Prokuroria të hetojë 56 krimet ekonomike-financiare, që “Kurum” ka bërë me pasuritë e shqiptarëve

50
(Vijon nga numri kaluar) 
Askush prej institucioneve të shtetit nuk deklaron se çfarë po ndodh me firmën “Kurum” e cila vetë-shpalli falimentimin në gjykatën e Tiranës, duke kërkuar mbylljen e aktivitetit. Në fakt, prej oxhaqeve të “Kurum” në Elbasan vazhdon e del “tym” natën, ndërsa ditën grumbullohet e përpunohet skrap, prodhohet gëlqere e oksigjen, paçka se kjo kompani është e falimentuar dhe sipas ligjit shqiptar të falimentit, duhet të kaloj në sekuestro të plotë prej drejtësisë e shtetit shqiptar, për të shlyer së pari borxhet ndaj shtetit, detyrimet ndaj punonjësve e kontraktorëve ligjor, një prej të cilave zyrtarisht si Autoritet Kontraktor është Shteti Shqiptar dhe ndaj palëve kredituese të tjerë të tregut, siç janë bizneset private, bankat, apo agjencitë financiare! Për këto veprim nuk ka asnjë informacion konkret, duke mbajtur sekret ecurinë e këtij procesi e procedurash falimentimi të kësaj firme mafioze e cila u fut në Shqipëri në pazar me mafien e Shtetit Shqiptar, bëri pazare financiare e pronësore me krerët e Shtetit Shqiptar, u pasurua prej Shtetit Shqiptar dhe për çdo aferë e vjedhje të pasurive kombëtare u lejua, u ligjërua e mbrojt nga Shteti Shqiptar deri edhe me presione ndaj drejtësisë! Sot po kërkojmë prej drejtësisë, të nis hetimin për disa krime të tjera, nga 56 krimet ekonomike-financiare që “Kurum” ka bërë e është lejuar të bëjë me pasuritë kombëtare shqiptare dhe me të drejtat social-ekonomike të punonjësve shqiptarë, të cilët i trajtonte si skllevër të kohës së para-sulltanizmit dhe shteti e drejtësia kanë heshtur, për “motive” që i dinë vetë!
“Kurum”, ka zhvatur 2.2 milionë euro sigurime e paga të 284 punonjësve të Fabrikës Oksigjenit 
Në listën e sekuestrove të “Kurum”, prej të cilave duhet të përfitojnë, janë edhe 184 ish-punonjës dhe 100 punonjës të Fabrikës së Oksigjenit në Elbasan, të cilave prej 13 vitesh nuk u janë paguar sigurimet shoqërore, 184 prej të cilëve edhe pagat pas përzënies nga puna! Gjykata, në vendimin e falimentimit të kompanisë “Kurum”, ka bërë pjesë të borxhit edhe këto detyrime, të toleruara prej 13 vitesh nga institucionet e shtetit shqiptar. Çfarë ka ndodhur realisht? Pas marrjes së kësaj fabrike me koncesion 30 vjeçar prej “Kurum”, 84 punonjës të saj u përzunë me listë emërore nga puna brenda një “sekonde”, pas një marrëveshjeje koncesionare që “Kurum” bëri me qeverinë shqiptare, futur në fuqi me Vendimin Nr. 594, datë 28. 08. 2003. Kujtojmë, që qeveria shqiptare ia dha firmës “Kururm” këtë fabrikë në përdorim, pa asnjë detyrim financiar, me një Marrëveshje Koncesioni të Formës “ROT”, nënshkruar në datën 28. 08. 2003 prej shoqërisë “Kurum International” sh.p.k. nga zoti Zeki Kaya, me autorizim të presidentit të “Kurum International” zotit Hasmet Kurum. Sipas marrëveshjes koncesionare “ROT”, kompania “Kurum” ishte e detyruar që 84 punonjësve që hodhi në rrugë, t’u paguante për 18 muaj pagat në masën që i kishin në bordero dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore sipas kategorisë së pagave.

 Kanë kaluar12 vite dhe zyrtarisht, rezulton se kompania “Kurum” nuk u ka paguar pagat këtyre ish-punonjësve, madje as sigurimet shoqërore e shëndetësore. Kujtojmë, që sipas llogarive aktuale, “Kurum” ka 2.2 milionë euro sigurime e paga të pa shlyera prej 13 vitesh, për 284 punonjësit e fabrikës së Oksigjenit. Pa komentuar këtë fakt, po publikojmë listën emërore të 84 punonjësve të ish-fabrikës së Oksigjenit në Elbasan, të hedhur në rrugë e të mashtruar prej kompanisë “Kurum-Efendi”, siç ka bërë edhe me shumë punëtorë të tjerë, të cilëve nuk u ka paguar sigurimet shoqërore, ose ua ka paguar me pagën minimale zyrtare që është vendosur me ligj në Shqipëri, paçka se ata realisht në borderonë ilegale të “Kurum” paguhen nga 50, 60, 70 e deri në 80 mijë lekë të reja në muaj, por me borderonë që shkon tek tatimet, sigurohen sipas pagës minimale zyrtare prej 22 mijë lekësh në muaj, ose sipas Vendimit Nr. 77, datë 28. 01. 2015, duke paguar për çdo punonjës të borderosë abuzive shuma minimale mujore të kontributeve në vlerën 6138 (gjashtë mijë e njëqind e tridhjetë e tetë lekë të reja). Sipas marrëveshjes së miratuar me VKM nr. 594, datë 28. 08. 2003, kompania “Kurum” duhej të njoftonte çdo muaj Ministrinë e Industrisë dhe Energjisë si Operatorin shtetëror të Autorizuar për zbatimin e marrëveshjes, duke i bërë të ditur shkresërisht shlyerjen e pagave dhe sigurimeve shoqërore e shëndetësore të këtyre punonjësve. Por në zyrat e prokurorisë së Elbasanit, ka mbërritur këto ditë edhe një denoncim i firmosur nga 84 punonjësit e fabrikës së Oksigjenit në Elbasan, të përzënë nga puna 13 vite më parë e që “Kurum” i lejuar nga shteti shqiptar, nuk u ka dhënë 18 pagat mujore dhe nuk u ka shlyer ende sigurimet shoqërore, sipas detyrimit të Vendimit Nr. 594, datë 28. 08. 2003 dhe kontratës së nënshkruar me këta punonjës. në nisje të hetimit për këtë denoncim të punonjësve, prokuroria nis hetimin për përfaqësuesin e firmës “Kurum” Zeki Kaya që ka nënshkruar marrëveshjen koncesionare me qeverinë në vitin 2003, me akuzën: “Për falsifikim letrash për sigurimet dhe pagat e pa shlyera të punonjësve”!
“Kurum” u shpall humbës për koncension “Rafinieria Cërrik”, por e fitoi mbasi humbja ishte… “lapsus” 
Falsifikimi që duhet hetuar e ndëshkuar nga drejtësia ka lidhje me një skenar privatizimi të një prone pasuri kombëtare shqiptare, në favor të “Kurum”, duke falsifikuar dosjen e privatizimit. po e nisim me këtë fakt: Në datë 05.04.2013, autoriteti kontraktues (METE) me shkresën Nr. 1373/5, datë 02. 04. 2013 ka njoftuar firmën “Kurum” se ёshtё skualifikuar, në datën 27.05.2013 e ka njoftuar se është fitues! Sipas dokumenteve zyrtare të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Ministrisë Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (KVO), u shpall tenderi për “Dhënie me koncesion e formës ROT të rafinerisë së naftës Cërrik, Elbasan. Pas hapjes së ofertave, ku konkurronte edhe kompania “Kurum”, fitues u shpall konsorciumi i shoqërive “DAST” sha. Durrës, “DELTA” sha Durrës dhe “S.T.N.P.M” shpk Tiranë, duke shpallur të skualifikuar firmën “Kurum”, për mos plotësim kriteresh për të fituar koncesionin e Rafinerisë së Naftës në Cërrik. Me VKM Nr. 54, datë 23.1.2013, qeveria shqiptare miratoi bonusin prej 3 pikësh për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën përzgjedhëse konkurruese (propozim i pa kërkuar) për dhënien me koncesion të Rafinerisë së Naftës Cërrik, në favor të konsorciumit të shoqërive “DAST” sha. Durrës, “DELTA” sha Durrës dhe “S.T.N.P.M” shpk Tiranë. Por vetëm 50 ditë më pas, me një vendim i Komisionit të Prokurimit Publik, anulon vendimin dhe shpall fitues kompaninë “Kurum”, duke konsideruar “”lapsus” të dhënat e rreme që kishte paraqitur në dosje firma “Kurum”. Nuk e dimë nëse “Kurum” e ka “lyer rrotën” dhe ku e sa e ka “lyer”, por po publikojëm të plotë vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik, me Nr. 389/6 Prot, të datës 27. 05. 2013, vendim i cili e shpall kompaninë “Kurum” fitues ndërkohë që me argumentet e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) të Ministrisë Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ishte shpallur zyrtarisht i skualifikaur për të dhëna të rreme dhe mungesë të dhënash për të përballur këtë koncesion. Ja vendimi origjinal… 

Ja vendimi dhe komisioni që shpall fitues firmën hunmbëse “KURUM”

Komisioni i Prokurimit Publik bazuar në nenin 24/1, nenin 25 e vijues të Ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006, “Për Konçensionet”, VKM nr. 469, datë 16.06.2010 “Për miratimin e rregullores për përcaktimin e rregullave të hollësishme për procedurën e shqyrtimit të ankesave ndaj procedurave të koncesionit apo të vendimeve për përjashtim nga këto procedura”, dhe “Për një ndryshim në vendimin nr.27”, date 19.1.2007 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së konçensioneve”, Vendosi:
1. Të pranojë ankesën e operatorit ekonomik “Kurum International” sh.a., për procedurën koncensionare me objekt “Dhënie me koncesion e formës ROT të rafinerisë së naftës Cërrik, Elbasan”, zhvilluar nga autoriteti kontraktues Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në datë 15.03.2013;
2. Autoriteti kontraktues të shfuqizojë pikën 2 të vendimit të KVO-së, datë 02.04.2013;
3. Autoriteti kontraktues të korrigjojë shkeljen e konstatuar duke kualifikuar operatorin ekonomik “Kurum International” sh.a.;
4. Autoriteti kontraktues, brenda 10 ditëve, të vërë në dijeni Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e vendimit, duke dokumentuar veprimet e kryera;
5. Ngarkohet zyra e financës të bëjë kthimin e tarifës financiare të paguar nga operatori ekonomik “Kurum International” sh.a.;
6. Kundër këtij vendimi, ankimuesi mund të bëjë ankim brenda 30 ditëve nga data e marrjes dijeni, në gjykatën përkatëse për shqyrtimin e mosmarrëveshjes administrative.
Relatorët: 
Vilma Kadesha
Lealba Pelinku
Denis Martopullo
Komisioni i Prokurimit Publik
Kryetare
Lealba Pelinku
Në vijim do të lexoni

Dëshmia e një prej anëtarëve të grupit që realizuan vjedhjen gjigante me TVSH e Skrapit: Ja si e realizuam vjedhjen me letra e licenca false në bashkëpunim me “KURUM”, cilët na ndihmonin në tatime me blloqe të dubluar edhe pse e dinin që nuk bënim biznes skrapi konkret, si na instruktuan në polici të mos tregonim shtetarët që na futën në lojë, si shpëtuan nga prangat ata që firmosnin e vulosnin letrat e biznesit fantazmë që prodhoi 26 milionë euro vjedhje etj