Prokuroria hap dosjen për Thumanën dhe Durrësin

241

Prokuroria hap dosjen e pallateve në Thumanë, Durrës dhe te Kavalishenca

Tre prokurori në Tiranë, Durrës dhe Krujë ka nisur hetimin për pallatet e shembura dhe të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Thumana është një nga zonat më te prekura, ku humbën jetën 24 persona. Burimet bëjnë me dije se hetimi do të ndahet në tre çështje, për shtëpitë që janë rrënuar krejtësisht në Thumanë dhe masat që janë marrë pas tërmeteve. Do të hetohet për dëmet e institucioneve shtetërore, por edhe pallatet e dëmtuara. Për këtë çështje janë marrë në pyetje inxhinierë, zyrtarë por po ashtu janë mbledhur dosjet e plota. Rasti i Thumanës është ndër më të rëndët. Akuza mësohet se ka pyetur edhe banorët për të marrë informacione mbi inspektimet e bëra në tërmetin e korrikut 2018 dhe të 21 shtatorit 2019. Madje një nga pikat është nëse ka pasur akt-konstatimi apo u është deklaruar se pallatet janë të pabanueshme Edhe në Durrës tashmë ka nisur i njëjti proces. Edhe në këtë rast përqendrimi i punës është në 6 objektet e shembura si pasojë e të cilave humbën jetën 24 persona. Ndër pikat e hetimit është edhe Kavaleshenca, për të cilën ka pasur akuza se më parë ishte shpallur e pabanueshme. Hetimet janë përqendruar dhe për katet shtesë në objektet e shembura apo projektet e realizuara. Hetim më vete është ndërmarrë edhe për pallatet e vjetra, ku është ndërhyrë në strukturë e si pasojë kanë pësuar dëmtime. Për këtë çështje janë marrë në pyetje rreth 30 inxhinierë, por edhe banorë. Nga ana tjetër në Tiranë janë 770 dosje të hapura të ndara në dy kategori të pallateve të para vitit 1990 dhe pas këtij viti. Hetuesit mësohet se janë ende në shqyrtimin e dokumentacionit dhe verifikimit në terren për të vijuar më pas me marrjen në pyetje.