Prokuroria nis hetimet për shpërthimin në Ballsh, humbi jetën një punëtor, ndërsa u plagosën 5 të tjerë

438

Sigal

Prokuroria ka nisur hetimet për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në rafinerinë e Ballshit, ku si pasojë e një shpërthimi, humbi jetën një punëtor, ndërsa u plagosën 5 të tjerë.

Organi i akuzës po heton për “shkelje të rregullave në punë”, ndërsa do të jenë rezultatet pas hetimit ato që do të sqarojnë edhe për përgjegjësitë e ngjarjes.

Paraprakisht dyshohet se shpërthimi ka ndodhur pas një defekti në kompresorin në repartin e hidropastrimit, e më pas nga bllokimi i valvulës së bombolës së hidrogjenit, pasoi shpërthimi dhe zjarri në uzinë.

Në momentet e zjarrit, në të gjithë uzinën ishin në turn 300 punonjës, të cilët janë larguar me shpejtësi nga ambientet e punës. Zjarrfikëse nga Ballshi, Fieri, Tirana e Vlora shkuan në uzinë për të bërë të mundur izolimin e flakëve. Rreziku më i madh qëndronte te reparti ngjitur, ai i reaktorëve, pasi nëse flakët depërtonin aty, atëherë mund të ndodhte një katastrofë e vërtetë.