Prokuroria: Po hetojmë për shpërdorim detyre

504
Sigal

Ndjekje penale për kryetarin e komunës Gostimë

Prokuroria e Elbasanit ka nisur prej disa ditësh ndjekjen penale ndaj kryetarit aktual të komunës Gostimë në Elbasan, shtetasit Qamil Boja, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Sipas një burimi hetimor mësohet se “ndjekja penale ndaj kryetarit të komunës Gostimë, Qamil Boja, ka ardhur pas disa denoncimeve dhe raportit të kontrollit të Prefekturës dhe KLSH-së, lidhur me shpërdorimet e detyrës, abuzimet me investimet, taksat dhe denoncimet e banorëve”. Qamil Boja është në përfundimin e mandatit të tretë si kryetar komune në Gostimë, ndërkohë që pretendon për një mandat të katërt. Qamil Boja është i pesti kryetar komune që është marrë në ndjekje penale nga Prokuroria e Elbasanit në këtë qark dhe si edhe ai, të gjithë janë nën hetim për akuzën e “shpërdorimit të detyrës dhe abuzime me paratë e investimeve dhe taksat e komunës, lejet e ndërtimit, etj.”. Në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, komuna e Gostimës nuk e ka shansin të ketë kryetar, pasi kjo zonë administrative do t’i bashkohet Cërrikut. Por, gjithsesi burimet hetimore thanë se hetimet do të vazhdojnë dhe se ndoshta brenda muajit maj do të ketë përfundimin e dosjes hetimore për të pestë kryetarët e komunave të Qarkut të Elbasanit”. Kryetarët e komunave mbeten personat e akuzuar më shpesh nga banorët e tyre për vepra penale, duke mos përjashtuar edhe raportet e KLSH-së dhe ato të Prefekturave, që kanë zbuluar shkelje skandaloze ligjore dhe financiare, sidomos për ata që kanë 2 apo edhe 3 mandate përfaqësimi.

Nga BEN DELIMETA