Prokuroria kërkon konfiskim të mbi 850 mijë eurove ndaj dy shtetasve

507
Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin e mbi 850 mijë eurove në llogaritë bankare të shtetases Rovena Kalemi, pa arsim, dhe shtetasit Bledar Çoraj, shuma të cilat kanë kaluar në llogaritë e tyre bankare nga shtetasi belg, Eric Nyssens, me profesion infermier në Bruksel. Nga hetimi rezulton se këta shtetas nuk e justifikojnë burimin e kësaj shume parash. Prokuroria për Krime të Rënda, e cila është struktura përgjegjëse për zbatimin e ligjit të njohur si “Antimafia”, ka marrë informacionin nga ana e Prokurorisë së Durrësit se në llogaritë e shtetasve shqiptarë Kalemi dhe Çokaj, gjatë vitit 2014, janë kryer disa transferta, të cilat shkonin mbi 1 milion euro. Ky informacion kishte mbërritur në Prokurorinë e Durrësit nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut. Sapo është marrë ky informacion, Prokuroria e Durrësit ka marrë miratimin në gjykatë për sekuestron preventive, pasi kjo shumë parash kishte burim të dyshimtë në momentin e parë. Në momentin e vendosjes së sekuestros, rezultoi se shtetasja Kalemi ka tërhequr rreth 300 mijë euro dhe në llogaritë e saj gjendeshin rreth 850 mijë euro, të cilat u bllokuan. Pas vendosjes së sekuestros dhe mungesës së shpjegimit të burimit të ligjshëm të këtyre parave, Prokuroria e Durrësit e kaloi për kompetencë çështjen në Prokurorinë për Krime të Rënda, e cila kërkon konfiskimin e sasisë së parave.
Sigal