Prokuroria hap dosjet për krimet e pazbuluara

586
Sigal

Flet për “Telegraf” Kryeprokurori i Elbasanit,  Gentian Osmani: “Vëmendja është përqendruar në disa vrasje të bujshme të kohëve të fundit”

Në tre mujorin e fundit të vitit 2013 Prokuroria e Elbasanit ka marrë si vendim rihapjen e hetimeve për veprat më të bujshme kriminale të ndodhura në këtë qark gjatë viteve të fundit. Hetimet rihapen pas paraqitjes së provave dhe dëshmitarëve të rinj. Sigurisht, sipas burimeve të Prokurorisë cilësohet se, kanë nisur hetimet, edhe për dosje të tjera të ngjashme, që janë mbyllur për shkak të provave. Gjithashtu, nën hetim janë dhe të gjithë drejtuesit e njësive vendore që kanë lejuar apo favorizuar ndërtimet pa leje.

Hetimet

Prokuroria e Elbasanit ka rihapur hetimet për vepra të rënda penale të ndodhura në Qarkun e Elbasanit. Lajmi bëhet i ditur nga Kryeprokurori i Elbasanit, Gentian Osmani, i cili për gazetën “Telegraf” tha se, dosjet që janë mbyllur kryesisht për shkak të mos paraqitjes së dëshmitarëve ose për mungesë provash do të rihapen dhe do të shqyrtohen edhe një herë. “Vëmendja më e madhe është përqendruar në disa vrasje të bujshme të ndodhura në Elbasan gjatë viteve të fundit, ku ende kanë mbetur pa u zbuluar  autorët ose ende nuk është provuar se personat që janë ndaluar dhe dyshuar për krimin e vrasjes të jenë fajtorë”, -tha Osmani, duke shtuar se deri tani ka filluar puna me dy dosjet e para. Kështu nga Kryeprokurori cilësohet se deri tani janë rihapur dosjet për dy vrasje që kanë ndodhur pas vitit 2008. “Për rihapjen e tyre ne kemi prova dhe fakte të reja, ku dhe dosja është plotësuar me dëshmitarët e nevojshëm për rinisjen e hetimeve”, u shpreh Osmani. Për arsye hetimi, Kryeprokurori nuk bënë publike se për cilat vrasje bëhet fjalë. Sipas kryeprokurorit Osmani thuhet, gjithashtu, se kanë nisur hetimet edhe për dosje të tjera të ngjashme që janë mbyllur për shkak të provave. Ndërkohë që, nga Prokuroria e Elbasanit janë në proces hetimor dhe dy ish-drejtorët të Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë Elbasan, ku njëri pre tyre akuzohet për veprën penale “të mos veprimit të prishjes së ndërtimeve pa leje” dhe tjetri për “prishjen” e tyre, ky i fundit është denoncuar nga vetë qytetarët. Gjithashtu, Kryeprokurori i Elbasanit deklaroi se, nën hetim janë dhe të gjithë drejtuesit e njësive vendore që kanë lejuar apo favorizuar ndërtimet pa leje. Ashtu siç bëhet e ditur këto priten të jenë dhe çështje më madhore të Prokurorisë së Elbasanit për këtë kohë vjeshte pa lënë pas dore dhe veprat e tjera penale që mund të dalin gjatë kohës.