Prokuroria, hetim pasurisë së Frrokut, avokati: Kryeprokurori e ka kthyer në çështje personale

33
Ish-vartësja e Adriatik Llallës në kohën kur ai drejtonte Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, është caktuar për të verifikuar pasurinë e deputetit kristiandemokrat Mark Frroku, i cili po hetohet, veç vrasjes së Aleksandër Kurtit në Belgjikë, edhe për akuzat e pastrimit të parave, fshehjes së pasurisë dhe ndërtimit të paligjshëm. Prokurori i çështjes, Madrid Kullolli, ka urdhëruar kryerjen e një ekspertize kontabël për pasuritë e deputetit kristiandemokrat dhe familjarëve të tij, pasi dyshohet se janë produkt i veprimtarive kriminale të Mark Frrokut në fushën e trafikut të drogës dhe shfrytëzimit të femrave për prostitucion. Greta Dangu është caktuar si eksperte, por emri i saj ka hasur në kundërshtinë e Frrokut dhe avokatëve të tij. Mbrojtësi ligjor i Frrokut, Saimir Vishaj, tha për “GSH” se caktimi i Greta Dangut si eksperte është në konflikt interesi dhe se Prokurori i Përgjithshëm e ka kthyer në çështje personale historinë me familjen Frroku. Sipas tij, është po Adriatik Llalla ai i cili ka rekrutuar në 2011-ën Greta Dangun si inspektore të lartë në ILDKP, kur ndodhej në krye të këtij institucioni, dhe tashmë, thekson Visha, e punëson edhe si eksperte private për të verifikuar pasuritë e Frrokut. Visha theksoi se, nuk janë kundër kryerjes së hetimeve për pasuritë e Frrokut, por jo nga ekspertja në fjalë.

Argumentet pro ekspertimit
Në vendimin për caktimin e ekspertes kontabël, prokurori i çështjes, Madrid Kullolli, ka argumentuar arsyet përse nevojitet kryerja e ekspertizës. Konkretisht, prokurori thekson si më poshtë: Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal, është e nevojshme kryerja e një analize në formën e ekspertimit nga specialistë me njohuri të posaçme në fushën financiare, që kanë të bëjnë me përcaktimin e të ardhurave, shpenzimeve, kursimeve, investimeve, dhe të gjitha veprimet financiare dhe pasurore të shtetasit Mark Frroku dhe familjarëve të tij. Nevoja për kryerjen e një analize financiare të pasurive dhe të të ardhurave të shtetasit Mark Frroku, lind për shkak të dyshimeve të arsyeshme se, disa nga pasuritë e deklaruara prej tij në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, konkretisht në deklaratën para fillimit të detyrës në vitin 2013, deklarata periodike vjetore 2013 dhe ajo periodike vjetore 2014, nuk kanë të justifikuar burimin e krijimit të tyre. Në këto deklarata përshkruhen pasuri për të cilat nuk deklarohet dhe as nuk justifikohet burimi i krijimit të tyre.

Ndërkohë që, ekzistojnë pasuri për të cilat nuk është deklaruar burimi dhe nuk është justifikuar mënyra dhe krijimi i tyre. Nga ana tjetër, sipas hetimeve të kryera, rezulton se shtetasi Mark Frroku ka kryer veprimtari të paligjshme. Me vendimin nr.13/129123=02, datë 04.12.2002, të Autoriteteve Gjyqësore Holandeze, shtetasi Mark Frroku alias Pirro Sofrani është dënuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Pra, nisur edhe nga ky fakt, dyshohet se shtetasi Mark Frroku ka siguruar të ardhura dhe asete nga veprimtaria kriminale e trafikimit të lëndëve narkotike. Gjithashtu, në funksion të hetimeve të procedimit penal nr.2 të vitit 2015, ekzistojnë fakte dhe prova të administruara me atë të letërporosisë së dërguar nga autoritetet gjyqësore belge, se gjatë viteve 1998-1999, shtetasi Mark Frroku, i cili ka përdorur disa emra, është hetuar për veprën penale të “Vrasjes”, në bashkëpunim, të shtetasit Aleksandër Kurti. Njëkohësisht, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Mark Frroku dyshohet se ka kryer veprimtarinë kriminale të “Shfrytëzimit të femrave për prostitucion” në Bruksel të Belgjikës, nga e cila dyshohet se ka siguruar të ardhura dhe ka krijuar pasuri nga kjo veprimtari kriminale.

Për sa më sipër dhe mbështetur në provat e administruara në funksion të procedimit penal, rezulton se ekzistojnë dyshime të arsyeshme, se nga ana e shtetasit Mark Frroku, janë krijuar të ardhura dhe pasuri nga burime të paligjshme, konkretisht nga veprimtaria kriminale e “Trafikimit të lëndëve narkotike” si dhe “Shfrytëzimit të femrave për prostitucion”. Në këto kushte, kur rezultojnë pasuri dhe të ardhura të shtetasit Mark Frroku dhe familjarëve të cilat nuk rezultojnë me burim të njohur, e kur ka fakte dhe prova se shtetasi Mark Frroku ka kryer veprimtari kriminale si rezultat i të cilave dyshohet se janë krijuar të ardhura dhe pasuri të paligjshme, është e domosdoshme kryerja e një ekspertimi, për t’u dhënë përgjigje një sërë pyetjesh që lindin mbi mënyrën e krijimit dhe dinamikës së ndryshimeve ndër vite të pasurive të shtetasit Mark Frroku dhe familjarëve të tij. Në këto kushte, në funksion të procedimit penal, është e domosdoshme kryerja e ekspertimit kontabël.

Pyetjet për eksperten
Ekspertja Greta Dangu duhet t’u japë përgjigje gjashtë pyetjeve të përpiluara nga prokurori Madrid Kullolli, lidhur me pasuritë e kristiandemokratit Mark Frroku. Pyetja e parë është: Cilat janë pasuritë e njohura të shtetasit Mark Frroku dhe familjarëve të tij, sipas certifikatës familjare, dhe cila është vlera totale e tyre (duke përcaktuar hollësisht dhe veçmas vlerën e pasurive të paluajtshme dhe aseteve në shoqëri ku ai ka aksione)?
Mandej, ajo duhet të përcaktojë se sa është vlera monetare e kësaj pasurie; cilat janë të ardhurat ndër vite të Mark Frrokut dhe familjarëve të tij; sa është vlera totale e pasurisë së deputetit dhe familjarëve; cilat janë shpenzimet e njohura ndër vite të kryera nga Frroku dhe familjarët e tij; a justifikohet apo jo kjo pasuri nga të ardhurat që ka Mark Frroku e familjarët e tij, duke bërë diferencën të ardhura shpenzime. Ekspertja ka nisur punën për verifikimin e pasurive të deputetit dhe familjarëve të tij, e cila përllogaritet të jetë të paktën 10 milionë euro.