Prokuroria nis hetimet/ Identifikohen zyrtarët në QSUT “Nënë Tereza” për stokun e 520 mijë medikamenteve të skaduara, të cilat përbënin 93% të ilaçeve me vlerë 5 miliardë lekë

130

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar një procedim penal për të identifikuar zyrtarët përgjegjës për stokun e ilaçeve të skaduara në QSUT, i cili kap një vlerë prej miliona euro.

QSUT nën hetim për stokun e ilaçeve të skaduara

Praktikat e tenderimeve të barnave të blera për farmacinë qendrore të Qendrës Spitalore Nënë Tereza, QSUT, gjatë viteve 2012-2018, që prodhuan një stok me barna të skaduara me vlerë miliona euro, janë duke u hetuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Një burim nga organi i akuzës pohoi për BIRN, se hetimi është përqendruar në identifikimin e personave përgjegjës, të cilët dyshohet të ketë shkaktuar një dëm financiar që sipas organit të akuzës, nga verifikimet e deri tanishme përllogaritet në vlerën e rreth 7 milionë eurove. Sipas këtij burimi, hetimi ka përfshirë zyrtarët që kanë lejuar apo blerë medikamente në sasi të mëdha pranë afatit të skadencës dhe ata që nuk i kanë përdorur para skadimit këto barna si edhe sasi të tjera të dhuruara, të cilat kanë shkuar dëm pa ua dhënë pacientëve. “Jemi duke hetuar se cilët janë zyrtarët e QSUT-së, të cilët kanë kryer blerjen e ilaçeve afër datës së skadencës,” tha prokurori. “Nga verifikimet e deritanishme dyshohet që vlera e medikamenteve të skaduara të arrijë shumën 7 milionë eurove,” shtoi ai. Ky hetim i Prokurorisë ka ardhur pas një referimi të kryer nga Policia e Shtetit, e cila është bazuar në një investigimi të kryer nga BIRN, i publikuar në shtator 2018. Investigimi i BIRN, i cili bazohej në qindra faqe dokumente, zbardhte faktin se në farmacinë qendrore të QSUT-së ishte krijuar një stok me qindra mijëra medikamentesh mjekësore të skaduara, ndërkohë që pacientët përballeshin me mungesën e barnave ose detyroheshin t’i blinin kundrejt çmimeve të larta në farmacitë private. Sipas të dhënat që BIRN, rreth 93 për qind e ilaçeve në farmacinë qendrore, në Maj 2018 ishin të skaduara dhe vetëm 7 për qind e tyre ishin ende të përdorshme për pacientët. Barnat e skaduara ishin akumuluar gjatë viteve 2012-2018 dhe sipas të dhënave të analizuara nga BIRN, kapin një kosto totale kontabël prej 481.8 milionë lekësh [rreth 3.9 milionë euro].

Në një reagim mbi stokun e ilaçeve të skaduara në 2 Nëntor 2018, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i cilësoi akuzat si shpifje. “Ilaçi më i mirë, i paskadueshëm, përballë shpifjeve janë faktet dhe shifrat,” deklaroi ajo “Një nga punët e bëra në katër vitet që drejtova Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ishte që i dhamë fund praktikës së blerjes së barnave në prag skadence, e bashkë me të, edhe pazarit që bëhej në kurriz të jetës së qytetarëve,” shtoi ajo. Stoku i madh i ilaçeve të skaduara në farmacinë qendrore të QSUT është konsideruar një problem serioz edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH që në raportet e auditit për vitet 2014 dhe 2015, konstatonte se kishin shkuar dëm tonelata medikamentesh të tenderuara apo të dhuruara në Qendrën Spitalore Universitare. Për këtë situatë KLSH fajësonte keqmenaxhimin dhe praktikën e tenderimit të medikamenteve në prag të datës së tyre të skadencës. Pjesa më e madhe e barnave të çuara dëm në farmacinë qendrore të QSUT-së trajtonin sëmundje mjaft të përhapura në Shqipëri, të tilla si sëmundjet kardiovaskulare, ato psikike apo antibiotikë për trajtimin e një sërë infeksionesh bakteriale. Rreth 60 për qind e tyre rezultojnë të jenë blerë në vitet 2011-2013 dhe kanë dalë jashtë përdorimit në vitet 2014 dhe 2015. Pjesa tjetër rezulton të ketë skaduar gjatë viteve 2016-2018. Në raportin e auditimit të publikuar në mars 2016, Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentonte faktin se situata në vitet 2014-2015 paraqitej tejet e rënduar me rreth 520 mijë medikamente të skaduara. Thuajse gjysma e sasisë, sipas KLSH-së ishin tenderuar me paratë e buxhetit të shtetit në vitet 2011-2013, ndërkohë që pjesa tjetër ishin donacione të kushtueshme, të cilat sistemi kishte dështuar t’i shpërndante në kohën e duhur te pacientët. Kjo situatë ka vazhduar të jetë e njëjtë edhe për vitet në vazhdim. Nga një listë me 1200 lloje medikamentesh që gjenden në farmacinë qendrore, vetëm 315 produkte ishin të konsumueshme me afat skadence pas datës 9 maj 2018. Ndërkohë që në vitet 2014-2015, dëmi i shkaktuar nga ilaçet e skaduara ishte 172.7 milionë lekë, në vitin 2018 kjo shifër arriti në 447 milionë lekë. Në raportet e saj, KLSH fajëson për situatën mungesën e një analize të plotë në QSUT për shkaqet që çuan në këtë situatë dhe përgjegjësitë direkte të zyrtarëve dhe nëpunësve që lejuan dhe mundësuan praktikat e këtyre tenderimeve dhe të atyre që nuk i shpërndanë barnat tek pacientët para afatit të skadencës.