Prokuroria, hetim oficerëve të policisë: Janë përzierë në trafik klandestinësh

567
Sigal

Dosja e përgatitur nga SHKB-ja. Dy nga të akuzuarit janë oficerë shërbimi të Portit Detar

  Katër ish-oficerë të policisë së Durrësit të larguar para një muaji nga detyra, po hetohen nga organi i Prokurorisë për “lidhje me rrjetin e trafikut të klandestinëve dhe drogës”. Burime nga organi i akuzës thanë  për “Telegraf” se, “hetimet e zhvilluara ndaj disa eksponentëve të krimit të organizuar të arrestuar tashmë kanë nxjerrë emrat e katër ish-oficerëve të policisë, të cilët kur kanë pasur detyra të rëndësishme në komisariat dhe Drejtorinë e Policisë, kanë favorizuar largimin e klandestinëve duke krijuar lehtësira edhe për trafikantët e drogës”. Kështu, megjithëse, organi i akuzës po mundohet t’i mbajë “top-sekret” emrat e katër ish-oficerëve  me grada të larta,  mësohet se dy prej tyre kanë punuar në portin detar dhe sektorë delikatë të Drejtorisë së Policisë në qytetin bregdetar. Porti i Durrësit ka qenë dhe mbetet “nyja Gordiane” e trafikantëve, të cilët synojnë largimin prej tij të klandestinëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali Zi, madje, edhe nga Kina e largët dhe Kurdistani. Hetuesit kanë arritur të zbulojnë prej trafikantëve të arrestuar se, “në ndihmë të tyre dhe si mburojë ishin të lidhur edhe katër prej uniformave blu, të cilët, madje kishin edhe poste në Drejtorinë e Policisë së Durrësit”, madje, edhe me persona që sot  mbajnë poste të tjera në institucione shtetërore.  Zbulimi i tyre është bërë pas arrestimit të disa prej personave që konsiderohen edhe si drejtues  të trafikut klandestin,  pas goditjes së bazave në disa qytete shqiptare e kosovare. Pasi çdo gjë “kopsitej”, duke i pajisur grupet e klandestinëve dhe trafikantëve me pasaporta dhe leje-qëndrimi  dhe viza të falsifikuara, ata merreshin në dorëzim nga përmes “besnikëve” të tyre, nga ish-oficerët e zyrtarët e Policisë së Durrësit, të cilët kujdeseshin që ata të hynin pa probleme deri tek trageti, duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi në rast se kapeshin përtej kufirit. Mësohet se, ndaj tyre ka nisur hetimi, duke verifikuar paraprakisht pleksjen e tyre në trafikun e klandestinëve, por edhe pasuritë e tyre personale. Një grup hetuesish do të verifikojë llogaritë e tyre bankare si dhe pasuritë si vila e apartamente në zonat bregdetare. Prokuroria ka kërkuar bashkëpunim edhe me SHKB-në e Ministrisë e Brendshme deri në zbardhjen e procesit të hetimit.

Artur AJAZI