Prokuroria po mbyll dosjet e tenderëve të Bashkisë

554
Sigal

Akuzat për korrupsion po bien nga ofertat milionëshe dhe hija e politikës. As deti nuk i lanë dot mëkatet e bashkisë së Durrësit

 Prokuroria e Durrësit prej afro 30 ditësh ka thelluar heshtjen dhe është gati të mbyllë për “mungesë faktesh” dosjet e korrupsionit të Bashkisë së Durrësit. Burime nga organi akuzës dhe Bashkia e Durrësit i thane “Telegraf” se “veç thirrjes formale dhe me shumë kortezi të nënkryetarit të Bashkisë Xhuliano Varfit, për ta pyetur me delikatesë lidhur me denoncimet dhe akuzat nga dy firmat ndërtuese, Prokuroria deri sot nuk ka bërë asnjë hap tjetër lidhur me hetimet”. Fakti është se në skandalin e tenderëve të Bashkisë, veç nënkryetarit Varfi akuzohen edhe 4 anëtarët e komisionit dhe disa zyrtarë të Bashkisë, të cilët prej vitesh janë kthyer në sekserë të gjobave dhe 30 përqindëshit që merret nga tenderët. Organi akuzës në datën 14 korrik 2014, ka vajtur në Drejtorinë e Investimeve dhe zyrën e nënkryetarit të Bashkisë Xhulian Varfit dhe ka marrë prej andej dosjet e përfolura të tenderëve të rrugës dytësore të portit dhe rrugës së plazhit. Kujtojmë se vlera e rrugës dytësore të portit ishte 2.7 miliardë lekë, një investim goxha i madh, por që edhe vjedhja po ashtu. Bëhet fjalë për afro 540 milion lekë të cilat sekserët e tenderëve kanë kërkuar nga “fituesi”, ndërkohë që ditën e konkurrimit kishte firma dhe kompani që ofertuan ulje të leverdishme, por që u s’kualifikuan, duke u deklaruar se “ju nuk keni mundësitë teknike dhe fuqinë punëtore për të zbatuar projektin dhe investimin”. Aferat korruptive, makinacionet e pista dhe format mafioze të cilat kanë vite që janë ngritur në sistem , kanë krijuar një klimë tensioni në marrëdhëniet mes Bashkisë dhe kompanive legale që janë njëherësh edhe autore të ndërtimit të mjaft akseve rrugore në Qarkun e Durrësit. Denoncimi mediatik dhe juridik që dy kompanitë e radhës i bënë komisionit të tenderimit të Bashkisë dhe kryetarit të saj Xhulian Varfi, duket se fillimisht e nxiti Prokurorinë të nisë me vrull mbledhjen e fakteve dhe të fillojë hetimin. Ajo që ndodhi me tenderët e rrugës paralele me portin dhe rrugën e plazhit, duket se nuk kishte ndodhur deri sot, pasi gjithçka mbyllej me presione apo oferta të tjera. Por Prokuroria e Durrësit qysh nga viti 2012 ka të regjistruara mbi 110 padi penale ndaj zyrtarëve të Bashkisë dhe komunave , por që deri tani asnjë prej tyre i thirrur madje me dhjetëra herë, nuk ka kryer qoftë edhe 24 orë burg. Gjithçka shitet dhe blihet zyrave dhe lokaleve karshi institucioneve të drejtësisë, duke rënë në ujdi pazaresh. Tenderët e rrugës së plazhit dhe rrugës paralele me portin, mbeten skandali i radhës të cilin opinion qytetar në Durrës i dënon dhe po kërkon daljen para përgjegjësisë ligjore të çdo zyrtari të akuzuar. Si ka mundësi që kur ka kaluar mbi 1 muaj nga nisja e hetimeve në Prokuro nuk thirret qoftë edhe për tu pyetur si i akuzuari kryesor nënkryetari Bashkisë, dhe kryetari komisionit tenderues, si ka mundësi që me dosjet e bllokuara qysh nga 14 korriku nuk janë kryer qoftë edhe verifikimet formale për të vërtetuar akuzat e ngritura nga dy kompanitë e dëmtuara dhe të skualifikuara padrejtësisht, si ka mundësi që denoncuesit nuk thirren për të ndihmuar dhe për të mbledhur prej tyre fakte për të kopsitur akuzën ndaj zyrtarëve të Bashkisë? Prej një muaj e gjysmë, avokatët e dy kompanive presin të njihen me dosjet, me faktet e mbledhura, me ecurinë e hetimeve, madje duke qenë të gatshëm të ndihmojnë prokurorët në procesin hetimor. Ata nuk thirren ashtu si nuk thirren as zyrtarët e akuzuar, duke vërtetuar zërat që po qarkullojnë në Durrës se “gjithçka po shkon drejt mbylljes, pasi në lojë është një i madh”. Ngecja e hetimeve, delikatesa e tepruar e prokurorëve përpara zyrtarëve të pasuruar me paratë e tenderave, dystandardizimi i tyre në procese të tilla hetimore, po tregon qartazi para qytetarëve durrsakë por edhe krejt shqiptarëve, se qelitë mund të mbushen vetëm me vjedhësit e celularëve, apo pasqyrave të makinave, por kurrë me peshkaqenët e pangopur të milionave eurove dhe dollarëve.