Prokuroria të hetojë drejtuesit e Metrologjisë për matësit e karburantit, energjisë dhe ujit!

55

Prokuroria nis hetimet edhe ndaj DMP-së moskallëzim penal për vjedhjen e karburanteve

Vjedhja-fakt e karburantit

Nga 801 pajisje furnizimi me karburant të kontrolluara muajin gusht nga Drejtoria e Metrologjisë, 93 të tilla rezultuan jashtë afateve ligjore të kontrollit metrologjik.

Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, nuk shikon se ka vepër penale

Një dite pas deklarimit publik të Drejtorisë së Metrologjisë për zbulimin e 14 subjekteve që merren me tregtinë e karburanteve, të cilat mashtronin konsumatorët duke vjedhur në sasinë e karburanteve që shisnin,  Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me abuzimet pikat e karburantit. Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar zyrtarisht këtij institucioni që të paraqesë kallëzim për ndjekje penale ndaj këtyre subjekteve.  Por edhe pasi ka kaluar të paktën dy javë nga ajo ditë, Drejtoria e Metrologjisë nuk ka paraqitur asnjë kallëzim ne organin e hetimit. Drejtoresha e Metrologjisë thotë se 14 subjektet që abuzojnë me sasinë e karburantit nuk janë kallëzuar në  prokurori pasi ato klasifikohen si kundravajtje administrative. “Të gjitha rastet ne i kemi cilësuar si kundravajtje administrative dhe nuk shikojmë elemente të veprës penale. Ne padisim kur konstatojmë që ka vepër penale. Në këtë moment ne kemi të bëjmë me vetëm me kundravajtje administrative”, tha Mesiti. Drejtoria e Metrologjisë deklaroi se nuk mund t’i beje publike emrat e subjekteve tregtare që mashtrojnë konsumatorët, pasi sipas interpretimit që i bën ligjit, cenohet privatësia dhe interesat e bizneseve. Por ndërsa nuk i deklaroi për publikun këta emra, pra për konsumatorin që paguan faturën e mashtrimit, ky institucion nuk i ka deklaruar emrat as për organin e Prokurorisë, gjë të cilën e ka për detyrë ligjore, duke u mjaftuar vetëm me vendosjen e gjobave modeste, çka i hap Prokurorisë të vërë përballë akuzave të fshehjes së krimit, ndoshta edhe drejtuesit e këtij institucioni.

Prokuroria hetim penal edhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë

Burime pranë organit të Prokurorisë së Tiranës, pohuan se njësia Task-Force do të nisë hetimet kryesisht ndaj subjekteve tregtare për evazion fiskal, mashtrim dhe vjedhje. Dhe, nëse do të ketë prova për këto dyshime, atëherë do të vihen nën akuzë edhe vetë drejtuesit e Metrologjisë për fshehje dhe moskallëzim krimi. Sipas prokuroreve, ky institucion e ka për detyrë ligjore që, në rastet kur konstaton mashtrime në treg, veç ndëshkimeve administrative, duhet të paraqesë edhe kallëzim për ndjekje penale, ndaj subjekteve që mashtrojnë, bëjnë evazion fiskal, apo vjedhin konsumatorin. Por gati një javë që organi i akuzës ka bërë këtë kërkesë,nga Drejtoria e Metrologjisë ende nuk është kthyer një përgjigje. Pas kësaj të njëjtat burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se do të nisë një hetim kryesisht, pa patur një kallëzim të regjistruar për këtë problematikë. Ndërsa Prokuroria sqaron se në qoftë se nuk i vihet në dispozicion materiali nga Drejtoria e metrologjisë mund të nisë edhe një hetim për këtë institucion për moskallëzim krimi.

DPM-ja fsheh edhe evazionin fiskal të hidrokarbureve

Drejtoria e Përgjithshme, duke mos e denoncuar  në prokurori, vjedhjen e karburanteve, nga matësit, favorizon edhe evazionin fiskal. Po të llogaritim sasinë e hidrokarbureve që harxhohen nga mjetet e administratës publike, etj,  shuma vjetore në vit është mbi 700 milionë euro, ndërsa deklarohen vetëm 250 milionë euro. Nga vjedhja e matësve, nuk llogaritet sasia e hidrokarbureve që i shpëton evazionit fiskal. Mund të kenë përgjegjësi këtu edhe doganat e tatimet, por , nëse DPM-ja, do të kishte matës të kolauduar e të kontrolluar të shitjeve të karburanteve, do të evidentohej sasia e vërtetë e hidrokarbureve që shiten dhe diferenca midis sasisë së doganuar e tatimuar dhe sasisë së shitur, do të evidentonte se ku është evazioni fiskal. Ndaj, vjedhja është kaq e madhe, saqë gjithë personeli i DPM-së duhet të hetohet nga prokuroria dhe të shkojë në burg për shpërdorim të detyrës, sikurse ndodhi edhe 2 vjet më parë, me 15 punonjës të DPM-së, që shkuan në burg, për të njëjtat shkelje penale, në kohën që ministër i METE-s ishte Nasip Naço.

 

CEZ-i vjedh shqiptarët me matësit e energjisë elektrike

Tashmë janë bërë qindra e mijëra ankesa e kallëzime penale për matësit e energjisë elektrike të CEZ-it që matin më shumë sesa konsumi real kilovatorët e energjisë elektrike. Ankesat janë bërë edhe në ERE, por edhe në prokurori, megjithatë, askush nuk është shqetësuar. Edhe në këtë rast Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë e ka për detyrë që të verifikojë këto ankesa të qytetarëve dhe të bëjë kontrollin e matësve të energjisë elektrike. Madje, sipas ligjit, matësit e energjisë elektrike duhet t’i kolaudojë Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, dhe jo CEZ-i. Në të dy rastet, si në vjedhjen e karburanteve, edhe në vjedhjen e energjisë elektrike, nëpërmjet matësve, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë e ka ditur prej kohësh problemin, por asnjëherë më parë nuk është shqetësuar, sepse, gjithnjë mbron interesat e monopoleve dhe aspak konsumatorët dhe shqiptarët. DPM-ja duhet të bëjë publike, se ku i ka  laboratorët  e saj, që kolaudojnë matësit e kilovatorëve dhe të ujit. Përse i mban të fshehtë këta laboratorë të kolaudimit të matësve?

Vjedhja me tensionin  e ulët, DPM-ja nuk kontrollon asnjëherë

DPM-ja, gjithashtu, nuk ka bërë asnjëherë kontroll te CEZ-i se me çfarë tensioni e furnizon konsumatorin. Sepse, CEZ-i i vjedh konsumatorët edhe duke përcjellë tension të ulët, ndërkohë që matësi regjistron kw, ndërsa konsumatori, për të njëjtën përdorim, përdor më shumë kilovatorë, kur tensioni është i ulët, ndërsa matësit matin kilovatorë më shumë. Kështu, p.sh, nëse për të ngrohur një dush do të duhen 1 kw, me tension 220 volt, kur tensioni është 170-180 volt, do të duhen 2 kilovatë, kështu që konsumatori paguan dyfishin e energjisë, për të njëjtin përdorim. Kjo është vjedhje e CEZ-it, sepse DPM-ja nuk zbaton ligjin, nuk kontrollon asgjë!