjimit telefonik si pjesë e hetimit. Vjedhja e parave të portit në Durrës, ka qenë pjesë e intrigave dhe mashtrimeve nga celula që njihet edhe sot në qytetin bregdetar si  “ajka e mashtruesve të pasuruar me lidhje të dyshimta”. Prokuroria e Durrësit e ndodhur përballë fakteve flagrante ka vendosur përballjen me celulën e mashtruesve, duke qëndruar e palëkundur në zbatimin e ligjit dhe kthimin e milionave të vjedhura në arkën e shtetit. Në rast të kundërt, ndaj çdo përfituesi që ka marrë para nga porti, do të nisë ndjekja  penale e cila parashikon gjobë 5 milionë lekë deri 3.5 vjet burg. Një pjesë e këtyre parave janë përdorur edhe për aktivitete biznesi të cilat janë ngritur me letra dhe certifikata pronësie të falsifikuara.