Prokuroria Speciale gati për t’u nxjerrë “ujin e zi” peshkaqenëve të mëdhenj të krimit…

771
Jakup B. GJOÇA

Av. Idajet Beqiri, kryetari i PUK

Ne, aleatët e ASHE, do të bëjmë të njëjtën gjë, siç bëmë në vitet 2013 dhe 2015 ose do të organizohemi edhe më mirë në pozicionin e një poli të tretë, por gjithmonë në kuadrin e zmadhimit të fuqisë së ASHE 
Av. Idajet Beqiri, kryetari i PUK, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se aleatët e ASHE-së, kontribuan në fitoren elektorale të 2013 me 150.000 vota, por kryeministri Rama bëri vlerësimin e gabuar, sepse mbivlerësoi LSI dhe jo 40 aleatët e tjerë politikë. Ndaj, në zgjedhjet e tanishme parlamentare, zoti Beqiri pohon se aleatët e zhgënjyer nga Edi Rama, mund të mos e mbështetin më në fushatën zgjedhore, por mund të krijojnë edhe një Pol të Tretë. Zoti Beqiri, duke iu referuar Kodit Zgjedhor e vlerëson si “një paçavure antidemokratike, pasi kështu e deshën PD dhe PS në vitin 2008”. Zoti Beqiri, duke iu referuar konfliktit publik të Ambasadorit Lu me Prokurorin e Përgjithshëm, shprehet se ky konflikt “kanë bazën pikërisht në pozicionimin e këtij Prokurori si barrikadë e pakapërcyeshme në interesin e pandëshkueshmërisë së Berishës dhe të peshkaqenëve të tjerë të korruptuar të këtij vendi”. Zoti Beqiri, i pyetur nëse kryeministri Rama, a duhet të mbajë përgjegjësi politike politike për deputetët dhe kryebashkiakët socialistë që u larguan nga mandate për shkak se janë persona me rekorde kriminale, pohon se ky Kuvend ka shumë deputetë që janë kriminelë dhe peshkaqenë shumë më të rrezikshëm, sesa ata deputetë socialistë dhe se “Prokuroria Speciale gati për t’u nxjerrë “ujin e zi” peshkaqenëve të mëdhenj të krimit…”

-Zoti Av. Beqiri, kryetari i ASHE Edi Rama nuk e respektoi marrëveshjen elektorale 2013 dhe 2015 me aleatët e vet politikë dhe nuk vlerësoi kontributin e tyre me pjesëmarrje në qeverisje, në bazë të votave që morën. A është i besueshëm nga aleatët e vet politikë, kryeministri Rama?
– Shqipëria, që mori në dorëzim në vitin 2013 ASHE, në saj të votës thuajse popullore, ishte në buzë të humnerës. Nëse do të kishte qëndruar qoftë edhe 6 muaj të tjera në duart e satrapit Berisha, sot do të ishim duke vuajtur pasojat katastrofale të falimentimit të gjithçkaje, të institucioneve, por edhe të vet shtetit shqiptar. Vetëm me reforma të thella dhe të rënda mund të ringriheshim. Rama dhe faktorët perëndimore pro Shqipërisë evropiane, posaçërisht SHBA dhe Gjermania në BE, ishin të bindur që prej situatës dramatike ku ishim, mund të dilnim me reforma të rëndësishme dhe të dhimbshme. Këto reforma kishin kostot e veta, në raport me shqiptarët po dhe po, në raport me BE dhe SHBA gjithashtu, por një kosto të madhe kishin edhe brenda për brenda koalicionit të Majtë. Rama bëri vlerësimin e gabuar të situatës dhe mbivlerësoi LSI, duke nënvlerësuar 40 partitë e tjera politike që iu bashkëngjiten koalicionit me të për të fituar bindshëm në zgjedhjet e qershorit 2013. Në fakt, aq vota sa solli LSI në koalicion, po kaq sollën partitë e tjera të vogla, pjesë e koalicionit. Nëse nuk do të ishte LSI në këtë koalicion, numri i votave të partive tona do të ishte shumë më i madh, sepse “firua” jonë erdhi nga grabitja që na bëri LSI! Ky gabim i Ramës pati koston e vet në qeverisjen e tij, sepse realisht LSI, me këdo forcë politike që të bëj koalicion, të jep kosto negative. Por edhe të ndihmon gjithashtu shumë, sepse pa votat e saj disa reforma nuk mund të bëheshin. Nuk e kam fjalën për reformën në drejtësi, për ndryshimet e mëdha që ju bënë Kushtetutës, sepse për këto LSI ishte në krahun e regresit, për rrjedhojë bazat e reformës në drejtësi u hodhën pasi PD mori urdhrin e prerë që të rreshtohej pro saj, por e kam fjalën për reformën administrative e territoriale, për buxhetin, etj. Në kushtet që përshkruam më sipër, partitë tona pjesë përbërëse të koalicionit ASHE, ishim të bindura që Rama nuk do t’i plotësonte detyrimet ndaj nesh, si aleatë të PS, kontributor me mbi 150.000 vota për ardhjen në pushtet të kësaj Aleance. Kur shohim se çfarë reformash janë bërë, sa të domosdoshme janë ato, çfarë drejtimi ka marrë sot vendi për shqiptarët po dhe po, por mbi të gjitha për partnerët tanë ndërkombëtarë të rëndësishëm, posaçërisht SHBA dhe BE, e konsiderojmë të një rëndësie të vogël mospërmbushjen e detyrimeve të Ramës ndaj partive të tjera të koalicionit. 

– Çfarë do të bëjnë tashmë aleatët e së Majtës për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit 2017? Do të ketë kosto politike për Ramën, mosmbajtja e fjalës së tij për aleatët politikë?
– Nga sa ju përshkrova më sipër, del qartë që shumica dërrmuese e partive politike aleate të PS, duke qenë konsekuente të strategjisë së shpëtimit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve vetëm përmes bërjes së reformave të thella në të gjitha fushat e jetës, posaçërisht në fushën e drejtësisë dhe të konsolidimit të institucioneve të shtetit ligjor, do të bëjmë të njëjtën gjë, siç bëmë në vitet 2013 dhe 2015, ose do të organizohemi edhe më mirë në pozicionin e një poli të tretë, por gjithmonë në kuadrin e zmadhimit të fuqisë së ASHE. 

– Cilët faktorë e penguan Rilindjen Socialiste që të zbatonte reformat e integrimit, meqë kishte edhe 84 vota në Parlament?
– Nëse reformat bëhen të thella, cilësore, por pa pjesëmarrjen e opozitës, ato nuk janë të kënaqshme dhe të pranuara prej BE. Sepse, vërtetë u bë dhe vazhdon të thellohet reforma në arsim, por opozita po demonstron hapur faktin se, sapo të vijë në pushtet, do e hedh në erë atë! Dhe të njëjtin qëndrim mbanë opozita për reformën në energjetikë, në tatime, në drejtësi, në administratën publike etj. Pra, kur faktorët ndërkombëtarë konstatojnë se vendi nuk ka dal ende jashtë vetvetes, jashtë psikologjisë së Kalasë së Rozafës, duke e ndërtuar Kështjellën ditën, dhe duke e rrëzuar natën, atëherë ata të zvarrisin, të futin në kalendrat greke, deri sa të gjesh gjuhën me opozitën. Ky vend, për fatin e keq, ka qenë dhe ka mbetur peng i PD dhe i Berishës. Ata, kur kanë qenë në pushtet, kanë penguar vetveten dhe shqiptarët në procesin e integrimit. I kanë lidhur interesat e Shqipërisë pas qerres serbo – sllavo-greke. Kur në pushtet janë socialistët dhe aleatët e tyre, PD dhe Berisha bëhen zëdhënës me ide dhe me veprime të serbo – grekëve, duke i marrë frymën popullit dhe vendit të tyre. Këto katër vjet qeverisje ishin një përmbysje e madhe e kapitullit të vjetër të Shqipërisë, si peng të Serbisë dhe të Greqisë. Treguam se kemi burra shteti që i dalin zot vendit, që e vendosin Shqipërinë dhe shqiptarët si të barabartë, mes të barabartëve, që vënë në themel të politikës së jashtme sovranitetin, reciprocitetin dhe barazinë. Mirëpo pikërisht në këto momente, opozita me në krye kryetarin de facto të saj Sali Berisha, bëhen bllok dhe me veprime të shumta haptazi antishqiptare, u shërbejnë me devotshmëri qarqeve antishqiptare serbo – greke… 

– Kur BE-ja nuk pranoi të hapte me Shqipërinë negociatat për anëtarësim, për shkak (EDHE) të Korrupsionit dhe kriminalizimit, kujt i adresohen këto akuza? Qeverisë? Opozitës?
– Negociatat nuk hapen vetëm për një shkak të vetëm, për implementimin e reformës në drejtësi, për zbatimin e procesit të Vettingut mbi gjyqtarët dhe prokurorët e vendit. Të tjerat vinin natyrshëm. PD u vu në shërbim të Berishës dhe të familjes së tij. Për të larguar nga vetja Berisha dhe disa bashkëpunëtorë të tjerë të tij, ndëshkimin e pashmangshëm për shumë krime të rënda të kryera, jo vetëm që e penguan deri me veprime të hapura vetëdemaskuese reformën në drejtësi, por tashmë, përmes “çadrës së zezë të krimit”, kërkojnë të ridestabilizojnë Shqipërinë, si në marsin e 1997, vetëm e vetëm që të shtyjnë ditët për ndëshkimin e tyre penal si dhe për të justifikuar shitjen e shpirtit te serbo-grekët! 

– KQZ kohët e fundit u mundua të përcaktojë kriteret për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit 2017, duke përcaktuar kushtin që çdo parti të paraqesë në KQZ listë emërore me 5.000 firma. A është kjo në tagrin kushtetues të KQZ?
– Ky kufizim është i parashikuar në Kodin Zgjedhor, nuk ka lidhje me KQZ. Kodi Zgjedhor është bërë një paçavure antidemokratike, pasi kështu e deshën PD dhe PS në vitin 2008, kur bënë me konsensus ato ndryshime dramatike të sistemit zgjedhor në Shqipëri. Ky Kod Zgjedhor, krahas ndryshimit të sistemit zgjedhor, duke e katandisur zgjedhjen e përfaqësuesve të popullit për organin e lartë ligjvënës të vendit, vetëm te vullneti i kryetarit të Partisë, vendosi edhe kufizimin absurd të konkurrimit në zgjedhje vetëm nëse merrje 5000 nënshkrime mbështetëse prej votuesve shqiptarë. Është një pengesë artificiale për të pasur qasje konkurrimi në zgjedhje. Diskriminon dhe u mbyll derën konkurrimit të forcave të reja politike, të cilat janë të domosdoshme për të nxjerrë jashtë loje partitë e vjetra, të cilat ndërrojnë pushtetin çdo tetë vjet, megjithëse e kanë destabilizuar në vazhdimësi vendin, janë përgjegjëse kryesore të gjendjes së mjeruar të demokracisë në vend, të prapambetjes dhe varfërisë që përjetojmë 

– Ju, si e gjykoni akuzat e ndërsjella publike të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të Ambasadorit të SHBA në Tiranë?
– Prokurori i Përgjithshëm u caktua në këtë funksion bazuar në kriterin e vetëm për të qenë garanti i mosndëshkimit të krimeve të Berishës dhe bandës së tij kriminale. Në momentin që pranë tij u paraqitën të dhënat serioze prej faktorëve serioz perëndimor ndërkombëtar, të cilat implikonin në krime të rënda shtetërore, kundër qytetarëve të këtij vendi si dhe në afera skandaloze korrupsioni të Berishës, familjarëve të tij dhe personave të tjerë që kishin qeverisur së bashku me të, ai bëri “detyrën”, i dekonspiroi te të akuzuarit këto dosje, duke dalë hapur në mbrojtje të tyre. Thelbi i mospajtimeve të Prokurorit të Përgjithshëm me ambasadorin amerikan Lu e kanë bazën pikërisht në pozicionimin e këtij Prokurori si barrikadë e pakapërcyeshme në interesin e pandëshkueshmerisë së Berishës dhe të peshkaqenëve të tjerë të korruptuar të këtij vendi. 

– Si i gjykoni akuzat e fundit të kryeministrit Rama ndaj gjyqtarëve në përgjithësi, duke i cilësuar ata “kriminelë”, “ të korruptuar”, pa emra konkretë, pa u referuar në fakte konkretë të korrupsionit?
– Në kushtet se ku ndodhet sistemi gjyqësor i këtyre 25 vjetëve, në kushtet kur një popull i tërë vuan rëndë plagët e pashërueshme të gjyqësorit dhe gjyqtarëve matrapaz dhe shitblerjes të drejtësisë, në gjendjen aktuale të sistemit gjyqësor, kur mbi 90 për qind e shqiptarëve i kanë vënë damkën e të qenit thellësisht i korruptuar sistemit tonë gjyqësor, këto shprehje e akuza janë të pranueshme. Ndërsa në një situatë tjetër, nesër bije fjala, kur sistemi gjyqësor të gëzoj realisht pavarësinë në gjykime, kur të jepen vendime gjyqësore të drejta, bazuar vetëm në ligj dhe në prova, në kushtet kur gjyqtarët dhe prokurorët të mos u shkoj kurrë në mend të bëjnë korrupsion apo të japin vendime të padrejta gjyqësore, këto shprehje do të stononin aq shumë, sa do të bëheshin shkak deri në marrjen në përgjegjësi penale të atyre që cenojnë më të shenjtën e gjyqësorit, pavarësinë e saj. 

– Kohët e fundit u përfol dhe u akuzua deputeti socialist për blerjen e aksioneve bankare të 1,2 miliardë lekë. A mund të zvarritet ky hetim kaq gjatë, përtej limitit kohor të zgjedhjeve parlamentare të 2017? Nëse flasim për Transparencë dhe Katharsis, në kësi rastesh, Gjyqësori e vonon hetimin dhe gjykimin, apo politika imponon vendimmarrjen e Gjyqësorit?
– Ka një numër të madh dhe të frikshëm krimesh të pazbardhura në këtë vend. Prokuroria ka 26 vjet që bënë “gjumin e ariut” mbi këto dosje. Ndikon në këtë veprim të papërgjegjshëm dhe me pasoja katastrofale për vendin, popullin dhe demokracinë ndërhyrja e politikës, e hesapit reciprok “ruam të të ruaj”, ndikon paaftësia e organit të akuzës, por mbi të gjitha mungon kuraja dhe guximi qytetar i prokurorëve për t’u dhënë shqiptarëve drejtësinë e pagjetur. 

– Nëse pohojmë që sot kemi një Gjyqësor të korruptuar, kjo përse ndodh: -Ngaqë kështu e duan politikanët (duke u imponuar vullnetin e tyre politik dhe personal në vendimmarrjen gjyqësore)? Nga paaftësia profesionale?
– Sistemin gjyqësor në Shqipëri e korruptoi politika. Krimet më të rënda në këtë vend i ka bërë politika me Sali Berishën në krye. Grabitësit, të korruptuarit dhe vrasësit e popullit në këtë vend, në shumicën dërrmuese i përkasin politikanëve të lartë dhe fijeve lidhëse të tyre. Për të pasur terrenin e lirë me pandëshkueshmëri, këta politikanë, përmes pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, ndërtuan një sistem drejtësie të tillë, ku krimi dhe korrupsioni i gjyqtarëve dhe të prokurorëve të ishte hesap reciprok, “vidhni, grabisni, vrisni ju, se u mbrojmë ne, por edhe ju mbyllni sytë ndaj hajdutërisë dhe paaftësisë sonë”! 

– Ju mendoni se Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të jetë çelësi i Katharsit, pa u kryer paralelisht edhe Vettingu për qeveritarët, për deputetët?
– Procesi i vettingut, ligji one fic i tij, gjetja pasqyrim dhe fiksimi i tij në ligjin themeltar të shtetit, në Kushtetutën e Republikës, mënyra e formulimit, është gjetja më fantastike për të shëruar kancerin që ka zënë sistemin one gjyqësor. Pastrimi i sistemit të drejtësisë do të sjellë pavarësinë dhe ligjshmërinë në gjyqësorin shqiptar. Dhe të jeni të sigurt që pastërtia e këtij pushteti të tretë, paanësia e tij, profesionalizmi i tij, integriteti juridik dhe moral i tij, do të bëjë të pastër gjithë pushtetet e tjera, ekzekutivin, pushtetin e medieve, Presidentin, po e po, por do të përgjegjësojë shumë edhe vet pushtetin legjislativ, Kuvendin. 

– A mund të anashkalojë kryeministri Rama mosjustifikimin e burimeve të veta financiare për vilën në Surrel, që paskëtaj, të ketë të drejtën politike të kërkojë Reformë në Drejtësi?
– Nuk duhet banalizuar reforma e thellë në drejtësi me përmendjen e njërit apo tjetrit rast. Aq më tepër, që në këtë vend ka me qindra raste të bërjes miliarderë të njerëzve që kurrë nuk u ka thënë “puna mbarë” në këtë vend! Hidhu një sy miliardave të Shkëlzenit, të Argitës, të Berishës, të Bashës, të shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve, të shumë politikanëve, mes tyre dhe të vilës së Ramës… Të gjitha do bëhen objekt hetimi dhe gjykimi pas procesit të Vettingut. Të gjitha do të jenë në objektin e punës hetimore dhe akuzatore të SPAK-ut. 

– Ish ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, akuzoi për çështje shumë të rënda penale, publikisht qeverinë, kryeministrin. A mund të anashkalohen nga prokuroria, nga Gjyqësori, por edhe nga vetë Politika këto akuza të bëra nga ish-ministri i Drejtësisë, dhe, njëkohësisht, të pretendojmë për Reformë në Drejtësi?
– Asgjë nuk do të anashkalohet, por edhe këta ministrat tanë të mos bëhen “trima pas kuvendi”, të flasin dhe të veprojnë kur kanë në dorë funksionin, jo kur ikin dhe kanë në duar vetëm “çelësat e kashtës”! Ministrit Manjani ju dha shansi si ministër i drejtësisë të vepronte dhe të turbullonte për të kulluar sadopak kënetën e korrupsionit në drejtësi. Mirëpo si erdhi, ashtu iku! 

– Ju mendoni se kjo qeveri ka kryer korrupsion, sikurse e akuzon Opozita? Apo e lufton korrupsionin?
– Kjo qeveri e ka bërë t’i dridhen leqet e këmbës në shumë fusha korrupsionit. Bie fjala në policinë e shtetit, ku shkalla e korrupsionit në vitet e sundimit famëkeq të Berishës ishte tepër e frikshme, tashmë ka përmirësime të jashtëzakonshme. Të tilla arritje ka në arsim, në energjetikë, në tatime e taksa. Por korrupsioni i trashëguar është aq i madh, sa nuk është e lehtë ta shkulesh menjëherë. Aq më tepër që bartësit e tij janë ende në administratën publike e madje edhe në segmente të caktuara të qeverisjes, si vazhdues të paprekshëm dhe të riciklueshëm në saj të qeverisjes së detyruar me koalacion. 

– A ka përgjegjësi politike, kryetari i PS Edi Rama, kur deputetë dhe kryebashkiakë socialistë po dorëzojnë mandatet, të detyruar nga Ligji i Dekriminalizimit. 
– Kuvendi ka brenda gjirit të vet kryekriminelë të rrezikshëm, ka ata që i kanë bërë gjëmën 26 vjet me radhë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Pra, ka peshkaqenë të pandëshkueshëm. Por ka edhe kriminelë ordinerë, si këta që përmendni ju, por që më shumë dëm i bëjnë vetvetes, sepse nuk kanë fuqi t’i bëjnë dëm vendit! Përgjegjësi kanë të dyja forcat politike kryesore të vendit, drejtuesit e tyre kryesor, të cilët e krijuan këtë situatë në vitin 2008, kur ndryshuan Kushtetutën dhe u bënë “drejtor kuadri” që emëronin deputetë, duke ia hequr popullit këtë të drejtë. 

– Në kësi rastesh, reflektimi ndaj përgjegjësisë politike të kriminalizimit të Parlamentit është dorëheqja, apo heshtja?
– Nëse do të vihet në zbatim procesi i Vettingut, nëse do të ndryshohet sistemi zgjedhor, duke ia kthyer popullit të drejtën e zgjidhjes së përfaqësuesve të vet për në organin ligjvënës, element me të kaluar kriminale në Kuvendi nuk do të kemi. Pjesa dërrmuese e këtyre parlamentarëve, që kemi sot në Kuvend, janë turpi i tyre, i kryetarëve të partive të tyre, por edhe i shqiptarëve që i durojnë. Mandati i tyre për tre muaj mbyllet. Rëndësi ka të mos e shkelim më kurrë atë rrugë. 

– Mund të jepni gjykimi tuaj për qëndrimin politik të ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasili, në letrën që u drejtoi krerëve të Shtetit dhe ambasadorëve të huaj në Tiranë se: “ Bordi i OMN është antikushtetues”, dhe se: “Iniciativat e ndërmarra dhe tagrat e përfaqësimit janë tejkaluar haptazi në shkelje të ligjit dhe se ka shkelje të Kushtetutës nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë”? Mendoni se është qëndrim parimor apo luftë midis mazhorancës?
– Antirefomistët e drejtësisë fillimisht luajtën me “pavarësinë” dhe me “sovranitetin” e shtetit tonë, për të mbajtur larg nga reforma në drejtësi SHBA dhe BE. Harruan, që po të jesh vend i NATO dhe BE, do të lëshosh nga pavarësia dhe sovraniteti, të cilat u kalojnë këtyre dy fuqive të mëdha që kanë marrë në dorë sigurinë tënde kombëtare dhe normalitetin me standarde evropiane të gjithë jetës së vendit. OMN është garancia kryesore, madje besueshmëria kryesore në popullin shqiptar, për të mos thënë e vetme, e realizimit si duhet të procesit të Vettingut. T’i gjesh “bishta” këtij institucioni vëzhgues dhe jo vendimmarrës, do të thotë se Vettingu të ka kallur datën dhe kërkon që ta komprometosh dhe korruptosh me shqiptarë, duke larguar SHBA dhe BE, pa të cilët reforma në drejtësi në këtë vend nuk do të bëhej kurrë! 

– Atëherë, mos vallë edhe Reforma në Drejtësi është një rezultante e njëanshme dhe jo në konsensus i gjerë politik? A mund të jetë shpresëdhënëse, e frytshme, rezultative?
– Reformën në drejtësi e duan mbi 90 për qind të shqiptarëve. Ky është një super konsensus. Të inkriminuarit gjerë në grykë të politikës nuk kanë se si të japin konsensusin, sepse sado kryekriminelë të jenë, me këmbët dhe me vullnetin e tyre, nuk do të shkojnë pas hekurave të burgut!
Somario
1
Kur në pushtet janë socialistët dhe aleatët e tyre, PD dhe Berisha bëhen zëdhënës me ide dhe me veprime të serbo – grekëve, duke i marrë frymën popullit dhe vendit të tyre
2
Kodi Zgjedhor është bërë një paçavure antidemokratike, pasi kështu e deshën PD dhe PS në vitin 2008, kur bënë me konsensus ato ndryshime dramatike të sistemit zgjedhor në Shqipëri
3
Thelbi i mospajtimeve të Prokurorit të Përgjithshëm me ambasadorin amerikan Lu e kanë bazën pikërisht në pozicionimin e këtij Prokurori si barrikadë e pakapërcyeshme në interesin e pandëshkueshmërisë së Berishës dhe të peshkaqenëve të tjerë të korruptuar të këtij vendi
4
Kjo qeveri e ka bërë t’i dridhen leqet e këmbës në shumë fusha korrupsionit. Por korrupsioni i trashëguar është aq i madh, sa nuk është e lehtë ta shkulesh menjëherë. Aq më tepër që bartësit e tij janë ende në administratën publike e madje edhe në segmente të caktuara të qeverisjes
5
Kuvendi ka brenda gjirit të vet kryekriminelë të rrezikshëm, ka ata që i kanë bërë gjëmën 26 vjet me radhë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Pra, ka peshkaqenë të pandëshkueshëm. Por ka edhe kriminelë ordinerë, si këta që përmendni ju, por që më shumë dëm i bëjnë vetvetes, sepse nuk kanë fuqi t’i bëjnë dëm vendit
Sigal